Connect with Us

Basha në SHBA, vizitë e pagjasë

Opinione

Basha në SHBA, vizitë e pagjasë

Publikuar

-

NGA PREÇ ZOGAJ

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përfundoi në fundjavë vizitën e tij disaditore në Uashington me një axhendë të pasur takimesh në Shtëpinë e Bardhë, në Senat, në Kongres dhe së fundi në Departamentin e Shtetit, ku u prit dhe zhvilloi bisedime me zëvendëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, një zyrtare elitare e politikës së jashtme amerikane.

Si të gjitha vizitat e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë në SHBA apo të homologëve të tyre amerikanë në Shqipëri, kjo e Bashës është një ngjarje shumë e rëndë- sishme për vendin tonë, për marrëdhëniet mes dy vendeve, për opozitën shqiptare gjithashtu. SHBA-të janë miqtë më të mirë që kemi. Dora amerikane është për ne leva e paçmuar e sigurisë. Demokracia jonë merr frymë fuqishëm në segmentin Uashington-Tiranë.

Sa më shumë të shkojmë e të vijmë, sa më shumë të japim e të marrim në të gjitha nivelet dhe fushat me këtë fuqi të madhe të lirisë dhe demokracisë, aq më mirë është për ne dhe për brezat pas nesh. Përtej këtij kuadri të përgjithshëm, që mbushet me jetë në dinamikën e marrëdhënieve intensive mes dy vendeve, vizita e Lulzim Bashës ka veçoritë e saj.

Ajo është vizita e parë e një shefi të opozitës shqiptare në Uashington me një axhendë takimesh e bisedimesh të një niveli kaq të lartë. Për herë të parë kreu i forcës alternative të qeverisë dhe kandidati i opozitës për Kryeministër pritet dhe zhvillon bisedime formale me numrin dy të Departamentit të Shtetit.

Kjo duhet kuptuar drejt dhe thellë, me realizëm e profesionalizëm, jashtë shablloneve me mburrje dhe truke meskine, që rëndom janë një zakon i politikanëve provincialë e dinakë për t’u shitur para gjindjes së pashkollë sikur superfuqia e botës nuk di ku t’i verë. E denjë dhe plot përmbajtje, vizita e Lulzim Bashës nuk ka nevojë për asnjë lloj truku për t’u dukur e rëndësishme.

Ajo është në vetvete e tillë. Ajo duhet kuptuar pikësëpari si shprehje e një afrimi dhe konfidence akoma më të madhe të politikës amerikane me Shqipërinë, konfidencë e cila i vë në një plan dhe i trajton si duart e një trupi opozitën dhe shumicën. Nga ky këndvështrim ka arsye të falënderojmë SHBA, e cila, në thyerje apo më saktë në zhvillim të disa standardeve protokollare që promovojnë me përparësi marrëdhëniet qeveriqeveri, i ka ofruar opozitës shqiptare statusin e një forcë drejtuese gjithashtu. Kjo është shumë e rëndësishme për një vend të mbërthyer nga korrupsioni dhe arbitraritetit në sistem.

Njohja dhe promovimi i veçantë i aksionit pozitiv opozitar në këtë kontekst e ndihmon shumë Shqipërinë për daljen nga gjendja e rëndë. Sepse është promovimi i alternativës, i forcës mbartëse të zgjidhjes. Njëherësh, kjo është e rëndësishme edhe për miqtë amerikanë për të identifikuar e kredituar në Shqipëri partnerë të përgjegjshëm me formim demokratik, me të cilët mund të punohet sot dhe nesër në të mirë të vendit dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Së dyti, hapja e dyerve dhe pritja me respekt e kreut të opozitës në SHBA duhet kuptuar në kontekstin e nismave gjithëpërfshirëse me bashkautorësi apo pa bashkautorësi amerikane në Shqipëri, që duan shumicë të cilësuar apo ndryshime kushtetuese, siç janë ligji i dekriminalizimit, reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Ky është triniteti i shpëtimit të demokracisë së re shqiptare nga rreziqet që e kërcënojnë.

SHBA-të duan ta ndihmojnë dhe po e ndihmojnë Shqipërinë në këtë sfidë jetike me të njëjtin vizion e përkushtim, siç e kanë ndihmuar në të kaluarën në kushte të tjera, për pavarësinë e saj, për hyrjen në NATO, për çështjen kombëtare e tjerë.

