LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Turizmi në Las Vegas

12 Korrik 2015, 06:15, Lifestyle CNA

Pjesa më e madhe e turistëve nuk shkojnë më për bixhoz, por për argëtime të tjera si koncertet, shfaqjet dhe restorantet me famë.

Një numër rekord vizitorësh po zgjedhin Las Vegasin si destinacion pushimesh. Qyteti në mes të shkretëtirës në shtetin e Nevadës e ka ndryshuar imazhin e tij nga një skenë dëfrimesh në një qytet që ofron një larmi argëtimesh e aktivitetesh, shumë prej të cilave të përshtatshme edhe për pushime familjare.

Ndriçimi vezullues i Las Vegasit është sinonim me qytetin e shkretëtirës që ka marrë famë si një destinacion dëfrimesh. Për dekada me radhë, vargu i hoteleve kazino ka tërhequr njerëz që donin të shijonin jetën e shfrenuar të shpenzimeve marramendëse në lojërat e fatit.

Megjithë vështirësitë që hasi gjatë recesionit të 2008-s, qyteti e ka marrë veten dhe po përjeton një bum të turizmit. Ky sektor gjeneron më shumë se 45 miliardë dollarë fonde për ekonominë lokale dhe mbështet 376 mijë vende pune.

Në vitin 2014 turizmi përdori thuajse 90% të kapacitetit të hoteleve, duke ia kaluar ndjeshëm mesatares kombëtare prej 65%. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë nga Shtetet e Bashkuara, por gjithnjë e më shumë po vijnë turistë të huaj, të cilët vjet përbënin 19% të numrit të përgjithshëm të vizitorëve.

Ajo që dallon nga dekadat e mëparshme është se një përqindje në rritje e vizitorëve vijnë në Las Vegas jo për bixhoz dhe lojërat e fatit, por për argëtimet e tjera të qytetit. Epiqendra e hedonizmit ka filluar të marrë, me sa duket, një pamje më komplekse. E përse jo? Ku tjetër në botë mund të vizitosh Nju Jorkun dhe Parisin brenda një pasditeje? Në vend të ruletit, vizitorët frekuentojnë restorantet me famë botërore, klubet, sallat e koncerteve ku gjen disa nga emrat më të njohur të muzikës pop si dhe shfaqje spektakolare.

Fred Harmon është drejtor për menaxhimin në hotelin Tropicana:

?Secili nga vizitorët do diçka të ndryshme. Vegasi të jep mundësi të krijosh kujtime krejt të ndryshme. Mund të vish dy-tre herë dhe çdo herë të kesh kujtime të ndryshme?.

Hoteli Tropicana, ku dikur jepnin koncerte emra si Frank Sinatra dhe Dean Martin, ka shpenzuar 200 milionë dollarë për të modernizuar pamjet dhe shërbimet. I gjithë kati i 20-të është transformuar në gjashtë suita luksoze me pamje madhështore të qendrës së qytetit. Dhomat kushtojnë disa mijëra dollarë në natë, por mund të përfshijnë edhe një shërbëtor personal.

Zoti Harmon thotë se klientët po bëhen gjithnjë e më kërkues dhe duan një shërbim sa më luksoz:

?Duan restorante shumë të mira, duan koncerte, duan trajtim në sallon masazhi. Gjashtë vjet më parë nuk kishim klientë të tillë që kërkonin shërbime për relaksim. Tani jemi gjithmonë të prenotuar në fundjavë?.

Pishina është bërë një tjetër skenë argëtimi, ku hotelet sjellin DJ për t?u krijuar klientëve atmosferë muzike dhe kërcimi.

Angelica Gomez ka ardhur nga Kalifornia.

?Është një atmosferë e mrekullueshme. Dëfrehesh, kalon kohë me miqtë. Është shumë vend i mirë?.

Nathan McBain ka ardhur nga Australia.

 ?Çdo pesë vjet Las Vegasi ndryshon. Prandaj njerëzit vijnë përsëri e përsëri, pasi çdo herë gjejnë diçka të re?.

Cathy Tull, e Agjencisë së Turizmit për Las Vegasin thotë se Las Vegasi premton për të rriturit një moment për t?u shkëputur nga jeta e përgjegjshme.

?Ato që ndodhin në Vegas, mbeten në Vegas. Ky qytet personifikon lirinë personale për të rriturit, mundësi për të zgjedhur. Për dikë kjo mundësi nënkupton se do të hajë një darkë me 10 pjata, për dikë tjetër një ditë relaksimi me masazh. Për çdo vizitor ofrojmë diçka?.

Ky premtim vazhdon të tërheqë vizitorë nga Amerika dhe gjithë bota drejt dritave vezulluese në mes të shkretëtirës.

 

20:07 Lifestyle

Dobitë e kumbullës

Kumbullat janë një frut që kanë në përbërje të tyre, lëndë s...

18:45 Lifestyle

Sëmundja e kohës

Koha është parë si armiku më i madh i njeriut, një forcë mis...

Lajmet e fundit nga