LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Kastriot Myftaraj/ Rrëzimi i helikopterit në liqenin e Shkodrës ishte atentat, jo aksident

18 Prill 2016, 16:43, Aktualitet CNA

Komunikata e parë zyrtare për ngjarjen, e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, e nxjerrë në orën 15: 57 minuta të datës 6 prill 2016 (ditën kur u rrëzua helikopteri) nuk thotë asgjë për vendin kur ra helikopteri. Komunikata prej tetë rreshtash nis kështu:
?Sipas planit të fluturimit helikopteri EC 145, me nr. bordi 637, me tre ekuipazh në bord, janë nisur nga Farka sot në orën 12: 10 në një fluturim stërvitor në përputhje me programin dhe planin e miratuar më parë. Në orën 13: 45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas. Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter-kërkim shpëtimi.?
Kjo komunikatë e Ministrisë së Mbrojtjes ka dalë saktësisht dy orë e 12 minuta pas humbjes së kontaktit me helikopterin. Banorët e zonës ku ra helikopteri i telefonuan Policisë së Shtetit që në momentet e para. Në atë zonë, në afërsi të vendit ku ra helikopteri, përveç postës më të afërt të Policisë së Shtetit, që është në Koplik, ka edhe postë të Policisë Kufitare (pjesë e Policisë së Shtetit). Kështu që në orën 15: 57 Qeveria tashmë e dinte prej së paku rreth dy orësh vendin e saktë se ku kishte rënë helikopteri. Komunikata e mësipërme përfundon me këto fjalë: ?Ministri i Mbrojtjes (në fjalorin zyrtar thuhet në gjininë mashkullore) dhe Ministri i Shëndetësisë janë nisur drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.?
Domethënë, në kohën që doli kjo komunikatë, ushtaraku i tretë që gjendej në helikopter, ishte dërguar tashmë në Spitalin e qytetit të Shkodrës, çka do të thotë se në vendngjarje kishin shkuar tashmë forcat e Policisë së Shtetit, si dhe helikopteri tjetër që u nis nga Tirana. Në këtë kohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm e dinin se helikopteri kishte rënë në ujë, në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Ky mund të kishte qenë fare mirë njoftimi zyrtar i vendngjarjes në ato momente. Por ata nuk mund ta thoshin këtë gjë sepse vendi ku ra helikopteri ishte shumë larg itinerarit zyrtar që duhet të kishte përshkuar ai. Aq më tepër që vendngjarja gjendej shumë pranë vijës së kufirit shtetëror, pasi në atë zonë kufiri shtetëror me Malin e Zi kalon përgjatë sipërfaqes ujore të liqenit, disa qindra metra larg bregut.
Në zona të tilla ekziston një rregull midis shteteve që aeroplanët dhe helikopterët ushtarakë fluturojnë jo më pranë se 8 km nga vija e kufirit shtetëror, për t? u shmangur incidentet. Kuptohet përveç rasteve kur këto automjete fluturuese kanë misione shpëtimi, ose detyra të tjera të ligjshme, për të cilat vihet në dijeni zyrtarisht shteti tjetër, sipas marrëveshjeve përkatëse. Në një njoftim zyrtar shtetëror nuk mund të thuhej në mënyrë të vagullt se helikopteri kishte rënë në Shkodër, se kjo do të ishte barcoletë. Prandaj dikush pati idenë ?gjeniale? që vendngjarja thjesht të mos përmendej në komunikatë, në pritje që të gjenin një zgjidhje për këtë problem, pra një gënjeshtër të cilën do ta bënin të ditur në komunikatat e tjera.
Një tjetër gënjeshtër flagrante në këtë komunikatë ishte se ?në përputhje me programin dhe planin e miratuar më parë?, siç thotë komunikata zyrtare, helikopteri nuk duhet të kishte ?tre ekuipazh në bord? (duan të thonë anëtarë ekuipazhi), por vetëm dy anëtarë ekuipazhi, dy pilotët. Përse u gënjye publikisht në një njoftim zyrtar për këtë çështje? Aq shumë i kishte rrëmbyer paniku ata që formulonin këto komunikata saqë bënin edhe gabime elementare gjuhësore, që duken të pabesueshme për një profesionist.
