LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Spartak Ngjela/ Ja gjendja e shqiptarëve sot

29 Maj 2016, 08:44, Aktualitet CNA

Ende një gjendje kombëtare dhe shoqërore e paformuar racionalisht. Dy shtete shqiptarë, kufitarë me njeri – tjetrin, që nuk qeverisen dot drejt nga shqiptarët, por që janë të përkrahur fort nga NATO dhe nga USA.

Si ka mundësi të ndodhë kjo? do pyesin historianët e të ardhmes. Sidomos kur, midis këtyre dy shteteve, shteti shqiptar ka ekzistencë 100 vjeçare. Cila ekzistencë: përse e do ekzistencën e një shteti kur shtetarët e tij gjithmonë kanë grabitur ose kanë rropatur popullin e tyre?
Këtu jemi pikërisht sot: në Tiranë është mbledhur Asambleja Parlamentare e Aleancës Atlantike, kurse pushtetarët shqiptare nuk pranojnë kushtet e Perëndimit që shqiptarët të hyjnë në Perëndim.
Kush i lindi këta bastardë?
Pa dyshim papjekuria e shqiptarëve. Por tani po e vuajnë vetë shqiptarët.
Çdo gabim ka kosto!
Por gabimi që njihet dhe nuk ndreqet, të shkatërron. Ja kjo është gjendja.
Abuzuesit fituan me votë, sigurisht, por abuzuan se nuk ka pasur ligj kundër abuzimit. Se ketu, të gjithë abuzojnë, dhe vetëm populli vuan. Dhe, brenda kësaj sëmundjeje historike, abuzuesit takohen me njëri – tjetrin dhe thone: “ky nuk është popull, nuk meriton më shumë se vuajtjen nën thundren tonë”. Dhe kështu ka qenë gjithmone: “harbutëri” i thoshin popullit abuzuesit e parë të viteve 20, 30 si otomanë që ishin. “Janë të egër, s’janë francezë – thosh tirani Hoxha – ikin nga Shqipëria, prandaj i kam izoluar. Nuk meritojnë”
Kurse këta të sotmit janë krejt të njëjtë, por e thonë me zë të ulët që “seshte popull ky”; domethënë duhet vjedhur.
Por ja që shqiptarët sot kanë dy shtete në Ballkan dhe kanë përkrahje të madhe nga qendra e qytetërimit. Një popull që kurrë nuk e ka pasur përgjegjësinë e atyre që e kanë qeverisur, ka vlerësim maksimal sot nga politika e madhe perëndimore.
“Aye, there’s the rub”, do thosh Shekspiri, dhe, “këtu diçka ngec”, na ka thënë Noli. Po, këtu ka ngecur, dhe gjithmonë me pyetjen: pse vuajnë sot abuzuesit kur kujtojnë ligjin dhe drejtësinë? There is the rub…
Sepse kuptojnë fundin e tyre.
Por, ne kemi votën – thotë Saliu me një tufë të tjerë të tremburish rreth tij. Cila vote? thonë perëndimorët. Pse ende mendojnë këta abuzues se me votë mundet Amerika në Shqipëri? Injorancë, naivitet dhe ligësi bashkë. Askush s’e mund dot Amerikën me votë në Shqipëri, edhe sikur të bashkohen tok Berisha Rama, Meta dhe i gjithë “pazari i vjeter” i abuzivizmit shtetëror shqiptar.
Por çfarë pritet?
Asgjë më shumë sesa futja e draftit të Reformës në Drejtësi, në Parlamentin shqiptar. Atje votat i ka Amerika, edhe pse Berisha mund te “jete me grip” atë ditë…Jo, jo, me grip dhe çalë-çalë ai, si gjithë të tjerët, do të shkojë të votojë fundin e padrejtësisë shqiptare që i ka dhënë mundësinë atij dhe shumë të tjerëve, në të dyja anët e politikës shqiptare, të abuzojnë mizorisht me shqiptarët: që t’i vjedhin dhe t’i shkatërrojnë njëherësh; që t’i përçajnë dhe t’i urrejnë njëherësh.
Koha është e shqiptarëve sot. Te dy shtetet shqiptarë janë sot të përkrahurit e medhenj të Ballkanit. Dhe mos harroni që Ballkani ka qenë quajtur Ilirí… Kështu duket dhe kështu është. Shqiptaret nuk mund të jenë më peng në duart e pushtetareve të tyre.
Prandaj:
Fute, Rama, Reformën në Parlament, nëse nuk dëshiron të hipësh edhe ti në Trenin që shtyhet drejt humnerës me Lokomotivën Berisha. Çfarë pret më? NATO-n e ke në Tirane. Zv. Presidenti amerikan po vjen. Mos kërkon që të vijë edhe me aroplanmbajtësen Ajzenauer kundër padrejtësisë shqiptare?

Lajmet e fundit nga