Ata e kanë bërë të qartë se këtyre ligjeve nuk u mjafton një shumare aritmetike votash, por u lipset gjithëpërfshirja, konsensusi, vullneti i hekurt i qeverisë dhe opozitës për t’i votuar e zbatuar pa marrë parasysh çmimin, që në të gjitha rastet nuk është asgjë përpara çmimit të lartë që i paguan demokracia sot pandëshkueshmërisë, kriminalizimit dhe korrupsionit në sferat e larta.

Amerikanët i kanë njohur Lulzim Bashës meritën e protagonizmit për të konceptuar e çuar drejt finalizimit ligjin e dekriminalizimit. Ata e kanë mbështetur fuqishëm këtë nismë ligjore përmes ambasadorit Donald Lu në Tiranë. Në Uashington ka qenë rasti për të ndarë gëzimin e përbashkët për ligjin e miratuar dhe vendosmërinë për zbatimin e tij të shpejtë.

Nuk ka dyshim se reforma në drejtësi ka qenë në qendër të bisedimeve të Bashës në Departamentin e Shtetit. Pasi ka kaluar nëpër rebuse dhe spekulime të shumta në Tiranë, kjo reformë ka ardhur doradorës në kornizën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Faktet tregojnë se në rrugën drejt këtij zhvillimi opozita e Bashës për të evituar kapjen e drejtësisë nga politika ka fituar me shumë beteja se sa retorika e palës tjetër për të kaluar një reformë me bisht duke spekuluar me domosdoshmërinë e saj.

Fitorja e fundit është ajo e dialogut politik me shumicën për rekomandimet e hapura të “Venecias”, të cilën Basha e njoftoi nga Uashingtoni pas takimit ne zonjën Nuland. Dialogu i krijon mundësi opozitës të mbajë rolin e faktorit vendimtar për këtë reformë, duke shërbyer në një gjatësi vale me partnerët amerikanë dhe europianë përfundimin e saj. Ç’vjen nga Uashingtoni, është e mirë për ne.

Ky parim nuk ka na ka zhgënjyer e s’do të na zhgënjejë as në të ardhmen. Nga ana e tij, Basha ka kërkuar dhe ka marrë mbështetjen amerikane për zgjedhjet e lira e të ndershme në kushtet e kërcënimit të tyre nga mali i parave të pista të krimit dhe korrupsionit. Reforma zgjedhore do të japë disa përgjigje kyçe për perspektivën e zgjedhjeve të radhës, por realisht, sot, pas zotimeve që ka marrë Uashingtoni, ka arsye të kemi më pak frikë se dje për shkatërrimin e zgjedhjeve.

Së treti, vizita pa precedentë përmban natyrshëm dozën e kreditimit dhe inkurajimit të opozitës së Lulzim Bashës, të projektit të tij të demokracisë së re që pritet të marrë edhe në të bërë formën që ka marrë në të thënë. Alternativa është lideri, thotë një sentencë e njohur. Kjo është e vërtetë në një masë të caktuar.

Unë mendoj se një lider politik shqiptar investon besueshmëri dhe respekt pranë partnerit strategjik kur nuk fluturon në krahët e flaterive shëlbuse të gjeopolitikës së madhe, pra nuk fluturon me presh, siç thotë populli, por e sheh kontributin e Shqipërisë për miqësinë dhe sigurinë globale në sigurinë e saj në radhë të parë, duke garantuar shtetin e së drejtës dhe zgjedhjet e lira për qytetarët shqiptarë.

Në këtë pikëpamje, takimet që i janë rezervuar në Uashington janë një bonus i çmuar për një lider të ri si Lulzim Basha në kompleksitetin e zhvillimeve politike shqiptare në qeverisje dhe në opozitë. Që ai do të dijë ta përdorë, ma merr mendja, me mirënjohje, zgjuarsi dhe modesti. Por kaq. Më tej është gara politike që amerikanët e kanë parimin e tyre.

