Deputetja Rudina Hajdari, e cila është kandidate e Nismës Thurje në Elbasan ka folur për fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Në një prononcim ekskluziv për CNA.al, ajo është shprehur e kënaqur për mënyrën se si po shkon fushata dhe modeli që ata kanë zgjedhur, duke dalë në terren dhe prekur nga afër problematikat e banorëve.
“Nuk gjej fjalë për të shprehur mirënjohjen ndaj mirjëra qytetarëve të cilët më kanë hapur dyert dhe zemrën duke më takuar e mbështetur në këtë fushatë. Kam qenë përsonalisht në cdo lagje dhe në cdo fshat të gjithë Qarkut të Elbasanit, kam prekur problematikat e shumta që kjo zonë ka si edhe kam takuar banorët e kam biseduar me ta gjatë mbi zgjidhjet që duhet të prodhojmë së bashku mbasi zgjedhjet të mbarojnë.
Në këtë kontekst jam shumë e kënaqur nga mënyra se si po shkon fushata edhe sepse kemi krijuar një ekip të mrekullueshëm me djem dhe vajza, zonja dhe zotërinj profesionistë të fushave të tyre dhe të përkushtuar ndaj shërbimit publik.
Jo më kot, zyrat tona elektorale në Elbasan janë përzgjedhur për tu vizituar nga Ambasadorja Amerikane Yuri Kim por edhe nga Ambasadori Britanik Duncan Norman. Mënyra se si ne e zhvillojmë fushatën dhe ekipi që kemi përzgjedhur janë një model i cili uroj të replikohet në të ardhmen nga të gjitha forcat politike”, tha Hajdari.
Sa i përket shqetësime më të shpeshta që ata kanë hasur Hajdari, tha se fatkeqësisht ato janë të ngjashme me ato të para 30 viteve, si uji i pijshëm, energjia elektrike dhe rrugët.
“Qytetarët më kanë pritur me shumë dashamirësi dhe më kanë mbeshtur shumë. Nuk ka ditë që të mos presim qindra qytetarë në zyrat tona elektorale të cilët duan të ndihmojnë apo të marr me qindra mesazhe në rrjetet sociale. Mesazhe inkurajuese dhe mbështetëse nga banorë të Qarkut të Elbasanit.
Fatkeqësisht shqetësimet e tyre janë të ngjashme me ato të para 30 viteve.
Në zonat rurale ende nuk ka rrugë, nuk ka ujë të pijshëm e as për vaditje dhe energjia elektrike mungon sa herë fryn erë apo bie shi e dëborë.
Është e trishtë kur shkon në fshatrat e Elbasanit dhe sheh që nuk është bërë as minimumi. Dje ishim në Sericë, një fshta që është vetëm pak km larg Elbasanit dhe të duhet 1 orë për të shkuar aty. Rruga nuk ka parë kurrë asnjë investim dhe kur bie shi kthehet në mankth për banorët. Njëri prej tyre më thoshte se nuk ka tmerr më të madh se sa kur mbeten mes baltës dhe nuk kthehen dot në shtëpinë e tyre. Jemi në vitin 2021 dhe është e turpshme se si flasim për këto cështje që janë bazike.
Më tej qëndron problemi i ujit. Nuk ka patur pothuajse fare investime në ujësjellsa dhe banorët ujin e kanë siguruar me tubacionet e tyre nëpër shtëpia dhe megjithatë paguajnë e jo pak. Cmimi ju është rritur dhe vetëm 8 vitet e fundit një banor në fshat përrllogarit që ka paguar shtesë rreth 600mijë lekë vetëm për ujin të cilin e ka siguruar me tubacionin e tij prej burimeve që na ka falur natyra.
Ujë ndërkohë nuk ka as për vaditje. Imagjinoni që Elbasani është qarku me burimet më të mëdha hidrike në vend dhe teksa uji është futur në tubat e Hec-eve banorët nuk kanë për të vaditur tokat.
Qyteti i Elbasanit vuan nga papunësia dhe emigrimi si edhe sundimi i bandave kriminale të cilat e kanë shndërruar Elbasanin në një nga hubet e përpunimit dhe shpërndarjes së kokainës në kryeqytetet europiane. E sikur kjo të mos mjaftonte, sipas statistikave Elbasani ka edhe numrin më të lartë të përdoruesve të drogës.
