LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Konsumi i shqiptarëve ra gjatë vitit 2015, për herë të parë që nga 1998

18 Prill 2016, 18:01, Aktualitet CNA

Konsumi final i Shqipërisë ra me 0.5 për qind gjatë vitit 2015, si pasojë e rënies së konsumit final të popullsisë me 0.17 për qind dhe rënies së konsumit final të adminstratës publike me 2.75 për qind, bëhet e ditur nga të dhënat e llogarive kombëtare të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave.

Konsumi ka qenë forca udhëheqëse e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto përgjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri dhe rënia e konsumit në terma realë gjatë vitit 2015 ndodh për herë të parë që nga viti 1998.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.6 për qind në terma realë sipas metodës së prodhimit, si pasojë e shtimit të investimeve.

Instituti i Statistikave e mat Prodhimin e Brendshëm Bruto përmes metodës së prodhimit dhe asaj të konsumit. Matja me metodën e konsumit e nxjerr PBB-në si rezultat i konsumit plus investimet plus eksportet, minus importet.

Konsumi final ka qenë në nivele shumë të ulëta që nga viti 2009, kur Shqipëria u përfshi nga kriza e përgjithshme ekonomike dhe financiare botërore. Konsumi qe rritur me mesatarisht 6 për qind në vit në periudhën 2000-2007 ndërsa u rrit me mesatarisht 1.3 për qind në periudhën 2009-2015.

Problemi me buxhetin e shtetit

Shkaku kryesor i rënies së konsumit duket se lidhet me rënien e konsumit nga ana e administratës publike në masën 2.75 për qind, ndërkohë që rënia e konsumit final të popullatës qe vetëm 0.17 për qind. Përgjatë viteve të fundit është vërejtur se rritja e shpenzimeve të qeverisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit edhe të popullatës, gjë që nuk ndodhi gjatë vitit 2015. Qeveria nuk qe në gjendje të realizonte planin e vet të të ardhurave buxhetore, (të ardhurat finale qenë rreth 260 milionë euro më pak se sa plani fillestar), gjë që e detyroi qeverinë të ngurtësojë shpenzimet për të ruajtur të pandryshuar masën e deficitit buxhetor.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa lavdëroi përpjekjet për ruajtjen e deficitit, e kritikoi qeverinë për faktin se ruajtja e deficitit po bëhej përmes uljes së shpenzimeve, gjë që në fund, e dëmton ekonominë.

Situata pritet të jetë edhe më e pasigurt këtë vit, pasi qeveria ka planifikuar të ulë më tej shpenzimet publike në krahasim me vitin e kaluar. Pagat e sektorit publik pritet të vijojnë të jenë ?të ngrira? edhe për së paku dy vjet ndërsa pensionet pritet të indeksohen me normën e inflacionit pa rritje reale. Shpenzimet e qeverisë për investime pritet të vijnë në pakësim përgjatë viteve të ardhshme./BIRN

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

Lajmet e fundit nga