Fjalori i Gjuhës Shqipe, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë, viti 2006: ?Ekuipazh ( përmbledhës): njerëzit që shërbejnë në një anije, në një aeroplan.? (f. 242)
A thua, këta janë profesionistët e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe me të vërtetë ata nuk i njohin termat as në atë shkallë që duhet t? i njohë çdo shqiptar që e zotëron gjuhën shqipe, sipas fjalorit zyrtar të saj! Nejse. Në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato qeveritare në përgjithësi, mbretëronte një panic i tmerrshëm në këtë kohë, për shkak të ngjarjes. Makineria qeveritare, e ndihmuar nga ushtarakët e lartë që për turp po shkelnin betimin ushtarak, ishte vënë në veprim për të fshehur të vërtetën dhe për të krijuar dhe qarkulluar një version të gënjeshtërt për ngjarjen.
Në orën 17: 11 minuta të datës 6 prill, doli komunikata e dytë zyrtare, komunikata e përbashkët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe e Ministrisë së Mbrojtjes. Komunikata u lexua në një konferencë për shtyp nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneralmajor Jeronim Bazo. Në këtë komunikatë u hodh në qarkullim version i rremë për ngjarjen, që u bë udhëzim për krejt median dhe Prokurorinë. Në këtë komunikatë thuhej:
?Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm njoftojnë se gjatë një fluturimi rutinë stërvitor të planifikuar dhe miratuar më parë, një helikopter i forcave ajrore është aksidentuar në rajonin Grizhë të Malësisë së Madhe.?
Në këtë fjali ka dy gënjeshtra thelbësore. E para është se në komunikatë thuhet që rrëzimi i helikopterit ka qenë aksident. Si u arrit në përfundimin që ngjarja ishte aksident kur helikopteri ende nuk ishte nxjerrë nga uji për t? u ekzaminuar nga ekspertët dhe kur vetë Ministria e Mbrojtjes pohonte në komunikatën e parë të asaj dite se kontakti me pilotët ishte ndërprerë pa thënë ata se kishin ndonjë problem gjatë fluturimit, të llojit difekt teknik apo diçka tjetër? Kuptohet se shpjegimi zyrtar i rrëzimit të helikopterit si aksident, u tha për të fshehur të vërtetën. Prokuroria e Shkodrës, e cila nisi hetimet për ngjarjen e mori si të mirëqenë versionin qeveritar të aksidentit dhe nisi hetimet vetëm për të.
Kur një aeroplan ose helikopter rrëzohet në ato rrethana të helikopterit në Shkodër, pra kur ka humbur kontakti me pilotët pa kumtuar ata asgjë për ndonjë problem gjatë fluturimit, dhe nuk dihet asgjë paraprakisht për shkakun e rrëzimit, hapen zyrtarisht dy pista hetimi nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria:
1)Aksident (me tre mundësi: difekt teknik, gabim njerëzor, si dhe për shkaqe të dukurive natyrore, pra mot i keq)
2)Atentat (me dy mundësi: goditje nga toka ose bombë e vendosur në helikopter)
Helikopteri, ose më saktë mbetjet e tij, u nxorrën nga liqeni në 10 prill. Në ndërkohë Prokuroria kishte nisur hetimet mbi bazën e versionit të aksidentit.
Gënjeshtra e dytë thelbësore në këtë komunikatë ka të bëjë me vendngjarjen. Duke parë se qeveritarët po kërkonin ethshëm një vendngjarje që të kamuflonte itinerarin jozyrtar të helikopterit, dikush nga specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes pati idenë tjetër ?gjeniale? që vendi ku helikopteri kishte humbur kontaktin me Qendrën e Kontrollit të Fluturimeve, të shpallej si vendi ku ishte rrëzuar helikopteri. Helikopteri e kishte humbur kontaktin me radarët në Grizhë, kështu që Grizha u shpall zyrtarisht si vendi ku ishte rrëzuar helikopteri. Dhe e gjithë media, televizione, gazeta, portale, e morën të mirëqenë këtë version duke e përmendur Grizhën si vendin ku ra helikopteri.