Më tej është modeli, programi, ekipi-sfida që Basha dhe opozita e sotme duhet t’i fitojnë në arenë. Lulëzim Basha mund të ketë dhe me siguri ka të tjera për të thënë nga vizita e tij e pagjasë në Uashington. Se çfarë rruge hapi, do ta kuptojmë më mirë në ditët në vijim kur të shohim komportimin e opozitës dhe akoma më mirë kur ai të marrë ftesën e re të radhës.

Por kjo nuk pengon kërkënd që merret me politikë në Shqipëri të nderojë të vërtetën, pavarësisht nga pozicioni, duke pohuar se vizita me axhendë zyrtare e shefit të opozitës në Uashington është një ngjarje e re për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

“Përgëzime, Alketa! U ndeshe me një lukuni bashkëpatriote që priste të dështoje”

Publikuar

-

Nga

Nga Pëllum Kulla

-Unë ndjeva një kënaqësi të madhe aty dy netë më parë, kur ti kurrorëzove një ambicje të bukur dhe e bëre atë më së miri.
Sinqerisht gëzoj tok me ty, moj vajzë, që dole në atë arenë dhe u ndeshe me frikën dhe përgjegjësinë tënde, u ndeshe me konkurentet e tua, shpërbleve ata që guxuan ndofta pa shumë besim të të hapnin portën e madhe të ëndrrës tënde të florinjtë.

Ti u ndeshe me keqdashës italjanë, por sidomos me një lukuni bashkëpatriote, që priste me frymën pezull të dështoje e deshën megjithë shpirt që ti “të thyeje qafën” në majën alpine, ku pate kullotur ëndrrat e tua.
Nuk kish gjë më të bukur se ajo sfida dhe triumfi yt!
Mos u mërzit për zhurmën, sharjet, vërejtjet e talljet, që bëjmë ne që nuk ta duam suksesin. Ne jemi të pazotët të shquhemi, ne nuk kemi forcë, durim, vullnet këmbëngulje.

Ne, të pazotët, do të jemi shumë të lumtur, që askush të mos i ketë ato. Ne jemi më të qetë kur nuk shohim fitoret e atyre që njohim e që kemi hedhur shtat njëkohshëm. Mos, moj Alketa, mos! Mos, moj vajzë, se me atë që bëre, na e vure hapur në dukje që ne nuk jemi të zotë për ndërmarrje të tilla drithëruese.

Alketa Vejsiu, të përgëzoj për atë shpalosje mbresëlënëse të ndjenjave të tua, në atë gjuhë të bukur të folur shkëlqyeshëm, lirshëm, si një gurgullimë e ëmbël për veshët e italianëve që të vlerësuan. Them se e njoh italishten aq sa ta fuqizoj përgëzimin. Ndonjë gabimth i rrallë, shumë i rrallë, ishte paradoksalisht aleat i yt, për të dëshmuar se ti nuk ishe italiane, por e zotëroje gjuhën e tyre më mirë se miliona italianë! Ishte një dëshmi e bukur se sa shumë ke punuar për të përvetësuar atë shqiptim e atë rrjedhë që të kënaqte veshin.

Unë jam një njeri i moshuar dhe shumë e shumë vite më parë se ty, kam ecur nëpër ata shtigje, nëpër ato ëndrra dhe tek ty shihja veten, por këtë herë të trupëzuar në një bukuroshe rrëzëlluese, që përballte një audiencë me shije të holla. M’u duk se triumfoja tok me ty, unë, që nuk i a ndaja dikur veshin asaj radios së vjetër për “tutto il calcio minuto per minuto”, për Varietá-të e Canzonissimat e panumërta, për të ndjekur Mike Bongiornon, Alighiero Noschesen e Gigi Proiettin. Më shpluhurose kujtimet mbi leximet e mia të De Amicisit, Pirandellos, e më pas të Buzzatit…

Të tëra i gjeje në monologun tënd virtuoz. I tëri i besueshëm homazhi yt. Bëre shumë mirë që rikujtove suksesin e Ermal Metës. Por unë e quaj edhe më të sukseshëm e më të vështirë “alpinizmin” tënd artistik, që ishte më i vetmuar, më i pa mbështetur në atë aventurë brilante të shfaqjes së bukurive të tua.

