LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Grida Duma e Vangjush Dako flasin për Zërin e Amerikës

13 Qershor 2015, 06:28, Aktualitet CNA

Zëri i Amerikës: Zonja Duma! Për herë të parë në historinë e këtij qyteti kandidon një grua për drejtuese bashkie. Në grida dumamorinë e temave që mund të thoni dhe që keni projektuar, çfarë mund të veçoni? Cila është ambicja juaj kryesore? Çfarë do t’i jepni qytetit nga vetja juaj?

Grida Duma: Durrësit do t’i jap gjithë veten time në të gjithë dimensionet; si grua, si njeri që e do këtë qytet, sepse ai më ka bërë kjo që jam deri në moshën 22 vjeçare. Më pas vazhdova studimet dhe shkova në Tiranë, sepse universitet në Durrës nuk kishte. Asnjëherë nuk jam shkëputur nga Durrësi dhe asnjëherë nuk e kam menduar. Çfarë do t’i jap këtij qyteti? Shumë gjëra që i mungojnë. Së pari do t’i kthej durrsakëve dhe banorëve të Durrësit gjithçka me politika zhvillimi, sepse është ngritur në Shqipëri legjenda se ka vetëm politika, por nuk ka politikë zhvillimi. Qyteti ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për ringritje, sidomos ekonomike, por nëpërmjet identitetit të vet historik. është një qytet që ka trashëguar shumë histori, arkeologji, shumë bregdet, natyrë me 300 ditë diell, dhe në fakt sot është një qytet i varfër, një qytet pa obcione. Dikur njerëzit emigronin drejt Italisë me anije të mëdha, tani po emigrojnë sërish. Kjo nuk duhej të ndodhte, sepse ky qytet do të duhej të ishte poli tërheqës i turizmit, i prodhimit bujqësor, i historisë dhe arkeologjisë.

Zëri i Amerikës: Cili është realiteti dhe cilat janë projektet tuaja?

Grida Duma: Ne kemi në Durrës site arkeologjike, që i ka zili bota. Durrësi mund të ishte ?Roma e Shqipërisë? me kodrinat rreth e qark, që do të përbënin ?Toskanën e Shqipërisë?. Kjo perspektivë nuk duhet të jetë ëndërr për këtë qytet.

Në fakt, ne sot duhet të flisnim për gjëra shumë herë më të mira se sa vetëm ringritja bazike e qytetit, sepse ai vuan sot nga gjëra shumë bazike: vuan nga mungesa e ujit, vuan nga mungesa e infrastrukturës, vuan nga mungesa e pastrimit dhe e kanalizimeve, vuan nga mungesa e planifikimit urban, sepse është hedhur beton deri në qiell nga lartësia e godinave, dhe ndërkohë ka rrugë të shkatërruara, ka mjedise qytetare, të cilat midis pallateve vuajnë sikur të ishin një vend i Afrikës. Në këtë kuptim qyteti kërkon plane emergjence dhe paralelisht një plan të afatgjatë që të çon drejt turizmit, sepse tani Bashkia e Durrësit është e madhe tani; mbaron në Kepin e Rodonit dhe atje do të kemi një zonë tjetër turistike.

Zëri i Amerikës: Këtij qyteti antik dhe të famshëm i janë shtuar edhe disa duzina me fshatra me ndarjen e re territoriale. A keni ju një plan, si do të qeverisni njëkohësisht edhe jetën e fshatit edhe jetën e qytetit?

Grida Duma: është një trekëndësh i artë e kam quajtur unë: Agro-turizëm, bregdet, dhe arkeologji/histori. Mendoni të bëjmë bashkë prodhimet e freskëta nga kodrinat rreth e qark Durrësit, me bujtina në to, me pushimet në bregdet dhe vizitat në qendrat arkeologjike. Do të zgjedh profesionistët më të mirë. Kam menduar që bashkia ka nevojë për një strukturë shumë më horizontale në funksionimin e vet. Mund të rritet numri i nënkryetarëve; së paku nevojitet një nënkryetar bashkie për bujqësinë, dy departamente në qendër dhe njësitë ekzistuese të komunave janë domosdoshmëri. Nuk mund të qeverisësh më nga zyra. Një nga problemet që kemi ne në të gjithë sistemin tonë është se të gjithë specialistët drejtojnë nga zyrat.