Askush nga gazetarët e gazetave, televizioneve, portaleve nuk shikonte bënte përpjekje të mësonte se ku gjendej Grizha. Nëse do ta kishin bërë këtë, do të kishin vënë re se Grizha gjendej 7.5 km larg bregut të liqenit. Midis Grizhës dhe bregut të liqenit kishte disa fshatra të tjerë, ndër të cilët më i njohur ishte Bajza. Grizha u shpall si pika ku u rrëzua helikopteri se largësia nga Grizha në kufirin shtetëror përgjatë sipërfaqes së liqenit, është 8 km. Kështu thuhej se helikopteri nuk kishte devijuar nga itinerari zyrtar dhe kishte ruajtur largësinë 8 km nga kufiri.
Një gjë që të bën përshtypje në këtë histori është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk nxorrën asnjë komunikatë për ngjarjen, megjithëse forcat e Policisë së Shtetit ishin të parat që shkuan në vendngjarje, të njoftuara nga banorët. Drejtoria e Hetimit të Akteve Terroriste pranë Policisë së Shtetit nuk dërgoi asnjë grup të saj në vendngjarje, duke e marrë të mirëqenë se ishte aksident.
Në pasditen e 6 prillit, në një kohë që ende nuk ishin nxjerrë trupat e pilotëve, u mblodh Komisioni Qendror Qeveritar për Statusin ?Dëshmor i Atdheut?, që kryesohet nga Zëvendëskryeministri dhe mori vendim që të dy pilotët të shpallen dëshmorë të atdheut. Në të vërtetë, me këtë vendim i shpallën të vdekur pilotët para se të vërtetohej vdekja e tyre.
Vetëm në 10 prill, në komunikatën e përbashkët zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm, thuhet më në fund se helikopteri kishte rënë në Liqenin e Shkodrës:
?Gjatë paradites së sotme polumbarë të Policisë së Shtetit dhe atyre të Forcave të Armatosura si dhe mjete të tjera logjistike kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të dëmtuar të helikopterit nga liqeni?
Askush në media nuk pyeti se si ndodhi që një helikopter për të cilin u tha zyrtarisht se kishte rënë në Grizhë, 7.5 km në vijë ajrore larg bregut të liqenit, u nxorr nga liqeni?!

FABULA E AKSIDENTIT, E SHPËRNDARË NGA PROKURORIA PARAPRAKISHT, SIPAS VERSIONIT QEVERITAR
Pasi Prokuroria pranoi versionin zyrtar qeveritar të aksidentit, si shkakun e vetëm të rrëzimit të helikopterit, nisi të shpërndajë fabula në media, me këtë përmbajtje. Prokuroria si gjithmonë këtë gjë e bën kryesisht me anë të disa të ashtuquajturve gazetarë investigues, të cilët quajnë ?investigim? atë që pinë një kafe me Prokurorin apo me oficerin e Policisë Gjyqësore dhe atë fabul që iu tregojnë ata për interesat e tyre, ia shesin publikut për gazetari investiguese.
Fabula e aksidentit, e Prokurorisë është sajuar nga eksperët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe i është dhënë Prokurorisë që ta qarkullojë në media si të dhëna që dalin nga burimet hetimore. Fabula është:
Helikopteri pësoi një difekt teknik në bisht kur ishte duke fluturuar dhe përk këtë shkak pati një zjarr brenda helikopterit. Në këto rrethana pilotët deshën ta ulin helikopterin mbi sipërfaqen e ujit me qëllim që të fiknin zjarrin. (Sipas logjikës së prokurorëve, duke mbushur ujë me kova.)
Kur slitat e helikopterit kanë takuar në ujë, platforma prej gome e mbushur me ajër (float) e anës së majtë, e cila duhet të hapet në raste të tilla, nuk është hapur dhe kabina e helikopterit ka takuar në sipërfaqen e ujit. Helika e helikopterit ka takuar në fundin e liqenit. Pilotët, të traumatizuar nga përplasja, nuk kanë mundur që të zbërthejnë rripat e sigurimit dhe janë mbytur. Shpërthimet në helikopter për të cilët flasin banorët, mund të kenë ndodhur si pasojë e shpërthimit të depozitave të karburantit.