Është një trishtim i madh, kur ve re që triumfin tënd e sulmuan shumë komente negative. E veçanta e tyre është zhurmërima.
Por janë mijëra herë më të shumtë ata, të heshturit, që kanë gëzuar tok me ty.
Përgëzime, Alketa, e mbarësi paç në këtë rrugë të ndritur ku po ecën me siguri të plotë!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Luçiano Boçi/ Vrasja e mësuesit

Publikuar

-

Nga

Mësuesit e shkollës në Krahës të Tepelenës, humbën jetën rrugës së kthimit, pas ndarjes me nxënësit e tyre. Ngjarja e rëndë tronditi familjarët, por dhe kolegët e fëmijët e shkollës. Ata ishin në krye të detyrës fisnike. Pas hutimit të parë prej dhimbjes, prita që dikush të reagonte. Prita se mos Besa qëllonte fjalët e duhura, se mos përmendte ndonjë vlerësim për ta, për punën e tyre plot mund e sakrifica, të shoqëruar me një mea culpa për lënien e kujdesit ndaj tyre krejt pas dore, për shkak të korrupsionit dhe të paaftësisë, por kjo nuk ndodhi.

Dhe tani që po hedh këto rreshta postimi i saj i fundit në FCB, është një foto e qeshur në një takim që gjithkush do ta kishte zili, i bërë të premten në 18.03, vetëm pak orë pasi kishte ndodhur tragjedia. Ironikisht, Ministrja na ishte “hapur” para ambasadores së sapoardhur të SHBA-së për të ashtuquajturat reforma madhështore në arsim, që vetëm atë ditë, për shkak të mënyrës skandaloze dhe përçmuese të trajtimit të mësuesve, kishin sjellë për pasojë vdekjen e dy mësuesve dhe plagosjen e dy të tjerëve. Nuk e di nëse këtë tragjedi e ka ndarë si ngushëllim me ambasadoren, por fotot e postuara pak të bindin ose më mirë aspak.

Shpresova mos Rama, që e mban veten për fjalaman dhe Kryeministër që “vdes” për mësuesit, do kishte shkruar dy gisht status për vdekjen e tyre tragjike për shkaqe shtetërore. Por dhe tek ai asnjë fjalë për dy “heronjtë”, se për mua janë të tillë. Postimet e fundit ishin për një depo farmaceutike me kokë të kuqe dhe një copë pamje nga një zonë në Vlorë me një ndërtesë krejt e ngjyer në rozë e vetëm kaq. Por nuk kishte harruar ndërkohë që në cover të vendoste një foto të tij të përzgjedhur me disa fëmijë dhe mbi të sloganin “TiNukDoJeshKurrëVetëm”. Cinike. Po nxënësit e mësuesve të vrarë nga babëzia e pushtetit pse janë lënë vetëm në humbjen e tyre?  Po familjarët e kolegët pse u lanë vetëm në dhimbjen e pamatë dhe u braktisën? Pse Rama dhe Besa nuk kanë asnjë fjalë për përgjegjësinë e tyre në këtë tragjedi?

Përkundër kësaj kudo kanë vendosur dhe balsamosur heshtjen, sipas parimit shpëtues heshtja është flori. Heshtje për mësuesit që lanë me kokën pas familjarët dhe nxënësit e tyre. Një heshtje varri për humbjen e dy mësuesve, apostuj të dijes dhe të dritës. Një heshtje e cila kërkon të fshehë gjurmët e një krimi dhe tragjedie që implikon drejtpërdrejtë ata vetë, fajtorët që fshihen pas buzëqeshjeve të stisura dhe propagandës marramendëse. Një heshtje që është në vazhdën logjike të gjitha vrasjeve që i janë bërë mësuesve përgjatë këtyre viteve. Ditë për ditë. Vendim pas vendimi.

Humbja e jetës së dy mësuesve në aksidentin tragjik dhe plagosja e dy të tjerëve, sado të hyjë tek rastësitë aksidentale, nuk është aspak e tillë. Ngjarja është një skenë krimi qeveritare e paralajmëruar më parë. Mësuesve jua mori jetën jo fati i keq apo i mbrapshtë. Ishte papërgjegjshmëria, neglizhenca dhe babëzia e zyrave shtetërore që fillojnë nga Kryeministri, vazhdojnë me ministren e Bashkinë e mbarojnë me Zyrat arsimore.

