LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si mund të punosh legalisht në Gjermani?

24 Shtator 2015, 18:33, Aktualitet CNA

Ka rrugë legale për të punuar në Gjermani, dhe për këtë nuk duhet kërkuar azil. Sa më shumë kualifikim profesional të keni, aq më shumë shanse ekzistojnë.

Kush do të punojë në Gjermani nuk duhet të aplikojë për azil. Përkundrazi: Nuk ka një të drejtë për azilin, sepse dikush po kërkon punë. Përveç kësaj të gjithë azilkërkuesit nuk lejohen të punojnë në tre muajt e parë. Në rast se dikush kërkon azil, megjithëse kërkesa është “dukshëm e pabazuar” atëherë vihet në veprim edhe një lloj penalizimi, “bllokimi i hyrjes” rishtazi në Gjermani apo vendet e tjera të hapësirës së Shengenit. Kjo prek më së shumti azilkërkuesit nga vendet që konsiderohen si vende të sigurta origjine, ku bën pjesë aktualisht Serbia, Maqedonia, Bosnja-Hercegovina.

Aktualisht po punohet për kategorizimin edhe të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine. Kërkesat për azil nga këto vende trajtohen më shpejt, dhe përgjigjja për azilantët është gati gjithmonë negative. Këta persona duhet të largohen shpejt nga Gjermania. Nëse dikush nuk largohet vullnetarisht, atëherë ai dëbohet dhe duhet të paguajë vetë kostot e udhëtimit në shumicën e rasteve.

Si mund të punoj legalisht në Gjermani?

Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, duhet bërë fillimisht dallimi mes qytetarëve nga vendet e Bashkimit Europian dhe atyre nga vendet e treta. Qytetarët e BE-së kanë të drejtë të lëvizin lirisht në Bashkimin Europian, dhe të punojnë pa kufizime edhe në Gjermani. Për udhëtimin në Gjermani ata nuk kanë nevojë për vizë, këtë lehtësi e gëzojnë edhe qytetarët që i përkasin hapësirës ekonomike europiane dhe qytetarët e Zvicrës.

Për të huaj nga vendet e tjera, pra vendet e treta ,ka disa rregulla që duhen respektuar. Tek këto vende të treta të BE-së kategorizohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi. Këta qytetarë lejohen të punojnë në Gjermani, vetëm po qe se kanë një leje të vlefshme qëndrimi dhe autoritetet e lejojnë punësimin. Në Gjermani jepen katër lloj lejesh qëndrimi: Leja e kufizuar e qëndrimit, “Karta blu e BE-së” e kufizuar, leja e pakufizuar e qëndrimit dhe leja e qëndrimit të përhershëm-BE.

Një leje qëndrimi e merr vetëm nëse ke një pasaportë ende të vlefshme dhe nuk ka asnjë arsye tjetër që detyron kthimin e personit, si në rastin e personave që kanë kërkuar pa të drejtë azil dhe detyrohen të kthehen. Po ashtu këta persona që duan leje qëndrimi duhet të vërtetojnë para autoriteteve se e kanë të siguruar jetesën në Gjermani. Pra ose dikush duhet të provojë se ka një sasi të mjaftueshme parash në xhirollogari, ose një person tjetër bën për të garancinë financiare. Pra kjo nënkupton se kush udhëton në Gjermani nuk ka të drejtë të marrë asistencë papunësie apo asistencë sociale. Kjo e drejtë ekziston vetëm për qytetarët gjermanë apo qytetarë të tjerë e azilkërkues që kanë paguar për vite me radhë kuotat e sigurimeve shoqërore.

Përgjithësisht vlen: Sa më mirë i kualifikuar të jetë dikush dhe sa më mirë të flasë gjermanisht, aq më e thjeshtë është të marrësh në plan afatgjatë një leje qëndrimi dhe leje pune në Gjermani. Për njerëz pa kualifikim apo shkollim është shumë e vështirë gjetja e punës në Gjermani.

Nuk kam punë dhe dua të gjej punë në Gjermani

Kush do të kërkojë punë në Gjermani mund të aplikojë për një vizë për kërkim pune, e cila ofrohet nga ambasada gjermane në vend apo konsullata përkatëse. Një listë e përfaqësive diplomatike gjermane në botë gjendet tek kjo hartë:

(http://www.make-it-in-germany.com/de/fuer-fachkraefte/deutschland-kennenlernen/deutschland-vor-ort#c5049)

Po qe se qëndron në Gjermani me një vizë për kërkim pune nuk ke të drejtë të punosh. Por në momentin që e ke gjetur një punë, duhet të aplikosh për “Leje qëndrimi për qëllime pune”. Për këtë nuk ke nevojë të largohesh nga Gjermania, këtë mund ta aplikosh drejt në Gjermani. Këtë lloj vize e merr sigurisht kur provon se mund ta sigurosh vetë jetesën. Kush ka ardhur në Gjermani mund t’i drejtohet ashtu si qytetarët gjermanë edhe Agjencisë Gjermane të Punës. Po ashtu në internet mund të kërkosh punë në platformat që ofrojnë vende pune si (xing.de)

Jetoj jashtë si ta gjej një punë në Gjermani?