Një nga detajet thelbësore të kësaj fabule është se thellësia në pikën ku ra helikopteri në liqen ishte gjashtë metra. Në të vërtetë, fotografitë nga vendngjarja, të bëra gjatë nxjerrjes së helikopterit, të cilat u paraqitën në emisionin ?Zonë e Lirë? në Tv Klan, në 15 prill gjatë debatit për këtë çështje, ku isha pjesëmarrës, dhe të cilat mund t? i shikoni në videon e emisionit, tregojnë se thellësia në vendin ku kishte rënë helikopteri nuk ishte më shumë se treçerek metri. Në foto duket se kamioni që mbante vinçin që u përdor për nxjerrjen e helikopterit ka hyrë në ujë deri fare pranë helikopterit të zhytur, dhe rrotat e tij janë zhytur në ujë vetëm pak më tepër se lartësia mesatare e tyre. Madje duken dhe njerëz që qëndrojnë në këmbë në pikën ku po nxirret helikopteri, të cilëve uji iu arrin afër mesit të lartësisë së trupit të tyre. Mbetjet e helikopterit dukeshin të zhytura më thellë se 0.75 metra për shkak se gjatë ditëve të qëndrimit në ujë, për shkak të peshës së tij, helikopteri ishte zhytur gradualisht në llumin e fundit të liqenit.
Thellësia gjashtë metra e zhytjes duhej në fabulën e përbashkët të Qeverisë dhe Prokurorisë, që të mund të arsyetohej mbytja e pilotëve. Kabina e helikopterit e ka lartësinë 3. 2 metra. Nëse helikopteri është anuar majtas, kjo do të thotë që piloti i anës së djathtë është ngritur në një lartësi më të madhe se kolegu që është zhytur. Nëse nuk është hapur float prej gome i anës së majtë, ai i anës së djathtë është hapur. Kjo do të bënte që pjesa e djathtë e kabinës të mbetej së paku për disa minuta mbi ujë edhe në një thellësi më të madhe se gjashtë metra.

PSE ËSHTË I PAVËRTETË VERSIONI i QEVERISË DHE PROKURORISË PËR RRËZIM AKSIDENTAL

Banorët e zonës ku ra helikopteri, të cilët janë dëshmitarë të besueshëm edhe për faktin që vunë jetën në rrezik për të shpëtuar jetën e atyre që ishin në helikopter, si dhe ushtari profesionist Gerald Baramuça, i cili u shpëtua pikërisht nga këta banorë, bashkohen në një pikë në thëniet e tyre, që helikopteri ishte duke fluturuar shumë ulët në momentet para se të binte. Baramuça, në intervistën e parë dhe të vetme që dha pas ngjarjes, tha se helikopteri ishte duke fluturuar në lartësinë 10-20 metra. Banorët thanë se helikopteri ishte duke fluturuar shumë ulët dhe gati sa s? prekte çatitë e shtëpive.
Fuqia e përplasjes varet nga tre faktorë:
1)Lartësia në të cilën gjendet helikopteri.
2)Shpejtësia me të cilën fluturon helikopteri.
3)Natyra e sipërfaqes ku ndodh përplasja.
Në këtë rast, lartësia ka qenë minimale, shpejtësia detyrimisht e ulët për shkak të lartësisë, sipërfaqja e butë, ujë me thellësi minimale dhe llum poshtë tij. Prandaj përplasja ka qenë e papërfillshme për këtë lloj helikopteri.
Në shkurt të këtij viti një helikopter që fluturonte në lartësi të ulët në bregdetin e Pirl Harbour në SHBA, ra në ujë. Për të parë videon mjafton të shkruani në Youtube Tourist helicopter crashes into ëater in Hawaii ? video. Në këtë video do të shikoni se helikopteri nuk shpërbëhet kur bie në ujë nga një lartësi e vogël. Nuk shpërndahen gjithandej pjesë përbërëse të tij. Në video duket qartë se helikopteri qëndron i zhytur në ujë, i padëmtuar. Në video gjithashtu duket qartë se helikopteri ka një defekt në pjesën e bishtit të tij, që e ka çbalancuar atë dhe e ka bërë të bjerë. Helika kryesore funksionon normalisht deri në momentin e rënies së helikopterit.
