LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Flet Spartak Ngjela/ Katër teza për drejtësinë

27 Shtator 2015, 07:06, Aktualitet CNA

Avokat Spartak Ngjela është i qartë dhe i prerë sa i takon qasjes ndaj procesit të dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi.  Sipas Ngjelës, Sali Berisha, ashtu siç luajti dhe bllokoi për 25 vjet ligjin për hapjen e dosjeve, po tenton të rrëzojë edhe ligjin e dekriminalizimit. Avokati pohoi se ligji i dekriminalizimit kap vetë Sali Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ngjela thotë se edhe vetë dekriminalizimi është një lojë fjalësh. Sipas tij, nuk mund të ketë dekriminalizim pa reformë në drejtësi. Avokati shton se debati për dekriminalizimin është absurd pasi krimi ka pushtuar si pushtetin ashtu edhe opozitën. Në këto kushte, shprehet Avokat Ngjela, vetë krimi pretendon se do të realizojë procesin e dekriminalizimit. Ngjela ka pohuar se elita politike nuk e do reformën në drejtësi, nuk mund ta bëjë reformën në drejtësi dhe se komisioni i posaçëm nuk ka thënë asgjë konkrete deri më tani për reformën në drejtësi. Sipas tij, reforma në drejtësi nënkupton luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndaj reforma, nëse do të realizohet, do të përfshijë ish-kryeministra, ish-ministra, prokurorë dhe gjyqtarë.

Ngjela ka prezantuar edhe doktrinën e tij për reformën në drejtësi. Ai ka pohuar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk ka aspak lidhje me sistemin modern perëndimor. Sipas tij, po të ketë sistem drejtësie të pavarur nuk mund të ketë manipulim votash dhe po mos të ketë manipulim votash, nuk mund të ketë absolutizëm.

-Z. Ngjela, para dy ditësh ju keni bërë publike një doktrinë për reformën në drejtësi. Çfarë diference ka reforma juaj nga ajo që ka paraqitur komisioni për këtë çështje? 

Nuk di çfarë të them se çfarë ndryshimi ka mes reformës time dhe reformës së komisionit, sepse ky komision nuk ka thënë asgjë konkrete deri më tani. Megjithatë, më lejoni ta shpjegoj reformën time në vija të përgjithshme. Kriza e drejtësisë në fakt është kriza e moralitetit të shoqërisë shqiptare. Zhvillimi i një shoqërie në një vizion historik nuk është shkenca, por drejtësia; ky është rasti të themi që ne nuk kemi as shkencë dhe as drejtësi, ne nuk kemi as prodhim mallrash dhe as shtet, por e gjithë kjo gjendje vjen kryesisht si pasojë e mosfunksionimit të drejtësisë shoqërore në Shqipëri.

Nuk mund të flitet kurrë për demokraci nëse nuk ka drejtësi, gjithë të tjerat janë gënjeshtra. Atëherë ku konsiston kriza jonë? Teza e parë që mund të përmendet për këtë rast është fakti që, sistemi ynë i drejtësisë ose gjyqësori në Shqipëri, nuk u takon kohëve moderne dhe nuk ka lidhje fare me sistemin perëndimor. Drejtësinë nuk e japin 5 ose 6 gjyqtarë ?teknikë?; drejtësinë e jep populli. Ky është koncepti modern që ka sjellë përmbysjen e madhe të absolutizmit në Europën Perëndimore. E keni vënë re që ne jemi ende në absolutizëm? Jemi në absolutizëm sepse nuk kemi sistem gjyqësor të pavarur dhe të drejtë që të na ndajë nga bilastrat e moralitetit në të gjitha aspektet e jetës shoqërore! Po të ketë drejtësi të pavarur nuk mund të ketë manipulim votash; po të mos ketë manipulim votash nuk ka as absolutizëm.

E kuptoni tani se në çfarë gjendje ndodhemi? Teza e dytë që duhet ngritur në këtë rast është: cila është optika e re që do të sjellë popullin në vënien e drejtësisë? Koncepti i vetëm dhe i drejtpërdrejtë që vjen nga bota perëndimore është Juria: ose do të marrin Jurinë e tipit anglosakson, ku të gjithë qytetarëve me short mund t?i bjerë një herë radha që të jetë në Juri;  ose Gjykatën e Asizit që është gjykata e vendeve perëndimore substancialisht, sidomos Franca dhe Italia, por dhe të gjithë vendet perëndimore. Këto janë dy tipe Jurish, të cilat përfaqësojnë shumicën në vënien e drejtësisë.