Kjo e shoqëruar me varfërinë e ka lënë qytetin dhe gjithë Qarkun mbrapa dhe peng të politikës dhe organizatave kriminale.”
Por sa e vështirë dot të jetë kjo garë për kandidaten e ‘Nismës Thurje’, përballë Taulant Ballës, kryetares së LSI Monika Kryemadhi, Myslim Murriziit dhe Gazment Bardhit?
LEXO EDHE: “8 fitoret” e Lulit/ E vërteta për Aurelën, demokratët dhe faktet që nuk i mohon dot askush
Hajdari tha se sfidën nuk e ka me personat e lartëpërmendur, por me skepticizmin që ata kanë mbjellë këto 30 vite ndaj figurës së politikanit.
“Sfida ime nuk është me personat e lartpërmendur por me skepticizmin që ata kanë mbjellë këto 30 vite ndaj figurës së politikanit. Njerëzit mendojnë sot, me të drejtë, se të gjithë politikanët janë mashtruesa, janë të lidhur me krimin e organizuar, janë të korruptuar e mendojnë vetëm për veten e tyre dhe një rreth të ngushtë.
Sfida ime është ti bind të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë se unë jam ndryshe, se unë shërbimin publik e konsideroj si një mundësi për të lënë një shenjë pozitive në historinë e vendit duke i dhënë zgjidhje problemeve dhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve. Dua të eci në gjurmët e babait tim dhe dua që ta lartësoj edhe më shumë emrin dhe veprën e tij.”
Hajdari tregoi se në qarkun e Elbasanit synojnë të paktën dy mandate dhe se Nisma Thurje tha do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve.
“Në Qarkun e Elbasanit ne synojmë të paktën dy mandate dhe unë besoj se jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë objektiv. Në nivel kombëtar unë besoj se Nisma Thurje do të jetë absolutisht supriza e këtyre zgjedhjeve dhe këtë e them duke parë zhgënjimin masiv që qytetarët kanë ndaj klasës së vjetër politike dhe nevojën për të zgjedhur si përfaqësues të rinj e të reja me vizion e ideale perëndimore dhe me ide të qarta për zhvillimin e vendit.”
Sa i përket shitblerjes së votave, Hajdari tha se forcat e vjetra kanë filluar mbledhja e kartave të identitetit duke u premtuar shumë parash. Ndërkohë që kryepleqtë dhe kryetarët e bashkive kanë filluar presionin ndaj personave që përfitojnë asistencë ekonomike.
Ajo shtoi se ka patur dhe raste kur persona nga organizata kriminale kanë rrahur e shantazhuar persona të cilët angazhohen me forca të ndryshme politike nga ajo që përkrah organizata.
‘Nga strutkurat tona në të gjithë qarkun lajmërohemi se forcat e vjetra po fillojnë të aplikojnë metodat e vjetra për ta tjetërsuar në mënyrë të jashtëligjshme vullnetin e qytetarëve. Ka filluar mbledhja e kartave të identitetit, sidomos ndaj shtresave më të varfëra dhe kjo po ndodh si nga elementë të maxhorancës edhe nga elementë të opozitës. I mbledhin kartat duke u premtuar shuma parash për votën ditën e votimit. Sekserët e votave paraqiten pranë kandidatëve apo atyre që sponsorizojnë blerjen dhe marrin paratë në këmbim të kartave. Ditën e votimit planifikojnë të aplikojnë metoda të ndryshme për tu siguruar që personi të cilit i kanë marrë kartën të votojë për subjektin e tyre.
Ka filluar presioni masiv kryesisht nga kryepleqtë dhe kryetarët e bashkive ndaj personave që përfitojnë asistencë ekonomike duke ju thëne se ajo do ju ndërpritet nëse nuk votojnë për partinë në pushtet.
Ka presion edhe nga ana e organizatave kriminale të cilat kërcënojnë dhe shantazhojnë, apo rrahin (ka patur disa raste në Elbasan deri tani) persona të cilët angazhohen me forca të ndryshme politike nga ajo që përkrah organizata.
Të gjitiha këto ndodhin, i dinë të gjithë banorët por fatkeqësisht reagimi i strukturave shtetërore është i vakët ose inekzistent”, theksoi Hajdari./CNA.al