Në rastin tonë, dëmtimet e helikopterit që duken në fotografi, nuk mund të jenë shkaktuar nga përplasja, në rrethanat ku ndodhi ajo, por vetëm nga një shpërthim eksplozivi brenda në helikopter. Një ndër elementët e sistemit të sigurisë të helikopterit EC 145 është se pilotët njoftohen nëse dyert e pjesës së pasme të kabinës janë hapur. Dyert fundore të pjesës së prapme të kabinës, të quajtura clamshell, që janë veçori e këtij helikopteri, nuk mund të happen gjatë fluturimit për shkak se ato nuk janë me hapje me rrëshqitje, por janë dy dyer që hapen me shtyrje para. Prandaj është absurde të thuhet që pilotët e trainuar kanë fluturuar me dyert fundore të hapura.
Ky lloj helikopteri është i pajisur me tankera karburanti që janë rezistentë ndaj përplasjes. Ai është i pajisur me sistem të sinjalizimit dhe të fikjes së zjarrit, që posaçërisht sinjalizon kur ndizet zjarr në motor ose në rrjetin elektrik. Në këtë rast piloti mund të bëjë ndërprerje emergjente të furnizmit të motorit me karburant. Helikopteri është i pajisur me dy sisteme të pavarur të ftohjes së karburantit dhe të sistemit të lubrifikimit të motorëve.
Në çdo rast, pilotët ishin të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për ta fikur zjarrin e mundshëm që në ajër duke vënë në funksionim sistemet përkatëse, pa pasur nevojë ta ulnin helikopterin mbi sipërfaqen ujore të liqenit, për të marrë ujë për fikur zjarrin. Pilotët, të lidhur me rripa sigurie në kolltukë, me helmeta, të gjendur në kabinë të llogaritur për të përballuar përplasje më të rënda se ajo që vjen nga animi i kabinës për shkak se nuk u hap platforma e gomës e anës së majtë, këta pilotë të trainuar për të përballuar situata shumë më të vështira, nuk mund të mbyteshin si pula në një përplasje me fuqi minimale, në treçerek metri ujë me llum, nga 10-20 metra lartësi. Së paku jo të dy.
Në 9 prill, tre ditë pas ngjarjes, doli një tjetër komunikatë e Ministrisë së Mbrojtjes ku thuhej:
?Ministri i Mbrojtjes ka nisur një hetim administrative. Të gjitha informacionet që do të dalin nga ky hetim administratim do t? i vihen hap pas hapi në dispozicion prokurorisë.?
Nga ky njoftim u kuptua se edhe tre ditë pas ngjarjes prokurorët vazhdonin të punonin nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila pasi iu përcaktoi pistën e hetimit, tashmë iu kishte vënë filtra për provat që do t? ua dorëzonte sipas dëshirës së saj.
Në 10 prill një komunikatë e përbashkët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Shtabit të Përgjithshëm njoftoi se atë paraditë ishte nxjerrë trupi i helikopterit, ose më saktë çfarë kishte mbetur prej tij. Nga helikopteri 10.5 metra i gjatë, ku vetëm kabina ishte 6.2 metra e gjatë dhe 3.2 metra e lartë, u nxorrën vetëm një pjesë e kabinës dhe një copë e bishtit, që u ngarkuan të mbështjella me mushama në një kamion ushtarak ?Iveco?, karroceria e të cilit është 4.2 metra e gjatë. Këto ishin mbetje të helikopterit të rrëzuar me një shpërthim me lëndë plasëse, jo të aksidentuar sipas versionit qeveritar.
Fabula me difekt teknik në bishtin e helikopterit u sajua duke iu referuar një aksidenti që kishte pasur një helikopter EC 145 në Francën Jugore, në 2003, 13 muaj pasi ky lloj helikopteri kishte hyrë në përdorim. Është një e vërtetë e njohur për ekspertët e fushës se kur helikopteri rri i ndaluar në ajër për një kohë të gjatë rrezikon që t? i prishet helika e bishtit. Ky ishte dhe shkaku i rrëzimit të helikopterit në 2003. Që atëherë te EC 145 u bënë përmirësime pikërisht në helikën e bishtit. Por gjithsesi, qëndrimi i ndaluar i helikopterit në ajër për një kohë të gjatë është i pakëshillueshëm në çdo lloj helikopteri. Në rastin tonë nuk kishte arsye përse helikopteri të qëndronte sadopak i ndaluar në ajër, kur ai nuk ishte duke kryer ndonjë mision kërkim-shpëtimi në liqen. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse pilotët do të donin të vëzhgonin me sy terrenin poshtë tyre. Por helikopteri ishte i pajisur me videokamera që filmojnë gjithcka poshtë tij dhe këto mund të shihen nga pilotët në kohë reale.

