LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur laskaret historia e shkencës, vaj medet shkencës të historisë/ Nga Artan Fuga

11 Maj 2016, 08:17, Aktualitet CNA

Letër e hapur z. Xhevdet Shehu,

gazeta Dita,

Tiranë
—————–

I dashur miku im Xhevdet,

kishe marrë në intervistë Pëllumb Xhuifin, në datën 10 maj 2016, kur ndër të tjera ai jep edhe komente për reformën në arsim dhe kërkim shkencor.

Ti e di që unë nuk merrem me interpretime të të tjerëve në media, aq më shumë që komentet që lexova janë aq larg bindjeve dhe koncepteve të mia, sa asnjë pikë takim nuk kam me to dhe nuk përbëjnë interes për mua.

Por, po të shkruaj sepse në pyetjet e tua ti i drejtohesh Pëllumb Xhufit duke e pyetur atë se çfarë mendon ai për deklarimet e mia për shkencën dhe akademinë e shkencave pas deklarimeve të mia publike lidhur me këto çështje. Të falenderoj për interesimin dhe e konsideroj si vëmendje miqësore që ke treguar.

Këtu pikërisht fillon edhe problemi.

Sepse Pëllumb Xhufi ende vazhdon të pohojë se unë, pra Artan Fuga, paska qenë në ekipet reformuese të Akademisë të Shkencave nisur nga vitit 200( dhe 2006. Dhe sikur të mos ishte i certifikuar si historian, thotë “sipas dijenisë sime”, a thua se historia e shkencës dhe e e institucioneve shkencore bëhet sipas asaj “që kujtoj se di unë”.

Po të mos përsëritej herë pas here kjo e pavërtetë, nuk do ta kisha vendosur ujët në zjarr, por puna është se pas kësaj shoh në vazhdimësi një përpjekje për të larë hesapet me ata që pengojnë që shkenca të përdoret për qëllime që nuk lidhen me misionin e saj.

Po të mos e quaja një lajthitje kujtesore që ndoshta fsheh zilira inkoshiente, do ta kisha quajtur shpifje dhe përhapje me qëllim pasaktësish për qëllime jo fort të florinjta.

Sado t’i duket Pëllumb Xhufit se unë kam qenë një nga reformatorët e akademisë të shkencave, sado ta ketë lënë kujtesa, deklaroj se kjo është një e pavërtetë që përdhios historinë e shkencës, e në këto kushte imagjino or mik se çfarë i bën “shkenca” historisë.

Sfida është kjo : Le të gjejë i intervistuari yt qoftë edhe një mbledhje reformuese ku kam marrë pjesë, qoftë edhe një komision ku të kem marrë pjesë me këtë synim, qoftë edhe një dëshmitar që të provojë se i kam folur qoftë edhe miqësisht për këtë çështje, qoftë edhe një dokument, letër anonime, raport, etj, që të kem nënshkruar lidhur me këtë çështje, pra qoftë edhe një provë sado të vockël që të vërtetojë thëniet e tij, dhe unë do të pranoj këtë meritë se kam kontribuar në 2005 ose 2006, në reformimin e asaj që quhej atëhere akdemi e shkencave, e që nuk ishte veçse një karakatinë, me të gjitha institutet e saj në gjendje të vajtuar, një ngrehinë sovjetike, e plakur, e ngurtësuar ideologjikisht, jashtë kohës, e drejtuar nga persona që abuzonin me pozitën e tyre në kryesinë e saj, dhe që kërkohen të merren sigurisht në mbrojtje nga i intervistuari yt.

Unë kam marrë pjesë pas reformimit të akademisë, pra pas ndarjes të saj nga institutet e albanologjisë, në auditimin që ministria e arsimit e asaj kohe u ka bërë instituteve të asaj kohe.
Ky proces auditimi raportin e të cilit e kam ruajtur dhe së shpejti do ta botoj për të parë lexuesi të gjithë lemerinë e kohës, nuk kishte të bëntë fare me reformimin e akademisë të shkencave, për të cilën kishte punuar një komision ku unë nuk kam qenë fare pjesë e tij.

Cfarë konstatuam si ekip auditimi ku merrnin pjesë edhe figura të tjera të shkencës shqiptare?

