LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Piramida fiskale, 4 kanalet e evazionit të bizneseve VIP

21 Gusht 2015, 12:18, Aktualitet CNA

100 VIP-at, paguan 30% të totalit të tatim fitimit në 2013-n dhe 800 VIP-at paguan 60% të tij. Përqendrimi te bizneset e vogla, që mund të sjellin maksimumi 5% të të ardhurve në buxhet është thjesht humbje kohe, me kosto të lartë e rendiment të ulët.. .

Rendimenti i përbotshëm fiskal prodhon të ardhura për buxhetet e shteteve në masën 60-70 për qind nga bizneset VIP, 5 për qind nga biznesi i vogël (ndonëse në numër përbën mbi 90% të totalit të bizneseve) dhe pjesa që mbetet prej 25-30 për qind paguhet nga shtresa e mesme e biznesit. Ky rezultat i mesatarizuar vlen edhe për Shqipërinë, ku bizneset VIP prodhojnë deri ne 70 për qind te të ardhurave për buxhetin dhe në të njëjtën kohë peshën më të lartë të evazionit mbi supe.

Sipas të dhënave që Monitor ka përpunuar nga të ardhurat dhe fitimet e bizneseve VIP, për periudhën 2013-2014, 100 VIP-at paguan 30% të totalit të tatim fitimit (rreth 5 miliardë lekë, nga 15 miliardë që ishte totali i tatim fitimit në 2013) dhe 800 VIP-at paguan rreth 60% të totalit të tatim fitimit.

Ekspertë të vjetër të tatimeve duke shpjeguar për Monitor se, si mund të qeveria shqiptare të arkëtojnë më shumë të ardhura me më pak shpenzime administrative sugjerojnë forcimin e kontrolleve për ata që janë të krye të piramidës fiskale (Vipat e biznesit). Sipas hulumtimeve në terren të ekspertit, bizneset e mëdha ushtrojnë evazion fiskal në katër mënyra.

E para nëpërmjet fshehjes së pagave reale dhe këtu hapësira për arkëtimeve është më shumë se, 100 për qind. Në një krahasim të të dhënave, të përpunuara nga Monitor, mësohet se vendet e rajonit mbledhin nga sigurimet shoqërore 8-10 për qind të PBB-së të ardhura për buxhetin, në një kohë që Shqipëria grumbullon vetëm 4 për qind.

Së dyti biznesi VIP bën evazion fiskal nëpërmjet inventarëve. Në këtë mënyrë ata shmangin TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin. Disa kompani, kryesisht ato që punojnë me mall të importuar dhe që e kanë të pamundur që në vendin e origjinës të ?rregullojnë? vlerën e mallit, pasi deklarojnë në tatime fatura shitje malli me çmim më të ulët se ajo që realisht shesin, me qëllim që të shmangnin detyrime të tilla si TVSH apo Tatim Fitimi,duke përfunduar në pasqyra financiare të mbifryra artificialisht në zërin e detyrimeve.

Së treti biznesi VIP bën evazion nëpërmjet procesit të importit të mallrave. Nëpërmjet elementëve të rëndë korruptive bizneset VIP shpjegon eksperti i fiskut shmangin pagesat miliona euro. Kjo skemë vërtetohet tërësisht duke krahasuar konsumin e disa mallrave të akcizës dhe rënien e importit të tyre. INSTAT raportoi se, në tremujorin e parë të vitit konsumi i artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara u rrit me 25 për qind, për të njëjtën periudhe doganat raportuan ulje të importeve të cigareve me rreth 7%. Krahasimi i konsumit të artikujve mallrave të tjerë të akcizës i nxjerr zbuluar importet e ulta në dogana të mallrave të fortë që kryesisht tregtohen nga bizneset VIP. Në fund të gjashtëmujorit të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se, plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuar, në këtë mosrealizim 68 % është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë).

-Së katërti biznesi bën mashtrim nëpërmjet tenderëve. Rendimenti i buxhetit shkallmohet rëndë sipas ekspertit të tatimeve edhe nga korrupsioni me tenderët publik. Agjencia e Prokurimit Publik gjatë vitit 2014 ka zhvilluar 6794 procedura të suksesshme prokurimi, ku 31% prej tyre janë zhvilluar me negocim pa shpallje paraprake, çka e ka kufizuar së tepërmi konkurrencën në tenderë. Shkak është bërë përplasja ligjore ndërmjet ligjit të buxhetit dhe atij të prokurimit. KLSH raportoi se abuzimet në institucionet publike arritën në 16 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit me një rritje 30 % në krahasim me një vit më parë.

Eksperti i fiskut thotë se, përqendrimi i aksionit antiinformalitet në bizneset e mëdha sjell më shumë produktivitet dhe ka më pak kosto në krahasim me të paktën 3 mijë tatimorë që duhen shtuar për të kontrolluar të 160 mijë bizneset e vogla në të gjithë vendin, të cilat në maksimumin e tyre nuk prodhojnë më shumë se për qind te të ardhurave buxhetore.
Ekspertët kanë dyshime nëse përqendrimi i madh i vëmendjes te bizneset e vogla do të gjenerojë një bum të ardhurash në buxhet. Edhe në të kaluarën FMN ka vlerësuar që kosto tatimore e kontrolleve mbi bizneset e vogla është më e lartë se të ardhurat që gjenerohen prej tyre, çka bëri që sipërmarrjet e vogla të mos ishin shumë në vëmendjen e tatimorëve. Të ardhurat nga tatim fitimi i thjeshtuar aktualisht zënë me pak se 2% të totalit të të ardhurave në buxhet dhe potenciali I tyre mund të shkojë maksimumi në 5%, duke mos arritur të mbushë vrimat e buxhetit.

Nga ana tjetër, teksa faktorët që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave në pjesën e parë të vitit po bëhen të qëndrueshëm (zhvendosja e konsumit, çmimet e ulëta të naftës etj), financat janë të detyruara të gjejnë burime të reja të të ardhurave në buxhet.

Lajmet e fundit nga