Atë ditë mësuesit që nxitonin të arrinin nxënësit e tyre në klasën e mijëra ëndrrave, sikurse çdo ditë tjetër, duhet të ishin në autobusin, apo mjetin e vënë në dispozicion për to dhe për nxënësit. Por ka kohë që për to s’pyet askush. Jo vetëm në Tepelenë, por kudo në Shqipëri. Prandaj ajo është një vrasje. Një vrasje shtetërore e parandjekur nga dhjetëra vrasje të përditshme që i janë bërë mësuesit përgjatë këtyre viteve. Sikur-et e shumta që shoqërojnë mendimet e dhimbjen e të afërmeve, kolegëve dhe nxënësve përmbyllen vetëm me një sikur. Sikur përkujdesi për transportin e tyre të ishte realizuar ngjarja nuk do kishte ndodhur dhe vrasja do ishte shmangur.

Ndërsa ajo jo vetëm nuk u shmang, por u pasua dhe nga një vrasje tjetër me heshtjen e varrtë të Ramës e Besës. Dhe këta nuk bënë asgjë tjetër veçse vazhduan vrasjet e seriale pa iu dridhur as zëri dhe as dora duke na shndërruar në një shoqëri që kemi vrarë mësuesin. Rama dhe Besa janë duke pritur 7 Marsin që nuk është larg, ku secili prej tyre do bëjë garën e fjalëve prekëse e dashurore, por ama në sytë e publikut tashmë të gjykuar dhe të parë si vrasës që lavdërojnë viktimën e vet, mësuesin. Mësuesi është vrarë që kur misionin e tyre fisnik Rama, Lindita e Besa, e shndërruan në një shërbesë banale politike me pahir.

Mësuesi është vrarë që kur profesionin e tij mësimdhënës e shndërruan në profesion letrashkruesish. Mësuesi është vrarë që kur është braktisur nga ata në mëshirën e fatit e profesionit të vet, i lënë mes katër rrugëve pa dalje dhe siguri për të nesërmen.

Mësuesi është vrarë që kur ai denigrohet, shkelet me këmbë, përçmohet nga komisarët politikë që kanë uzurpuar drejtimin e institucioneve arsimore.

Mësuesi është vrarë që kur vlerësimi financiar për të konsiderohet i tepërt.
Mësuesi është vrarë që kur arroganca e pushtetit e konsideron atë si njeri të dorës së dytë.

Mësuesi është vrarë që pa lindur me mbylljen masive të degëve që përgatisin mësuesë.
Mësuesi po vritet çdo ditë sepse është lënë i vetëm në sakrificën e tij.

Ai duhet mbrojtur. Qeveritë që vrasin mësuesin kanë përgatitur me siguri funeralin e vet.
Mësuesit që humbën jetën përgjatë ushtrimit të misionit e tyre vlen të nderohen dhe respektohen.

Ata janë heronjtë e thjeshtë të përkushtimit për transmetimin e dijes.
Mësuesi nuk duhet e nuk mund të vritet.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Bledi Mane/ Unë nuk ta njoh mamin…

Publikuar

-

Nga

Mes fëmijëve dhe adoleshentëve të shkollave të kryeqytetit që konkuronin mes tyre, ishin edhe ata të dy. Gëzonin fëmijët, gëzonte edhe Mirela Kumbaro me Lali Erin. Një moment ndaluan duke i përkëdhelur dhe duke i pyetur një e nga një.

Mirela Kumbaro i afrohet një vajze dhe e pyet:

-E kujt je ti xhan i vogël?

-E Qibrie Ciut, përgjigjet vajza rrufeshëm.

-Nuk ta njoh mamin, ia ktheu Mirela, por besoj se edhe ti je energjike si mami.

Lali Eri nisi të përkëdhelë një djalë dhe porsi Mirela e pyeti:

-Po ti, i kujt je?

-Unë jam i Zyber Hallullit, ktheu përgjigje vogëlushi si i zënë në faj dhe uli kokën.

-Ngrije kokën se je djalë i bukur, i ngjan kopje babit tënd, ia ktheu Lali Eri dhe bashkë me Mirelën vazhduan të përkëdhelnin gjithë fëmijët e shkollave të Tiranës…

LEXO TE PLOTE