LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Deputetët e mazhorancës që provuan prangat

7 Shtator 2015, 07:26, Aktualitet CNA

Armando Prenga nuk është deputeti i parë i mazhorancës që provon prangat për vepra kriminale të kryera pas marrjes së mandatit. Përpara tij janë arrestuar edhe Tom Doshi e Mark Frroku. Ndërsa në gjyq për rrahje kanë përfunduar edhe Arben Ndoka e Pjerin Ndreu.

Opozita thotë se disa prej këtyre deputetëve kanë të shkuar kriminale.

Për njërin prej tyre, Arben Ndokën, ajo ka publikuar edhe dosjen e gjykatës së Romës që e dënonte me 7 vjet burg për trafikimi të qënieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Ai u bë shkak që opozita të niste edhe betejën për dekriminalizimin e politikës dhe institucioneve.

Për dy nga 5 deputetët e grupit të mazhorancës, Doshin e Prengën, PS ka marrë vendimin e përjashtimit.

Pjerin Ndreu e Arben Ndoka mbetën pjesë e grupit të PS edhe pse u përballën me drejtësinë në Gjykatën e Lartë për goditjen në korridorin e parlamentit të deputetit të PD ?së, Gent Strazimiri.

Kamerat e parlamentit e filmuan ngjarjen, prokuroria hapi një proces penal, por Gjykata vendosi pamundësinë e shqyrtimit të çështjes, pasi sipas saj, ajo ishte shqyrtuar një herë nga parlamenti. Opozita akuzoi krerët e mazhorancës se kishin influencuar përmes presioneve dhe jo vetëm, në këtë vendim.

Goditja e deputetit Strazimiri e çoi PD ?në në bojkot dhe në nisjen e betejës për të larguar nga politika dhe institucionet personat me rekorde kriminale.

Deputeti i PKD ?së, Mark Frroku ishte në parlament si pjesë e grupit të PS. Ai gjendet në burg për llogari të autoriteteve belge që e akuzojnë si autor të vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Bruksel, pas një konflikti të ardhur si pasojë e pjesëmarrjes së tij në bandat e shfrytëzimit të prostitucionit.

Mark Frroku, bashkë me Tom Doshin u arrestuan fillimisht pas akuzave që Tom Doshi bëri ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Ai tha se Meta kishte paguar për ta eliminuar atë bashkë me deputetin Mhill Fufi. Prokuroria tha se ngjarja ishte e sajuar dhe e iniciuar nga deputeti Mark Frroku. Arsyet nuk janë ende të qarta. Tom Doshi është liruar nga burg, fillimisht në arrest shtëpie e tashmë në gjendje të lirë.

Ai u pa mjaft aktiv në zgjedhjet e 21 qershorit në zonën e Vaut të Dejës, duke bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Edhe vëllai i deputetit Mark Frroku, Arben Frroku, i shpallur në kërkim pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, ishte mjaft aktiv në këto zgjedhje në mbështetje të kandidatit të mazhorancës për kryetar të Bashkisë në Pukë.

Opozita thotë se të paktën 19 deputetë të mazhorancës kanë të shkuar kriminale.

Deri tani, përveç Mark Frrokut, asnjë prej tyre nuk është përballur me drejtësinë apo të jetë përjashtuar nga grupi i mazhorancës për të shkuarën e tyre.

Përjashtuar Frrokun, 4 deputetët e mësipërm kanë shkuar përpara drejtësisë vetëm si të dyshuar për vepra të kryera gjatë kohës që kanë ushtruar mandatin si deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, nën siglën e Partisë Socialiste. Deri tani asnjëri prej tyre nuk e ka humbur mandatin. Lapsi.al

Lajmet e fundit nga