Zëri i Amerikës: Sa banorë ka zona e re dhe si jetojnë?

Grida Duma: Durrësi është një qytet, i cili në verë dyfishohet. Në dimër është një situatë krejt tjetër. Sipas Censusit të fundit, Durrësi ka rreth 178 mijë banorë. Por faktikisht banorë në Durrës mbi 268 mijë, shifër që bëhet rreth 400 mijë në peiudhën e verës. Një pjesë e madhe e tyre, pra, jetojnë në të zezë dhe jo pak të tjerë punojnë në të zezë. Ajo që nuk shkon, sidomos është rritja e taksave në kushtet kur kryetari aktual e di shumë mirë që gjysma e ekonomisë është informale. Mendoni se çfarë ndodh me teorinë e taksave të rritura kur ti rëndon pikërisht ata që paguajnë taksa dhe nuk rëndon aspak ata që nuk paguajnë taksa. Përvoja në vende të zhvilluara, si për shembull, SHBA-të, që njihet si modeli i mrekullueshëm i kapitalizmit maksimal, ka treguar se e vetmja gjë që funksionon në informalitet është taksa gjithnjë e më ulët. Kjo është objektivi i madhe dhe vendimi i parë që unë do të ndërmarr si kryebashkiake e ardhshme; pra do të ul taksat në minimumin e mundshëm. Unë besoj te taksat e ulëta dhe te monitorimi i drejtë i tregut.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet e mëdha shumëvjeçare të qeverisjes në Shqipëri është se taksat nuk shkojnë asnjëherë për atë fushë që mblidhen. Si do të veproni me taksat në një zonë me armi aq të madhe interesash në fshat dhe në qytet?

Grida Duma: fatmirësisht, unë besoj te ajo që thotë: jepi më shumë atij që vlerësohet më shumë – si thonë në SHBA. Kjo është teoria e zhvillimit: nëse një njësi prodhon më shumë të ardhura

dhe taksa, ajo do të marrë më shumë shërbime, sepse aty qëndron edhe pika e fortë e ekonomisë. Nëse nuk i japim dhe rishpërndajmë në atë masë që u marrim zonave të veçanta, rrezikojmë dështimin e tyre dhe rishpërndarja pastaj është e dështuar. Unë vesoj se duke u dhënë më shumë zonave që japin më shumë, kjo është mënyra më e mirë dhe e nxit pjesën tjetër, që do të marrë më pak.kjo është një sjellje tërësisht e djathtë. Dhe ua kam premtuar këtë komunave; u kam thënë që kështu do të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Qyteti i Durrësit ka një paradoks: është motori më i fuqishëm i ekonomisë kombëtare, me portin, me austradat me trenat dhe këtu nuk mbetet asnjë monedhë. Mijëra ton mallra kalojnë këtu, shkelin të gjithë, ikin dhe nuk këtu nuk lënë asgjë. Si mund të përfitojë Durrësi më shumë nga këyo kapacitete infrastrukturore?

Grida Duma; Së pari, porti është sot nën drejtimin e qeverisë qendrore. Nga ana tjetër, ai është trajtuar gjithmonë vetëm si port industrial. Porti nuk është trajtuar si port turistik, gjë që do ta bënte pjesë të menaxhimit prej qytetit. Kjo është një situatë që duhet të ndryshojë domosdoshmërisht. Mund të diskutohet nëse pjesa industriale duhet qeverisur nga qeveria qendrore apo jo. Por nuk nuk mund të ketë asnjë diskutim se pjesa turistike e portit mund dhe duhet të qeveriset nga bashkia. Po ashtu, shpresoj që në dy vitet në vijim, të biem dakord që muri i portit nuk duhet të ekzistojë më. Kështu qyteti do të hapet drejt detit dhe do të shjonte drejt zonës ekonomike me normalitet dhe jo drejt një zone të lirë ekonomike sikur të ishte embargo. Unë mendoj se është krejtësisht e realizueshme. Kjo do të nxjerrë në pah edhe portin e peshkimit bashkë me markatën e peshkut. Edhe pa hequr murin e portit, edhe me një shkurtim minimal të tij, ne do të nxjerrim portin e peshkimit në dritë qysh në momentet e para dhe do të ngremë kompartimentin e peshkut, që do të jetë pika qendrore e furnizimit me produkte detare për të gjithë Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Cili është mesazhi juaj për votuesit dhe qytetarët e Durrësit?

