LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Andrea Stefani sulmon Ramën/ Kjo nuk është më një Qeveri e qytetarëve

15 Mars 2016, 18:55, Aktualitet CNA

Një nga mbështetësit e hershëm të Kryeministrit Edi Rama, analisti Andrea Stefani ka sulmuar qeverinë, duke u shprehur se ajo tashmë nuk është më në shërbim të qytetarëve. Përmes një editoriali të botuar në Gazetën Dita, Stefani shkruan:

Rasti Seit Doma, kur njeriu ndodhet i pambrojtur përballë shtetit

Mbi Seit Domën dhe familjen e tij (gruan dhe dy vajzat) ka disa ditë që ka rënë gjëma. Se nuk ka gjëmë më të madhe, përveç vdekjes, se të ta prishin shtëpinë dhe të flakin e nxjerrin në rrugë të madhe. Por pikërisht kjo i ka ndodhur Seitit që kishte ndërtuar një shtëpi dykatëshe afër Stacionit të Trenit në Tiranë, në katin përdhes të së cilës, zhvillonte edhe një biznes të vogël me të cilin mbante familjen. Tani nuk e ka më, as biznesin dhe as shtëpinë. Sepse sapo ja kanë prishur ?ata të bashkisë? për shkak se në atë vend, do të zhvillohet një projekt urban me interes publik. Po a nuk ju kanë kompensuar? Dhe Seiti shpjegon se autoritetet e kanë ofruar 18 mijë lekë për metër katror ndërtimin, kur çmimi i tregut për të njëjtën sipërfaqe banese është 100 mijë lekë. Shkurt, atij i ofrohet një kompensim financiar total prej 3 milionë 700 mijë lekë. A mundem dot të blejë një shtëpi me kaq pak para? ? hap krahët i dëshpëruar. Humbja e biznesit me të cilin mbante familjen është një telash më vete.

Si Seit Dema ka shumë nga ata që protestojnë këto ditë për shkatërrimin e shtëpive të tyre. Është rasti kur njeriu ndodhet përballë ?shtetit? i pambrojtur. Ose më saktë, pushtetit që përdor kundër tij forcën e shtetit. Interesohemi në bashki për të kuptuar se përse kompensimi për shtëpinë e prishur është kaq i vogël dhe shumë larg vlerës së tregut. Por na shpjegojnë se tarifat e kompensimit, bashkia nuk i vendos me kokën e vet por në bazë të një vendimi të Qeverisë. Ne kemi thjesht thuajse rolin e një banke ? thonë në bashki. Bëjmë vetëm kalimin e shumave të kompensimit te të dëmtuarit. Dhe shtojnë se kanë kërkuar një financim më të madh për këto dëmshpërblime por, mesa duket, kaq janë mundësitë e Qeverisë.

Ndeshim kështu problemin kronik të varfërisë, por edhe të një arrogance kronike. Qeveria nuk ka të japë më shumë. Por meqenëse është kështu, atëherë edhe Qeveria duhet të bëjë më pak. Kur një individ nuk ka para të blejë një mall, nuk e blen. Është kaq e thjeshtë. Edhe qeveria kur nuk ka para për të kompensuar dëmtime të pronës private, si në rastin konkret, duhet të heqë dorë nga projekti për të pritur një kohë tjetër kur të ketë mundësi financiare për ta ndërmarrë atë.

Por jo, në Shqipëri vazhdon të prevalojë koncepti i sakrifikimit të interesit privat për hir të interesit publik. Me anë të këtij sofizmi, mbi të cilin janë justifikuar tatimet e jashtëzakonshme, shtetëzimet apo edhe kolektivizimet në kohën e komunizmit, edhe të gjithë qeveritë e tranzicionit kanë racionalizuar e justifikuar dhunën mbi pronën private të shtetasve.