Doktrina ime preferon Gjykatën e Asizit, d.m.th Jurinë Europiane. Sepse shoh që ka moskuptim dhe mospranim të Jurisë anglosaksone. Gjykata e Asizit është sot e njohur botërisht për vlerën e saj historike, dhe nuk ka rëndësi të zgjatem. Ajo çka duhet të bëhet, sa më shpejtë të jetë e mundur, është implementimi i saj. Duhet të theksojmë këtu që Juria është vetëm për krimet penale, ndonëse në Shtetet e Bashkuara dhe në shtete të veçanta, Juria merr pjesë edhe në çështje civile të ?shpërblimit të dëmit?.

Teza e tretë në këtë rast është gjykimi i çështjeve civile. Reforma që paraqes e koncepton gjykimin e çështjes si ?case management?. Çfarë do të kuptojmë me këtë? Me këtë do të kuptojmë që çdo gjykatë është një institucion kompakt që merret tërësisht me çështjen. Pasi ushtrohet padia civile në gjykatë është i gjithë korpusi i gjykatës që zgjidh rastin: gjyqtarë, këshilltarë, magjistra, ekspertë…Kjo është trupa e gjykatës; të gjithë të impenjuar plotësisht në zgjidhjen e një rasti, pasi të jetë ushtruar padia civile. Eksperienca angleze është më e mira në këtë çështje. Dhe ky është një fakt real i cili e ndalon korrupsionin në gjykimin e padisë civile ose administrative në gjykatat tona.

Teza e katërt. Në Gjykatën e Lartë duhet të funksionojë Komisioni Mbikëqyrës Profesional, komision që duhet të përbëhet prej 5 personash dhe domosdoshmërish 4 prej tyre duhet të jenë juristë të mëdhenj ndërkombëtarë nga Perëndimi, të njohur botërisht, të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin civil dhe penal në Gjykatën e Lartë (mundësisht ish-gjyqtarë). Duhet të kuptohet se, nëse ne e ndalojmë korrupsionin në Gjykatën e Lartë, 70 për qind e korrupsionit në gjykatat e tjera nuk ka mundësi të ekzistojë. Megjithatë, vendosja e Jurisë popullore në çështjet penale, dhe ?case management? në të gjitha gjykatat shqiptare për çështjet civile, dhe pasi të vendosen 4 persona të mëdhenj të drejtësisë botërore në supervizon apo monitorim të çështjeve që gjykohen në Gjykatën e Lartë, ne përfundimisht kemi krijuar për herë të parë në Shqipëri personalitetin absolut të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Këto janë tezat për reformën në pushtetin gjyqësor. Megjithatë, doktrina që paraqes është edhe më gjerë se kaq, se përmbledh edhe reformën në Prokurori, në Noteri dhe në Avokati.

– Në kuadër të reformës në drejtësi do të preket edhe institucioni i Presidentit. Por edhe si për çështje të tjera mes palëve politike dhe jo vetëm, ka lindur një debat nëse duhet të ndryshohet formula e zgjedhjes së Presidentit apo të mos ndryshohet. Cili është mendimi juaj, Presidenti duhet të zgjidhet nga Parlamenti apo nga populli, dhe çfarë pasojash do të kishte ndryshimi i formulës sipas jush?

Kushtetuta shqiptare e kishte zgjidhur shumë mirë kur e kishte vënë në mënyrë absolute që ai të zgjidhej me 3/5 e Parlamentit, pra me shumicë të cilësuar. Frika e injorancës së politikës shqiptare se ky mund të bëhet shkak për cenimin e absolutizmit e hoqi përfundimisht këtë normë kushtetuese. Dhe kjo është një ndër arsyet e krizës institucionale në Shqipëri. Reforma kushtetuese në Shqipëri ndodhet përball kësaj dileme: ose gjendja të rrijë si një Republikë Parlamentare e frustruar nga mazhorancat që krijojnë një Kancelar; ose një President i fuqishëm i dalë nga populli me kompetenca më të mëdha nga ato që ka sot për të krijuar dy pushtete në Shqipëri: pushtetin jo absolut të një kryeministri që mund të rrëzohet në çdo moment; dhe pushtetin e Presidentit i akumuluar si forcë nga votimi i përgjithshëm. A e bëjmë dot ne këtë të dytën në mënyrë që ekzistenca e dy pushteteve politike, të pavarura nga njëri-tjetri, por që nuk lejojnë absolutizmin dhe një pushtet gjyqësor i pavarur, si ai që u shpjegua më sipër, që të na garantojë demokracinë në Shqipëri.

