Kronika
Gjykata e Larte vendos “arrest me burg” per deputetin Armando Prenga
Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për deputetin Armando Prenga i akuzuar për konfliktin e armatosur të nisur në Lagunën e Patokut. I pandehur për këtë ngjarje akuzohet për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje” në konfliktin e armatosur në Laç me 4 shtator, ku u plagosën shtatë persona. Prenga i cilësoi akuzat ndaj tij politike dhe të pavërteta. Armando Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës pas ngjarjes në Laç. Prokuroria ka krijuar dyshime se deputeti plagosi me armën që mbante pa leje Tom Calin, si dhe ka kanosur duke u drejtuar pistoletën personat që shoqëronin Gjok Calin para komisariatit të policisë Kurbin. Për Gjergj Calin, Gjykata e Lartë dha sot masën e sigurisë “arrest me burg”, si i dyshuar për konfliktin e armatosur të ndodhur në Laç, ku u përfshi dhe deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Armando Prenga.“Më lanë në burg se godita shtetin”, tha Cali gjatë seancës. Më herët Cali deklaroi se është dhunuar në oborrin e komisariatit. Në pretendimet e tij ai tha se dy vëllezërit Prenga kanë shkuar në lokalin e tij në Lagunën e Patokut dhe e kanë dhunuar dhe më pas, kur kanë shkuar në polici për të denoncuar ngjarjen janë goditur dhe qëlluar me armë dhe në oborrin e komisariatit të Kurbinit. Sipas tij, kur ka shkuar në polici bashkë me vëllanë e tij për të denoncuar, janë gjetur mes plumbave. Më tej Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë një muaj burg për të pandehurin Anton Leka. Avokati i tij Marash Ibraj duke folur për gazetarët pas seancës, tha se vendimi është i padrejtë dhe se klienti i tij ka qenë në dasmë në kohën e ngjarjes dhe se për këtë mund të sekuestrohen pamjet filmike. Sipas tij, ndalimi i Anton Lekës është bërë në spital, ku ai kishte shkuar për të parë të njohurit e tij të lënduar. Lidhur me gjurmët e barutit të gjetur në duart e klientit, Ibraj shprehet se sasi të tilla gjenden edhe nga ndezja e një fije shkrepëseje. Gjykata e Lartë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” dhe për Gazmir Jushin, i cili për shkak se ndodhet në spital i plagosur përfaqësohej nga avokati i tij me prokurë të posaçme. Krahas Gjergj Calit, të pandehur janë edhe vëllai i tij Gjok Cali i cili ndodhet në spital i plagosur ku dhe do të njihet me masën e sigurisë dhe Nikoll Cali.