LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vazhdojnë votimet paraprake në Shtetet e Bashkuara

5 Mars 2016, 17:15, Kosova & Bota CNA

Gjatë kësaj fundjave, votuesit në pesë shtete amerikane dhe në Porto Riko do të votojnë për kandidatët për president në votime paraprake brenda partive politike. Kandidatët kryesues, Donald Trump i Partisë Republikane dhe Hillary Clinton e Partisë Demokrate, do të mundohen të rrisin avantazhin e arritur gjatë votimeve të super të martës.

Ka qenë një javë përçarëse për Partinë Republikane, me të tre kandidatët kryesues që u përfshinë në sulme personale të ndërsjellta gjatë një debati të drejtpërdrejtë televiziv. Edhe pas debatit, Donald Trump vazhdon të jetë objektivi kryesor i sulmeve nga brenda Partisë Republikane dhe madje edhe nga ish-kandidatë presidencialë si Mitt Romney.

?U shfaq edhe Romney tani. Është e pabesueshme urrejtja dhe xhelozia që ai ka. Megjithatë, ju mund të mundoheni ta pëlqeni…?,  u tha mbështetësve të tij Donald Trump.

Zoti Trump anulloi dje pjesëmarrjen në një aktivitet të rëndësishëm politik të konservatorëve pranë Uashingtonit, duke preferuar që të mbante një tubim fushate në Kansas ku mbahen votimet paraprake. Por, rivali i tij Ted Cruz mori pjesë duke u munduar t?i marrë sa më shumë votues.

?E kemi mundur Donald Trump në pesë shtete dhe do të vazhdojmë të konkurrojmë me energji duke i bashkuar sa më shumë republikanët,? tha zoti Cruz.

Por, do të jetë e vështirë për kandidatët e tjerë të rifitojnë terrenin e humbur në klimën e krijuar. Njëri prej tyre, neurokirurgu në pension, Ben Carson njoftoi në të njëjtën konference dje, se po dilte nga gara presidenciale.

?Republikanët filluan të ofendojnë së tepërmi njëri-tjetrin, por ofendimi më i madh ishte ndaj popullit amerikan. Ekonomia, e cila duhet të jetë tematika parësore e çdo kandidati për president, mbeti në fund të listës. Arsyeja është sepse të gjithë kandidatët republikanë mbështesin të njëjtat politika të dështuara,?  u shpreh Hillary Clinton.

Vetë zonja Clinton do të vazhdojë përballjen me Bernie Sanders gjatë këtyre ditëve.

Sot dhe nesër do të votohet në shtetet Kansas, Louisiana, Nebraska, Kentucky, Maine, si dhe në territorin amerikan Puerto Rico./VOA

Lajmet e fundit nga