Qeveria nuk ka para për të kompensuar me vlerën e tregut por megjithatë, i ndërmerr projektet duke cenuar hapur interesat e pronarëve. Një dhunë që duhet ta pranojmë se, demek, bëhet për interesa publike. Por sado ta lyesh me llak publik, e gjitha është në thelbin e vet një vjedhje, një grabitje në mes të ditës dhe me dhunë. Po, po, me dhunë! Nëse unë kam vetëm 1/10 e parave që lipsen për blerjen e një shtëpie, nuk mund të shkoj dhe t?i them pronarit: Na, unë kaq para kam, ti hidhu përpjetë po deshe! Dhe t?ia marr shtëpinë. Sepse edhe në mos paça sensin e të drejtës, nuk kam pushtet, forcë të bëj një gjë të tillë. Po të kisha, për shembull, po të isha i forti mafioz i zonës, dhe ta bëja, kjo do qe grabitje. E përse nuk qenka grabitje kur e bën qeveria?

Mos vallë duhet të pranojmë se pushteti është demonstrim flagrant i forcës? (Arendt) Një shtet normal krijohet pikërisht për të mënjanuar forcën, dhunën, nga arena e marrëdhënieve njerëzore. Dhe vënia në funksionim e të drejtës. Çdo akt që nuk themelohet mbi të drejtën do të çohet deri në fund ose me anë të dhunës ose me anë të vetënënshtrimit. Dhe kjo është padrejtësi.

Një padrejtësi dhe dhunë kjo, që nuk përligjet dot as nga vendime qeverie të padrejta si ai që sanksionon kompensime qesharake për qytetarët të cilëve ju prishet shtëpia apo prona për qëllime publike. Një konflikt i tillë ka ekzistuar edhe në kohën kur në krye të Bashkisë qe Basha dhe kryeministër Berisha. Ndaj një qeveri si kjo e Rilindjes që premtoi edhe rilindje të drejtësisë, nuk duhet ta bazojë aksionin e saj në vendime të tilla që ngjasojnë me vendimet leniniste të komunizmit të luftës. Themeli i vendimeve të qeverisë në këtë rrafsh duhet të jetë tregu. Dhe, në fakt, kur i intereson, Qeveria nuk harron t?i drejtohet tregut. Përse kur është fjala për të caktuar çmimet e referencës për shitjen e banesave qeveria i afrohet më shumë çmimeve të tregut për metër katror? Sepse kërkon, me të drejtë, të shmangë evazionin e taksës së shitjes nga personat që tregtojnë pasuri të patundshme. Por, këtë standard duhet të zbatojë Qeveria edhe kur është rasti që ajo vetë të ?blejë? shtëpi në funksion të projekteve publike. Ndaj nuk është fare e drejtë që ndërsa çmimi i referencës për metër katror ndërtimi në zonën e Stacionit të Trenit është 100 mijë lekë, kur vjen puna për të kompensuar pronarët, vendoset tarifa qesharake prej 18 mijë lekësh.

Qeveria nuk duhet të ndjekë dy standard, sepse kjo është padrejtësi dhe dhunë mbi të drejtën e pronës private. Dhe aty ku dhunohet prona private, liria e njeriut dhe demokracia janë fjalë boshe dhe maska të sundimit dhe nëpërkëmbjes së njeriut. Por liria nuk është objekt luksi. Liria e pronës private është themeli i begatisë së një shteti. Shqiptarët kanë mbetur të varfër se nuk kanë ditur të mbrojnë e zhvillojnë këtë liri. Po ashtu, nuk mund të ketë projekt me dobi publike nëse në themelet e tij, sakrifikohet prona private e njerëzve ashtu si jetët e skllevërve në themelet e piramidave të faraonëve.

Edhe sa kohë duhet të vazhdojmë kështu? Dhe ç?kuptim ka rotacioni politik nëse dhuna mbi pronën private mbetet po ajo? Në kushte të tilla kemi vetëm ndërrim personeli por jo pushteti, dhe i gjithë rotacioni politik degradon në një hipokrizi. Një qeverisjeje të përgjegjshme nuk duhet t?i shkojë as nëpër mend që të dhunojë pronën e qytetarëve. Nuk duhet t?i shkojë nëpër mend as të përdorë ligjin për të justifikuar dhunën mbi pronën private duke e paraqitur si të drejtë. Por kur ajo e bën një krim të tillë, nuk është më një Qeveri e qytetarëve!

Lajmet e fundit nga