LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas rishikimit , buxheti sërish “gropë”, të ardhurat 2.7 mld lekë minus

21 Shtator 2015, 16:00, Aktualitet CNA

Rishikimi në ulje që iu bë buxhetit në muajin Gusht nuk ka shpëtuar qeverinë nga kriza e mosrealizimit të të ardhurave,. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë për performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave që në muajin e parë të planit të rishikuar, ku arkës së shtetit i mungojnë 2.7 miliardë lekë, nga të cilat 1.6 miliardë u takojnë tatimeve dhe doganave. Në këto kushte, shpresa e vetme për qeverinë mbetet aksioni anti informalitet, rezultatet e para të së cilit priten brenda këtij muaji.
Edhe pas rishikimit në ulje të buxhetit, të ardhurat sërish nuk janë realizuar. Ministria e Financave ka publikuar treguesit e plotë fiskalë për periudhën janar-gusht të këtij viti, që mundësojnë analizimin e shpërndarjes së planit sipas buxhetit që u rishikua me ulje në gusht.

Të dhënat e dikasterit të Financave tregojnë se ka mosrealizim që në muajin e parë. Të ardhurat në total janë 2.7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, nga të cilat 1.6 miliardë lekë u mungojnë tatimeve dhe doganave.

Taksat që kanë ndikuar më shumë në mosrealizimin e të ardhurave janë TVSH-ja me 1.2 miliardë lekë minus nga plani, tatimi mbi fitimin me 220 milionë lekë më pak dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 316 milionë lekë më pak.

Shifrat e mësipërme dëshmojnë për performancën e dobët të administratës fiskale, e cila nuk po arrin të mbledhë detyrimet, edhe pas gërshërës që qeveria i vuri buxhetit në gusht. Në kushtet kur të ardhurat nuk po realizohen, shpresa e vetme për Ramën dhe kabinetin e tij është aksioni anti informalitet, ku brenda këtij muaji priten edhe rezultatet e para. Ndërkohë që qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga lufta kundër evazionit dhe ekonomisë gri 330 milionë dollare.

Lajmet e fundit nga