Më shumë roje, magazinierë, shofera, daktilografiste sesa shkencëtarë. Abuzime me vendet e punës për të strehuar me paga miq e militantë. Revista të pluhurosura e të pashitura në rafte, pra një abuzim me fondet. Ekspeditat shkencore në terren të harruara. Puna me ekipe shkencore e braktisur. Vlerat materiale dhe dokumentare të trashëgimisë kulturore të bëra copë. Shkencëtarë që kërkonin sekretare për të shkruajtur në kompjutera, institute dhe qendra me nga dy vetë të lodhur. Njerëz që merrnin rroga, por nuk kishin në duar studime. Sigurisht një rradhë kërkuesish shkencorë për të cilët kam respekt, të ndrojtur, tulatur dhe frikësuar nga presioni i drejtorllikut. Asambleja e akademisë krejt formale dhe pa asnjë ndikim shkencor mbi kërkimin, pa asnjë bashkëpunim nga jashtë, ndërtesat e shkatërruara e po të futeshe brenda ndihej menjëherë se ku ishte wc. Ja këto gjeta në atë akademinë e asaj kohe për të cilën ka nostalgji Pëllumb Xhufi. Eshtë e drejta e tij fundja. Dhe e gjitha kjo nën emrat e mëdhenj të Cabejit, dhe kolegëve të tij, që të mbeturit e të mbijetuarit, pasi i kishin torturuar, spiunuar, survejuar, i përdornin për ta tharë e degraduar deri në fund “lopën” e sëmurë të albanologisë.

Akademia sotme shkencore vuan nga të njejtat mentalitete sepse ashtu kanë rrjedhur punët, por ajo e atëhershmja ishte një bunker sovjetik, një bunker i modelit sllav, i atyre akademive të sotme lindore që vazhdojnë të përdoren nga shtetet përkatëse si shkopinj e kamxhiqe nacionaliste në rradhë të parë për të keq të kombit që i ushqen.

Ideologjikisht ajo akademi, sikurse janë reminishencat edhe te e sotmja, që mbetet një bunker sovjetik, kam parë lemerira epistemologjike. Gjuhësia mbështetur te vepra e Stalinit mbi çështjet e gjuhësisë e që genocidonte gjuhët specifike, jurisprudenca kishte mbetur te kushtetuta kriminale e mesit të viteve ’70 e që na serviret edhe sot si kontribut juridik, historia vazhdonte me sloganin paradigmatik : Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, në antropologji, vazhdonte të sundonte teza totalitare dhe fyese për kombin se feja e shqiptarit është shqiptaria, pra shqiptari është pa fe e moral, në ekonomi nuk kishte më shumë se mekanizmi i ri ekonomik i Titos në vitet ’60, historia e shqiptarëve nuk ndriçohej, edhe sot ashtu, nga dokumentat arkivore të institucioneve të mëdha të kohës, gjuha shqipe në fjalorin enciklopedik për të cilin ishte abuzuar rëndë me fonde, në mënyrë kriminale ishte tharë duke u thënë termave një përmbajtje ruso – sllave dhe anarkiste.

Kjo ishte akademia e atëhershme që kanë nostalgji ishat e asaj kohe. Dhe na paraqiten si të majtë pikërisht për të konservuar prapambetjen e atij bunkeri sovjetik që i gjen edhe sot e kësaj dite në shkencën e sotme shqiptare.

Por, do ta botoj atë raport. I cili fatkeqësisht u vlerësua, por nuk u muarr parasysh, sepse pop të kishte ndodhur ndryshe sot nuk do të ishim këtu ku jemi.

Do të thuash ti i dashur Xhevdet, mirë mo Tan, po unë çfarë hyj këtu?

Ja po ta them.

Sepse duke njohur integritetin tënd moral, do të kërkoja si gazetar kur të jepen fakte gjoja të vërtetë, por në fakt gënjeshtra të mëdha, sikurse ajço që unë kam punuar për reformimin e akademisë të shkencave, të kërkosh prova nga i intervistuari, dhe jo t’i marrësh të mirëqëna, duke kaluar te pyetja tjetër. Së dyti, nëse vetë nuk i verifikoje dot, minimumi etik i gazetarisë do të kërkonte për një gazetar të ri, e jo nga ty me një barrë përvoja nga jeta dhe profesioni, të ruaje atë që quhet parimi i balancimit, pra të vije të më pyesje mua publikisht. Janë minume që jam i bindur që jo për ndonjë shkak tjetër, ndonjë teori kopmloti, por thjesht se nuk ke pasur, kohë, nuk i ke respektuar këtë rradhë dhe më ke bërë të lëndohem nga ti.

Të shkuara e të harruara, unë e ti kemi parë shumë në këtë jetë dhe nuk dëgjojmë nga ai vesh. Po nuk u përballëm me të padrejtën nuk e quajmë ditën që nism cdo ditë me vullnet të Zotit.

Aq më shumë nuk ka nevojë të të them, sepse e di ti poaq mirë sa edhe unë, që pa këto parime një medie dhe një gazetë rrudhet, dhe nis e bëhet shkop në dorë për t’u hakërryer të tjerëve, një mjet presioni për të nësnhtruar vullnete dhe keqpërdorur ato, cka gazeta Dita sipas meje, as ka qenë dhe as nuk është…

Miqësisht, dhe do të dukem për ndonjë kafe të kujtojmë kohën e shkuar dhe qajmë hallet e sotme,

Artan Fuga, akademik

Lajmet e fundit nga