LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Raporti, ja si i ndajnë paratë e korrupsionit gjyqtarët

7 Gusht 2015, 08:16, Aktualitet CNA

Zbërthehet skema e korrupsionit të ngritur në sistemin e drejtësisë shqiptare. Siç dihet tashmë, raportet ndërkombëtare, agjencitë dhe faktorët vendas e kanë klasifikuar drejtësinë shqiptare si një ndër më të korruptuarat, më të papërgjegjshmet dhe më të paaftat në planet.

Por si ka funksionuar në të vërtetë drejtësia shqiptare? Sipas të dhënave të bëra publike nga analiza e sistemit të drejtësisë, raport i miratuar pak ditë më parë nga komisioni i posaçëm parlamentar, niveli i korrupsionit është i shtrirë në të gjitha nivelet, duke filluar që nga policia gjyqësore e deri tek drejtuesit e gjykatave. Por cila është skema që ndiqet nga gjyqtarët dhe prokurorët në marrjen e ryshfetit? Paratë nuk jepen drejtpërdrejt, por me ndërmjetësinë e një personi të tretë, i quajtur ?sekser?, megjithëse sipas raportit ka pasur raste dhe të kontakteve të drejtpërdrejta të palëve me gjyqtarin apo prokurorin.

Zakonisht sekseri është një i afërt i familjes së gjyqtarit ose prokurorit, një mik i përbashkët, ose një avokat. Në çdo rast, sekseri është një person që gëzon besimin e gjyqtarit ose prokurorit për shkak të marrëdhënieve të vjetra private ose kontakteve të qëndrueshme të punës. Ka raste kur sekserin e bën avokati, i cili në mjaft raste i mashtron qytetarët, duke premtuar se do t?i japë paratë gjyqtarit.

Raporti thekson se ekziston një strukturë e mirëpërcaktuar e shifrave që paguhen për shërbime të ndryshme. Madje flitet edhe për ndarje të paracaktuar të përfitimit të paligjshëm midis gjyqtarit/prokurorit dhe ndërmjetësit ose personave brenda zyrës së gjyqtarit/prokurorit të cilët duket se marrin një përqindje për lehtësimin e kalimit të ryshfetit nga korruptuesi tek i korruptuari. Një tjetër element që theksohet është se palët në asnjë rast nuk komunikojnë me telefon, por gjithçka sqarohet gojarisht dhe pagesat bëhen me para në dorë.

Zakonisht gjyqtarë të korruptuar zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar deri në marrjen e parave. Nga ana tjetër, prokurorët marrin para për të mos e filluar një çështje, për të mos ngritur akuzë, ose që policia gjyqësore të prishë provat në vendin e ngjarjes.

Pronat dhe favoret

Përveç dhënies së ryshfetit, ekzistojnë dhe një sërë formash të tjera korrupsioni në gjyqësor. Sipas zbulimeve të bëra nga ekspertët e reformës në drejtësi, ka raste kur gjyqtarëve apo prokurorëve u jepen mundësi për biznes, u punësohen të afërmit, u falen ose shiten fiktivisht pasuri të patundshme si parcela toke, apartamente në bregdet, lokale, biznese, etj. Në analizën e sistemit të drejtësisë theksohet se gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë të vetmit aktorë të korruptuar në sistem, pasi pjesë e klanit të marrjes së ryshfetit janë dhe administratorët e kancelarët. Këta të fundit bëhen pjesë e korrupsionit kryesisht në hedhjen e shortit dhe caktimin e çështjeve. Raporti konstaton se ka të dhëna që flasin për kryetarë gjykatash që udhëzojnë administratorët e rrjeteve informatikë/kancelarët e gjykatave që t?u caktojnë çështje gjyqtarëve të veçantë.

Transferimi i parave

Ndonëse në deklaratat e tyre të pasurisë gjyqtarët dhe prokurorët rezultojnë me një pasuri mesatare, në të vërtetë ajo është shumë herë më e madhe. Sipas zbulimeve të ekspertëve, pothuajse të gjithë personat e korruptuar në drejtësi përfitimet e tyre i nxjerrin jashtë vendit. Ka raste që një gjë e tillë bëhet përmes transaksioneve të fshehta bankare, ose dërgohen përmes personave të caktuar. Një tjetër mënyrë e fshehjes së pasurisë është duke ua dhënë të ardhurat personave të besuar, të afërmve ose persona të tjerë të caktuar.

Lajmet e fundit nga