  -Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka paralajmëruar arrestime VIP. Si i shihni këto paralajmërime? Besoni se do të ketë një rezultat konkret?

Nuk shoh gjë serioze sepse deri më tani i gjithë sistemi legal; gjykata dhe prokurori në Shqipëri, nuk kanë qenë të popullit dhe me frymën e drejtësisë. Duhet të kujtohemi gjithmonë se, i gjithë momenti tragjik dhe ngërçi i zhvillimit shoqëror dhe demokratik në Shqipëri ka ardhur nga mosfunksionimi i gjykatës dhe prokurorisë. Pa u bërë reforma në drejtësi kurrë mos prisni moralitet nga këto dy organe. Prandaj, unë nuk besoj asnjë morale që mund të vijë në këto momente pikërisht nga këta njerëz. Reforma ime i suprimon të dy organet për t?i riemëruar edhe prokurorët edhe gjyqtarët me njerëz të ndershëm, kapacitete që respektojnë shoqërinë e vetë dhe që nuk e shesin drejtësinë.

-Mazhoranca dhe opozita kanë prezantuar dy paketa për pastrimin e politikës shqiptare nga të inkriminuarit. Si i shihni dy paketat për dekriminalizimin?  

Lojë fjalësh! Asgjë konkrete! Krimi është në pushtet; çfarë dekriminalizimi do të bëhet? Krimi kundër krimit?! Pamundësi absolute! Kjo është logjika e thjeshtë e faktit. Të gjithë institucionet perëndimore dhe e gjithë politika perëndimore akuzon klasën politike shqiptare, në pushtet dhe në opozitë, si të korruptuar. Kjo është premisa e logjikës që rrjedh nga pas dhe që pyet: i korruptuari do të luftojë të korruptuarin? Nuk mund të fillojë dot procesi i dekriminalizimit të politikës shqiptare, në mazhorancë ose në opozitë, para sesa të kryhet reforma në drejtësi. Një nga arsyet kryesore pse nuk është bërë deri më tani reforma në drejtësi është fakti që kjo reformë penalizon krerët e politikës. Edhe politika gjermane, edhe politika amerikane, edhe politika e BE kur thonë: ?reformë në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?, kanë parasysh: ish-kryeministrat, ish-ministrat, kryetarë prokurorish, kryetarë  gjykatës, prokurorë dhe gjyqtarë.

Është krijuar përshtypja në publik sikur janë dy çështje që i ndajnë dy paketat për dekriminalzimin, të mazhorancës dhe të opozitës, që është testi i drogës dhe marrja e shenjave të gishtërinjve. Çfarë komenti keni për këtë? Pse nuk pranohet testi i drogës? 

Të gjitha këto janë lojëra banale të Saliut, që për të prishur ligjin, fut nonsense. Shiko çfarë bënte Saliu për të mos lejuar ligjin kundër spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit: bashkë me spiunët e shtonte spektrin e të goditurve edhe për gjyqtarët, edhe për prokurorët, e për gjithçka me përjashtim të sekretarit të partisë, se sekretar ka qenë edhe vetë. Dhe këtë e bënte që ta sabotonte ligjin në mënyrë që ky të rrëzohej si ligj që shkelte të drejtat e njeriut. Këtë kërkon të bëjë dhe mendja e tij e mbrapsht edhe në këtë rast: meqë ka rënë brenda se e ka kërkuar vetë ligjin e dekriminalizimit, sepse janë të shumtë ata që i kap ky ligj nga bashkëpunëtorët e Saliut dhe vetë Saliu, i trembur, rrit spektrin e ligjit me nonsense në mënyrë që ky ligj të mos formulohet dhe të mos hyjë në fuqi.

Lajmet e fundit nga