LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fiks Fare, në Shëngjin ku hapësirat publike i zaptojnë ata të Tatim-Taksave

3 Shtator 2015, 20:11, Aktualitet CNA

Me keqardhje na duhet të pranojmë se pushimet kanë mbaruar, edhe sezoni ynë turistik po shkon drejt mbylljes, por për një gjë do të mbetet i veçantë turizmi ynë në botë. Këtu mund të ushtrohen lehtësisht sportet ekstreme: pa drita, pa ujë, pa infrastrukturë dhe pa shumë gjëra elementare.

Le të shkojmë në Shëngjin e të shohim sesi ka kaluar sezoni turistik atje. Me gjithë punën e bërë gjatë dy viteve të fundit nga qeveria shqiptare, në kuadrin e përmirësimit të kushteve dhe infrastrukturës nëpër zonat turistike, disa prej tyre vazhdojnë të jenë problematike, sikurse është edhe plazhi i Shëngjinit.

Turistë shqiptarë apo të huaj që e kanë vizituar atë gjatë këtij sezoni, shprehen se mungesa themeltare janë tualetet publike. Edhe pse investitorët që kanë zaptuar plazhet këtu po marrin me qindra euro në ditë prej pushuesve, thonë turistët, ata nuk kanë mundur të krijojnë nga dy WC publike për meshkuj e për femra respektivisht. Madje ata vënë gishtin edhe te komuna, që i ka pasur mundësitë të paguajnë dikë për mirëmbajtje dhe që çdo 200-300 metra të kishim tualete. Të tjerë ankohen për mungesën e dritave dhe të rojes bregdetare.

Edhe pse në dispozitën e fundit ligjore theksohet se, ?çdo njësi e qeverisjes vendore që ka në përgjegjësi administrimi dhe është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për plazh publik 20 për qind të territorit të përgjithshëm të plazhit?; më tej ?në të gjithë hapësirën e plazhit nuk lejohet vendosja e objekteve si ndërtime të llojeve të ndryshme si lokale, subjekte tregtare apo parqe lodrash?, turistët thonë se kanë qenë të detyruar të zgjohen herët në mëngjes për të zënë shezllone, për të cilët paguajnë 500 lekë të vjetra.

Për këtë situatë ka reaguar edhe përgjegjësja e sektorit të turizmit në Shëngjin, Enriketa Muça, e cila ka premtuar se në të ardhmen do të jetë tualete publike, duke theksuar se çdo ditë po përmirësojnë kushtet e ofruara për pushuesit, por veç kësaj ka pranuar edhe mungesën e herëpashershme të furnizimit me energji elektrike për shkak të ndërhyrjeve në rrjet. Përveç zonës së portit, ku nuk ka shezllone, në të gjithë hapësirën tjetër bregdetare nuk mundesh të gjesh plazhe publike. Megjithatë, për përgjegjësen duket se ligji për hapësiratpublike është respektuar… të paktën përpara kamerave!

Në një bisedë jashtë kamerës…

Enriketa Muça: Edhe s?mundesh të vësh lodra këtu, por vitin tjetër e kanë me urdhër.

Fiksi
: Po ku do t?i vendosin vitin tjetër?

E. Muça
: Do hiqen fare moj, do të gjendet një vend në shesh për shembull. Do të vendoset një zonë atje në fund, nuk do të ketë fare plazh dhe atje do të vendosen lodrat për fëmijë.

Fiksi
: Këtë vit u lejuan si u lejuan thuaj…

E. Muça
: Këtë vit u bë si u bë. E ka fajin shteti nga lart, se po të kishte dhënë urdhër shteti, këta nuk guxojnë të rrinë kështu. Sepse u vihen gjoba sa nuk e ke idenë.

Fiksi
: Shteti nuk vjen për inspektim ëëë?

E. Muça
: Shteti i lejon vetë. Tani më fal, ti je kushëri i ministrit, vjen edhe i vendos këtu… Çfarë do të të them unë? Gjërat vijnë zinxhir, po të mos dojë ai, ne nuk bëjmë asgjë.

Fiksi
: Po gjynah se janë shumë pranë me bregun…

E. Muça
: Ja, kjo zona këtu është zonë publike, por ata kanë vendosur çadrat (qesh)

E. Muça
: Po s?i vumë dot kushte pra, sepse i vendosën ku deshën. I ndanë ata të Tatim-Taksave, por ndodhi si ndodhi këtë vit, sepse ishin zgjedhjet.

/ Top Channel

Lajmet e fundit nga