Grida Duma: Mesazhi im është që t’i largohemi pesimizmit që gjërat nuk ndryshojnë. Natyra na ka falur një mrekulli: na ka falur qytetarë të jashtëzakonshëm durrsakë, që edhe në Europë e në SHBA ia kanë dalë shkëlqyer, dhe ne do t’ia dalimm bashkë në vendin tonë. Ndryshimet do të nisin nga jeta e përditshme- me nje paln emergjence pëe të pastruar dhe për të rregulluar shtëpinë. Këtë mund ta bëj shumë më mirë se ajo që është bërë deri tani. Duhet të ndajmë bashkë të vërteta dhe jo gënjeshtra si të kundërshtarëve sikur gjoja ?Na flet puna?, se kur puna flet, ne nuk duhet të flasim mbi të keqen, por duhet të flasim mbi të mirën.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Dako! Ju jeni pretendent për të tretën herë për të drejtuar bashkinë e Durrësit. Cili është thelbi i projekteve tuaja të reja për Durrësin?

Vangjush Dako: Ne kemi realizuar shumë punë gjatë këtyre 8 viteve, por qyteti ka nevojë çdo ditë të transformohet, çdo ditë të ndryshojë, dhe ne kemi shumë projekte për Durrësin, prandaj kërkojmë një mandat të tretë për të vazhduar në këtë rrugë që kemi nisur për të ndryshuar Durrësin. Unë mendoj se ky qytet, me të cilin unë jam shumë i lidhur, meriton të ndryshohet dhe unë kam këtë fat që të punoj për ta ndryshuar këtë qytet.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga projektet kryesore që mbizotërojnë në mandatin tuaj të ri?

Vangjush Dako: Do të vazhdojmë me përmirësimin e cilësisë së jetës të banorëve të rinj të qytetit të Durrësit, sepse tashmë kemi një Durrës, që falë reformës territoriale është shtrirë më gjerë, në të cilin jetojnë banorë në një gjendje jo të mirë të infrastrukturës. Ne do të ndërhyjmë për të përmirësuar infrastrukturën e gjithë zonave të reja duke filluar nga Ishmi, Manza, Sukthi, Katundi i Ri dhe Rrashbulli. Nuk do të lëmë pas dore edhe ato punë, të cilat nuk i kemi përfunduar për Durrësin. Pra, fokusi i parë dhe më i shpejtë do të jetë ndërhyrja për përmirësimin e infrastrukturës, rritja më tej e cilësisë së jetës së banorëve të qytetit të Durrësit, në çdo cep që ata jetojnë.

Zëri i Amerikës: Një sfidë e re është që ju tani do të menaxhoni edhe jetën e fshatrave përreth, që i janë bashkuar Durrësit. Kjo është një përvojë e re për ju. Ju nuk keni menaxhuar më parë jetën e fshatrave. Si do ta tejkaloni këtë sfidë?