E VËRTETA E KUTISË SË ZEZË
Ekspertët ushtarakë të nxjerrë nga Qeveria në studiot televizive me misionin e gënjeshtarit publik, thanë se kutia e zezë e këtij helikopteri nuk ka regjistrues zëri. Një komunikatë zyrtare e Shtabit të Përgjithshëm e datës 10 prill, nuk bënte fjalë as për kuti të zezë, por vetëm për një kamerë regjistruese. Komunikata ishte e formuluar me shumë djallëzi:
?Ekspertët e kompanisë prodhuese Eurocopter si dhe ekspertë ushtarakë amerikanë të specializuar për këtë lloj helikopteri, të thirrur nga Ministria e Mbrojtjes për të asistuar në zbardhjen e ngjarjes kanë asistuar grupin hetimor të thirrur nga prokuroria për të nxjerrë kamerën regjistruese. Që nga ai moment kamera regjistruese është vënë në dispozicion të prokurorisë.?
Kur dikush gënjen, logjikën e gënjeshtrës e ndërton duke pasur parasysh se cilin kërkon të gënjejë. Propaganda komuniste, shkollën e së cilës kanë bërë fabrikuesit e këtyre gënjeshtrave zyrtare, gënjeshtrat i ndërtonte duke llogaritur popullsinë e gjerë injorante. Në rastin e helikopterit çfarë vlere ka kjo lloj gënjeshtre.
Ajo që në fjalorin medial dhe popullor quhet ?kuti e zezë? është një videoregjistrues dhe audioregjistrues i veprimeve dhe komunikimeve brenda kabinës së helikopterit. Në fjalorin ndërkombëtar të aviacionit njihet me akronimet CVFDR (Cockpit Voice and Flight Data Recorder). ?Cockpit? quhet pjesa e kabinës ku rrinë pilotët.
Që nga viti 2010, në këtë lloj helikopteri instalohet një nga sistemet më modern në botë CVFDR, i quajtur Vision 1000.
Sistemet elektronike të drejtimit dhe monitorimit të aeroplanëve dhe helikopterëve quhen Avionics Solutions. Helikopteri EC 145 ka gjashtë versione të Avionics Solutions, përkatësisht A1, A2, B1, B2, B3, C.
Për Avionics Solutions B1, B2 dhe B3 CVFDR futet në listën e pajisjeve të minimumit të kërkuar.
Për Avionics Solutions A1 dhe A2 mund të jetë një pajisje shtesë, opsionale.
Helikopteri Ec 145 që u rrëzua në breg të liqenit të Shkodrës ishte i pajisur vetëm me Flight Data Recorder por jo me Cockpit Voice Recorder. Këtij helikopteri i mungonte CVR sepse kur Qeveria ?Rama? bëri kontratën për të në 2014, qëllimisht nuk e deshi këtë pajisje, pasi ajo regjistron zërat kudo ku ka mikrofona, domethënë mund të regjistrojë edhe bisedat në pjesën e pasme të kabinës.
Në vitin 2014, Qeveria Shqiptare i bëri një ndryshim kontratës së lidhur me kompaninë ?Eurocopter? për blerjen e helikopterëve. Me ligjin nr. 106, Kuvendi në 31 korrik 2014 ratifikoi ndryshimin e kontratës së lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kompanisë ?Eurocopter?(këto lloj kontratash miratohen dhe ndryshohen me ligj të posaçëm). Sipas ndryshimit të kontratës të ratifikuar me ligj: ?Palët bien dakord që helikopteri AS 532 Al Cougar të zëvendësohet me dy helikopterë të rinj EC 145, të shoqëruar me paketën mbështetëse sipas termave dhe kushteve të parashikuara sipas këtij amendimi.?
Dhe sipas termave, pala blerëse, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë nuk kërkonte CVFDR (Cockpit Voice and Flight Data Recorder), por vetëm Flight Data Recorder. Domethënë nuk kërkohej që helikopteri të ishte i pajisur me kuti të zezë që regjistronte edhe komunikimin e pilotëve dhe atë nëpërmjet mikrofonëve të tjerë në kabinë, por vetëm videoregjistrimin e veprimeve të pilotëve dhe në përgjithësi të pamjes së monitorëve të kabinës së pilotëve.

