LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Loja e ndyrë me skandalin e ÇEZ

12 Shtator 2015, 08:04, Opinione CNA

*Nga Andi BUSHATI

 

Skandali i ÇEZ po nxjerr edhe një herë në pah pafytyrësinë e pjesës më të madhe të politikës shqiptare që flet për gjithçka për të mos thënë asgjë. Po të rikthesh pak mbrapsht filmin e deklaratave të këtyre ditëve, vë re se ka shumë zhurmë dhe fare pak thelb. Të gjithë që dalin në tribuna i shmangen pikëpyetjeve kryesore.

Pak ditë më parë në një editorial tjetër, Lapsi.al këmbënguli të vinte theksin në dy probleme kryesore.

I pari për rolin që ish zëvendëskryeministri i qeverisë Berisha, Ilir Meta, ka pasur në lobimin pro një miku dhe klienti të tij tashmë të burgosur, Kastriot Ismailaj, në mënyrë që ky i fundit të merte llokmën e majme si nënkontraktor i ÇEZ-it. Natyrisht ky episod për të cilin tashmë ka dalë më shumë se një fakt, është i rëndësishëm për zbardhjen e skandalit që ka denoncuar agjencia BIRN. Por ai nuk është i rëndësishëm vetëm për këtë aferë. Ai na hedh dritë mbi rolin e politikanëve tanë, si lobistë pro kompanive private, për zanatin e tyre real si sekserë, për përdorimin që i bëjnë postit dhe besimit që i kanë dhënë zgjedhësit, për përfitime personale dhe për shtimin e të ardhurave për partitë e tyre. Në këtë kuptim, ky denoncim e tejkalonte kuadrin e skandalit të ÇEZ-it. Ai e shndërronte atë në një pasqyre simbolike ku ne mund të kuptojmë lidhjet okulte të politikës. Prandaj zbardhja e tij ishte e rëndësishme dhe debati publik rreth tij mjaft emancipues.

Të tilla përmasa që e kapërcenin një denoncim të thjeshtë, kishte edhe problemi i dytë që ngritëm pak ditë më parë. Si arritën kompanitë fantazim të ndikonin në uljen e çmimit të shitjes të energjisë nga KESH (publik) tek ÇEZ (privat), një aferë që i kushtoi shtetit shqiptar plot 30 milionë dollarë. Si i koruptuan zyrtarët e qeverisë Berisha dhe si ia arritën ata të kryenin akte kaq flagrante në dëm të interesit publik.

Këto pra ishin sipas nesh dy anët e errëta të kësaj medaljeje turpi.

Por, po të shohësh debatin e politikës që zhvillohet rreth ngjarjes, ai është shumë larg këtyre shqetësimeve. Në vend që të flasin në emër të interesit të publikut, aktorët politikë po merren me diversione të dorës së tretë, për t?i futur thika pas shpinë njëri- tjetrit. Kështu duke neglizhuar thelbin e çështjes PD-ja po i kushton më shumë rëndësi kësaj afere për ta nxjerrë atë si një denoncim të Ramës për Metën. Edhe Sali Berisha në parlament, që aludonte se një avokat i huaj nuk mund të fliste kurrë pa bekimin e qeverisë që e paguan edhe Ennno Bozo që deklaronte se PD i ka marrë dokumentat nga Rama, i binin fyellit në të njëjtën vrimë. Më shumë sesa zbardhja e së vërtetës ata treguan se qëllimi i tyre është ti hedhin benzinë zjarrit edhe ashtu të ndezur brenda koalicionit të majtë.

Nga ana tjetër, LSI-a prodhon vetëm alibi anësore për të gjitha akuzat. Dalja e fundit në skenë e Petrit Vasilit për të treguar se kjo është një histori shekspiriane ku Bruti i fut thikën pas shpine Cezarit të plakur, kishte gjithashtu të njëjtin qëllim: diversionin në kampin kundërshtar. Më shumë se sa shpërlarjen e Metës, LSI-a po mundohet ta paraqesë aferën e ÇEZ-it si një përpjekje të Bashës për të goditur Berishën.

Dhe po ti shtosh këtyre dy qëndrimeve heshtjen e socialistëve për këtë skandal dhe prononcimin e kryeministrisë që kishte vetëm një shqetësim, të dëshmonte se nuk qe Rama që po godiste Metën, e kupton më qartë se sa larg janë të gjitha palët politike nga shqetësimet reale të publikut. Ndërkohë që njerëzit duan të dijnë kush ka shfrytëzuar konfliktin e interesit, kush ka lobuar për të fituar para, kush ka ulur çmimin e shitjes së energjisë, politika flet krejt gjuhë tjetër. Me thika pas shpine dhe me intriga makiavelike. Në këtë kuptim skandali i ÇEZ-t i shpërthyer nga BIRN, është jo vetëm një provë më tepër që tregon makutërinë në grabitjen e shtetit, por ai është gjithashtu edhe një pasqyrë për të kuptuar se sa larg është debati ynë politik në raport me pritshmëritë që ka shoqëria. *Lapsi.al

20:01 Opinione

Kuçedër

Nga Edison YpiEnde gjallë je moj kuçedër, moj vampire, moj k...

Lajmet e fundit nga