Për ofrimin e vendeve të punës për ata të huaj që ndodhen jashtë është përgjegjëse Qendra e Jashtme e Ndërmjetësimit (ZAV) e Agjencisë së Punës.(https://www.arbeitsagentur.de/web/content/DE/service/Ueberuns/weitereDienststellen/ZentraleAuslandsundFachvermittlung/VersionsDEEN/DeutscheVersion/willkommeninDeutschland/Detail/index.htm?dfContentId=L6019022DSTBAI520567).

Po ashtu dikush që kërkon punë mund të interesohet drejtpërdrejt në portalet e internetit apo të klikojë në faqet e internetit të firmave për të kërkuar aty ku ka vende të lira pune. Kush e njeh mirë gjermanishten e ka më të lehtë të gjejë një vend pune. Po ashtu duhen njohur më parë diplomat, dëftesat e vërtetime të tjera që provojnë shkollimin. Për njohjen këtyre dokumenteve ekzistojnë portale të tilla si (https://www.bq-portal.de/ / www.anerkennung-in-deutschland.de/).

Kush ka gjetur një punë duhet t’i nënshtrohet edhe të ashtuquajturit verifikim i prioritetit, që do të thotë se një vend pune e merr një qytetar nga vendet e treta nëse për të njëjtin vend pune nuk merret një qytetar gjerman apo ndokush nga vendet e BE-së. Përjashtim bëhet këtu në rastin e super të kualifikuarve si edhe për të ashtuquajturat profesione me mungesë fuqie punëtore. Këto janë profesione, për të cilat në Gjermani ka shumë pak aplikantë, prandaj për këto profesione është hequr priorizimi. Në Gjermani kërkohet fuqi punëtore sidomos në infermieri, artizanate të ndryshme etj. Në listë të profesioneve ku aktualisht ka nevojë për vende pune e gjeni në adresën:(http://www.make-it-in-germany.com/fileadmin/content/make-it-in-germany/PDF/positivliste_dt.pdf).

Dua të bëj një kualifikim profesional në Gjermani

Kush kërkon në Gjermani një vend kualifikimi duhet të ketë një pasaportë dhe të kujdeset vetë për jetesën e tij në Gjermani. Në këtë rast ky person merr një leje të kufizuar qëndrimi. Nëse kualifikimi zgjat më pak se dy vjet, kjo leje jepet vetëm për këtë kohë, në rast zgjatjeje të vizës luajnë rol njohuritë e gjermanishtes dhe pjesëmarrja me rezultate të mira në kurset e integrimit. Me lejen për kualifikim profesional lejohesh të punosh edhe 10 orë të tjera në javë.

Për kërkimin e një vendi kualifikimi vlejnë të njëjtat rregullore si për kërkimin e vendit të punës. Më pak pengesa ka për profesionet ku ka mungesë të fuqisë punëtore, duhen dokumentet e shkollimit të mëparshëm dhe njohuritë e gjermanishtes.

Dua të studioj në Gjermani

Studimet në Gjermani mund t’i fillosh vetëm me maturë, nëse matura e vendit nga vjen njihet në Gjermani, kjo duhet verifikuar. Për këtë ndihmon ky portal në internet. (http://www.anerkennung-in-deutschland.de/html/de/).

Në rast se nuk mjafton matura e vendit nga vjen, atëherë duhet të ndjekësh një vit “Studiekolleg”, për këtë merr një vizë të kufizuar qëndrimi. Kush është pranuar në një universitet dhe vërteton se e ka të siguruar jetesën e tij merr një leje qëndrimi. E rëndësishme këtu është qëndrimi për qëllime studimi. Pra nuk jepet vizë për studimet me korrespondencë. Në rast se një student merr lejen e qëndrimit, lejohet të punojë deri në 120 ditë në vit. Leja e qëndrimit për shkak të studimeve jepet për një deri në dy vjet. Ajo mund të zgjatet, nëse studimet nuk janë përfunduar.

Kam gjetur punë në Gjermani dhe dua të udhëtoj legalisht

Kush ka gjetur një punë në Gjermani e ka më të lehtë të marrë lejen e qëndrimit. Por edhe këtu duhen plotësuar të gjitha kriteret ndër to edhe leja nga Agjencia e Punës. Për studiuesit, njerëzit me kualifikim të lartë, forca drejtuese, specialistë kjo kërkesë bie. Edhe të huajt që kanë përfunduar studimet në Gjermani nuk kanë nevojë për lejen e punës nga Agjencia e Punës, në rast se ata kanë gjetur një punë që u ofron 48.400 euro të ardhura bruto në vit. Në këtë rast ata marrin “Kartën blu” të BE-së që jepet fillimisht për katër vjet. Në rrethana të caktuara për specialistët me kualifikim të lartë jepet drejtpërdrejt leja e pakufizuar e qëndrimit në Gjermani. DW

Lajmet e fundit nga