FABULA QEVERITARE E LIDHJES MES HELIKOPTERIT EC 145 DHE HELIKOPTERIT TË SHEGA TRANS
Fabrikuesit e gënjeshtrave për llogari të Qeverisë ?Rama? u munduan që të sajojnë një fabul për të justifikuar fluturimin e helikopterit EC 145 mbi liqen, duke thënë se ai kishte ndryshuar itinerar pasi kishte marrë urdhër që t? i vinte në ndihmë një helikopteri privat të kompanisë ?Shega Trans?, që ishte duke kryer një fluturim në zonën e Shkodrës për të kryer një punë në Vermosh. Kjo fabul ishte shumë fëminore. Përse duhej që helikopteri privat, i cili kishte si destinacion Vermoshin, të fluturonte mbi liqen, një një zonë ku kufiri shtetëror kalon shumë afër bregut shqiptar të liqenit? Përse nuk thuhet emri i pilotit të helikopterit të ?Shega Trans? që supozohet të ketë kërkuar ndihmë? Të gjithë ata që kanë lidhje me fluturimin në Shqipëri, si profesionistë, e dinë se shefi i zyrës së Sigurisë së Fluturimeve, i cili duhet të kishte nënshkruar planin e fluturimit të Helikopterit EC 145, punon si pilot privat helikopteri për kompaninë ?Shega Trans?. Në këtë rast bënte një një punë të dytë private, në kundërshtim me ligjin. Në vend të këtij personi planin e fluturimit e kishte nënshkruar vartësi i tij.

ATENTATI ME EKSPLOZIV DHE BOMBË MANJETIKE
Dëshmitarët në vendngjarje në intervistat e para dhe të vetme që dhanë ditën e ngjarjes (se më pas u terrorizuan nga Policia e Shtetit që të heshtin), thanë se në helikopter pati shpërthime që kur ishte në ajër, para se të rrëzohej. Këta dëshmitarë janë të besueshëm sepse ata janë edhe heronjtë në këtë histori, pasi vunë jetën në rrezik për të shpëtuar njerëzit që gjendeshin në helikopter dhe arritën të shpëtojnë njërin prej tyre. Duke qenë se helikopteri fluturonte shumë ulët shpërthimet mund të dëgjoheshin qartë nga poshtë. Me shpërthimet shpjegohen dëmtimet e helikopterit që nuk mund të shpjegohen me teorinë e rrëzimit aksidental. Rrëzimi i helikopterit me shpërthim do të thotë se është rrëzuar në një atentat terrorist.
Atentati mund të bëhej në dy mënyra. Me goditje nga toka dhe me shpërthim me lëndë plasëse të vendosur në trupin e helikopterit nga brenda ose nga jashtë. Në rastin e parë, atë të goditjes nga toka, në raste të tilla përdoren raketa tokë-ajër, shpesh edhe ato të lëshuara me raketëhedhës supi (e njohur rëndom me akronimin në rusisht si RPG që nga koha e Luftës në Afganistan në vitet 80). Këto lloj raketash funksionojnë në atë mënyrë që pas lëshimit e ndjekin objektin fluturues, duke shënjestruar pjesën më të nxehtë të tij, pra motorin. Helikopteri e ka motorrin në pjesën e sipërme, mbi kabinën e pilotëve, kështu që një goditje me raketë do të kishte shkatërruar pjesën e përparme të helikopterit, gjë që nuk ka ndodhur. Në rastin e këtyre lloj helikopterësh, që nuk janë të blinduar, një goditje me RPG në motor e shndërron helikopterin në një top zjarri, që në ajër, gjë që nuk kanë ndodhur.
