LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Kastriot Myftaraj/ Si mund të nisë një vizitë zyrtare në SHBA me takimin me komunitetin bashkëkombasve?

10 Prill 2016, 21:34, Aktualitet CNA

Kryeministri Edi Rama ka vendosur sot këtë status në faqen e tij zyrtare në Facebook, me rastin e vizitës së tij në SHBA:
?Vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara nis nga Nju Jorku, me një takim të veçantë me diasporën shqiptare në metropolin amerikan, për të lançuar edhe projektin e Samitit të Parë Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare, në nëntor të këtij viti në Tiranë.?
Kështu shkruan Kryeministri ynë, i cili në fillim të marrjes së kësaj detyre tha nga foltorja e Kuvendit ?Prisni se nuk keni parë gjë akoma!?
Ja tek pamë edhe një ?vizitë zyrtare? në SHBA e cila nis me një takim me komunitetin e bashkëkombësve, në këtë rast atë shqiptaro-amerikan! Në cdo vizitë zyrtare në SHBA të liderëve të botës, ndalesa e parë për takime është kryeqyteti Washingtoni. Çdo vizitë zyrtare në SHBA nis me pjesën zyrtare të axhendës, në kryeqytetin amerikan. Përveç rastit kur vizitori dëshiron të ulë rëndësinë e takimit me autoritetet zyrtare amerikane, duke i quajtur marrëdhëniet ndërshtetërore më pak të rëndësishme se ato me komunitetin e bashkëkombasve të tij në SHBA, ose kur kërkon bëjë diversion politik në vendin ku shkon. Kështu disa vite më parë, Presidenti i Kinës e nisi një vizitë në SHBA me takime në skajin perëndimor të SHBA, para se të shkonte në Washington, që gjendet në skajin lindor. Është e vërtetë që ai erdhi nga Kina në Bregun Perëndimor Amerikan, atë të Oqeanit Paqësor, por meqënëse ishte një vizitë zyrtare, këto takime mund t? i bënte fare mirë në kthim. Presidenti kinez donte të jepte një kumt diversiv politik se pjesa lindore e SHBA ka më shumë rëndësi se pjesa perëndimore ku gjenden qendrat e pushtetit politik.
Kryeministri Rama sigurisht që nuk ka arsye të tilla, madje ai do të dëshironte që nga aeroporti të shkonte drejt e në Shtëpinë e Bardhë, nëse axhenda e vizitës do të varej prej tij. Për këtë arsye, ndalesa e parë e Ramës në vizitën e tij në SHBA, duhet të ishte Washingtoni. Axhenda e vizitës së Ramës në SHBA është qartësisht anormale. Kjo gjë ka ndodhur sepse Rama nuk është i ftuar në vizitë zyrtare në SHBA. Në një vizitë zyrtare, një veprim i tillë do të interpretohej si shenjë me të cilën Kryeministri shqiptar dëshiron të tregojë se marrëdhëniet shtetërore me SHBA, kanë rëndësi më të vogël se ato me komunitetin shqiptaro-amerikan. Në një vizitë jozyrtare, thjesht nuk ka vend për t? u bërë një interpretim i tillë.
Dikush mund të thotë se vizita është zyrtare sepse Rama do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Jo. Një vizitë e një kryetari shteti ose qeverie në SHBA është zyrtare nëse ai pritet me state arrival ceremony, që është një procedurë ceremoniale posacme. Në rastin e Ramës nuk është parashikuar një pritje e tillë. Në Shtëpinë e Bardhë mund të hyjë kushdo si vizitor, e ndër ta ka shumë që takojnë Presidentin, por kjo nuk do të thotë se kanë qenë të ftuar zyrtarisht atje.
Statusi i mësipërm i Ramës tregon se ai nuk respekton as gjuhën zyrtare të vendit të tij, pra gjuhën shqipe. Ai përdor fjalë si ?lançuar? dhe ?samiti?, që janë huazime të panevojshme gjuhësore të fjalorit të gazetarëve mediokër të Tiranës, dhe që në fjalorin e kryeministrit janë krim gjuhësor.
Kryeministri Rama nuk di as kuptimin e fjalëve që përdor në këtë status. Ai shkruan: ?Samiti i Parë Mbarëkombëtar i Diasporës Shqiptare?. Si mund të jetë mbarëkombëtar takimi i Diasporës Shqiptare? Fjala ?diasporë?, në rastin e kombit shqiptar, ka kuptimin e pjesës së kombit që jeton në botë, duke u përjashtuar pjesa e kombit brenda shtetit amë dhe në trojet autoktone shqiptare përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Nëse mbahet një mbledhje mbarëkombëtare, kjo është një gjë tjetër nga mbledhja e diasporës.

Lajmet e fundit nga