Prandaj, si version më bindës mbetet ai që helikopteri është rrëzuar si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde shpërthyese të vendosur brenda tij, pa dijeninë e pilotëve. Banorët e zonës që kanë qenë dëshmitarë dhe të cilët nuk kanë arsye pse të gënjejnë sepse rrezikuan jetën në një mision vullnetar shpëtimi, kanë thënë se ushtari Gerald Baramuça u hodh nga helikopteri që në ajër. Kjo duket e besueshme sepse ai nuk do të mund të kishte shpëtuar gjallë nëse do të kishte qenë në helikopter kur ai ra, duke pasur parasysh dëmtimet që kishte pësuar helikopteri. Baramuça është ushtar profesionist i stërvitur për të reaguar në situata të tilla, kështu që një hedhje nga 10-20 metra lartësi në një sipërfaqe të butë me ujë dhe llum, nuk ka qenë ndonjë sfidë shumë e vështirë për të.
Është shumë e dyshimtë që ky person u lejua që të japë një intervistë për një gazetë të nesërmen e ngjarjes, që nga spitali, në ndërkohë që ai ishte nën mbikqyrje shumë të rreptë policore dhe nuk lejohej asnjë gazetar që t? i afrohej atij në spital. Këtë intervistë u lejua që ta jepte për të përgënjeshtruar thëniet e banorëve se ai ishte hedhur nga helikopteri para se ky të rrëzohej në breg të liqenit. Por version i Baramuçës i dhënë në këtë intervistë është i pabesueshëm, aq më tepër që, kur ai u pyet më pas nga oficerët e Policisë Gjyqësore, për llogari të hetimeve të Prokurorisë, tha se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja.
Në intervistën e tij të vetme, atë për ?Gazeta Shqiptare?, në 8 prill, Baramuça thotë: ?Isha i ulur në pjesën e prapme. Në vesh kishim vendosur kufjet dhe unë isha duke bërë një video me celularin tim. Kur helikopteri ra në liqen, direkt kam dalë nga kabina dhe notova në ujë.?
Ai nuk shpjegon se si ka dalë ?direkt? nga kabina, nëpërmjet cilës derë dhe përse e kishte të nevojshme të notonte atje ku uji nuk i arrinte as në mes të trupit, cilado që të ketë qenë shtatlartësia e tij. Përse u largua ai në drejtim të liqenit dhe jo të bregut, të cilin e kishte më afër? Përse nuk ndaloi që t? u jepte ndihmën e parë pilotëve?
Helikopteri u zhduk nga radarët që në Grizhë, 7.5 km larg vendit ku u rrëzua, sepse në Grizhë nisi të fluturonte në lartësi shumë të ulët, me qëllimin e qartë për t? iu shmangur radarëve. Arsyeja ishte se helikopteri duhet t? i shmangej itinerarit zyrtar për të ndjekur një itinerar illegal në kufirin me Malin e Zi, ku duhet të çonte një ngarkesë ilegale me para cash të destinuara për të shkuar me ngut në qendrat e offshoringut, nëpërmjet Malit të Zi. Kjo për shkak të realiteteve të reja që krijoi në botën e offshoringut publikimi i Panama Papers. Jo rastësisht ngjarja me helikopterin ndodhi tre ditë pas publikimit të Panama Papers. Dëshmitarët kanë thënë se helikopteri ishte duke ardhur nga drejtimi i Malit të Zi. Udhëtimi i helikopterit në Mal të Zi bëhej me pëlqimin e autoriteteve malazeze, çka nuk është çudi në një vend ku përdorimi i shtetit për punë të tilla, është normë. Shteti malazez i kontrolluar nga Gjukanoviç, tash një çerekshekulli, ka krijuar logjistikën e nevojshme për transportin cash të parave nga Ballkani në qendrat e offshoringut. Dikush donte ta mbyllte linjën Tiranë-Podgoricë të kësaj veprimtarie. Për këtë u bë atentati ndaj helikopterit, që e kompromentoi këtë linjë në sytë e atyre që dinë e kuptojnë më shumë se të tjerët.
Këto janë arsyet që autoritetet e Malit të Zi heshtin për rrëzimin e helikopterit dhe nuk iu kërkojnë shpjegime zyrtarisht autoriteteve shqiptare, se përse ky helikopter ushtarak fluturonte në skaj të kufirit shtetëror, në lartësi shumë të ulët, çka do të thotë se nuk kapej as nga radarët malazezë dhe mund të ketë kapërcyer edhe vijën kufitare gjatë trajektores së fluturimit. Mali i Zi, ka shumë për të fshehur në këtë histori, jo më pak se Tirana zyrtare.

Lajmet e fundit nga