Vangjush Dako: Kjo vërtet është një sfidë për ne dhe gjithë këta banorë të rinj, të cilët, kanë një tematikë apo një mënyrë jetese të ndryshme nga ajo e banorëve të qytetit, sepse shumë prej tyre merren me bujqësi. Ne jemi orientuar për të mbështetur dhe për të zhvilluar bujqësinë, sepse e shikojmë edhe si një nga shtyllat për të rritur zhvillimin ekonomik të qytetit. Deti dhe toka janë dy mundësi, të cilat ne duhet t’i shohim si mundësi zhvillimi dhe jo se thjesht i kemi dhuratë nga Zoti, por edhe me detin edhe me tokën kemi mundësi të sjellim të mira materiale, të sjellim rritje ekonomike për çdo familje durrsake dhe aq më tepër për banorët e zonave, që 90 për qind e tyre merren me bujqësi. Ne duhet t’u japim mundësi dhe duhet t’i mbështesim, që ata të fitojnë dhe të rritin mirëqenien e tyre familjare.

Përveç problemit të bujqësisë në gjithë këto zona, duhet të përmirësojmë cilësinë e jetës me rrugë, me infrastrukturë, me furnizim të ujit të pijshëm, me çdo gjë që është e nevojshme për një jetë normale të këtyre banorëve. Sepse kemi konstatuar që gjendja në këto zona, në këto fshatra, është e rënduar, është pothuajse si në Mesjetë në disa raste.

Zëri i Amerikës: Një nga vështirësitë më mëdha është që taksat nuk shkojnë në ato fusha për të cilat mblidhen. Në një zonë kaq të madhe me interesa të larmishme, si do t’i përdorni taksat dhe si do t’i garantoni banorët, që taksat do të përdoren për atë çështje që janë mbledhur?

Vangjush Dako: Ne kemi një përvojë për buxhetimin me pjesëmarrje, ku taksat dhe investimet tona janë të balancuara. Pra, ne i hedhim investimet aty ku ka më shumë nevojë, pa parë qytetarë të majtë apo të djathtë, të rinj apo të vjetër, nga veriu apo nga jugu, ne investojmë në zonat ku ka më shumë banorë, ku ka më shumë biznese, pra ku numri i përfituesve do të jetë më i madh, kjo do të thotë se investimet tona janë të përqëndruara atje ku sjellin zhvillim. Nuk bëjmë një rrugë ku janë 10 familje, por bëjmë më parë një rrugë ku jetojnë 100 familje. Nuk bëjmë një rrugë ku ka 5 biznese, por bëjmë një rrugë ku ka 100 biznese dhe ku shpresojmë se do të rriten bizneset.

Kjo do të thotë që buxhetet tona janë të mirëmenduara dhe të mirëllogaritura përpara se të fillojmë investimet. Këto i realizojmë edhe me kontaktet me banorët, të cilëve ua bëjmë me dije se kemi këtë shumë parash për të investuar dhe ejani të gjithë së bashku t’i ndajmë ku ka më tepër nevojë, pra, për të patur një transparencë dhe diçka të balancuar.

Zëri i Amerikës: A ka qenë në shkallën e duhur kjo transparencë?

Vangjush Dako: Këtë praktikë e kemi përdorur në zonat periferike të qytetit aktual të Durrësit. Kemi bindur banorët që investimet tona ia vlejnë dhe nuk kemi patur asnjë rast ndonjë kontradiktë pse bëtë këtë rrugë, por bëtë atë. Investimet kanë qenë për shumicën.

Zëri i Amerikës: Zoti Dako! Ju keni punuar edhe me qeverinë e djathtë. A është ndjerë në Durrës ndërrimi i partive në qeveri dhe në pushtetin vendor? Çfarë mund të thoni për të ardhmen e kësaj pune?

Vangjush Dako: Në të vërtetë është ndjerë shumë. Fatkeqësisht kanë ndodhur dhe realisht nuk duhet të duhet të ndodhin. Për 6 vite kemi patur vetëm bllokime nga qeveria, vetëm marrje peng dhe mbajtje peng të një qyteti. Ndërsa një vit e gjysmë kemi një frymë tjetër, kemi një stinë të re për mua dhe për të gjitha administratën e bashkisë në raport me qeverinë qendrore. Kemi një mbështetje totale nga qeveria për projekte të cilat ne kemi aplikuar. Ato janë projekte që Durrësi i ka merituar prej vitesh dhe nuk i ka përfituar vetëm për arsye politike.

Ne mendojmë që çdo bashki dhe çdo kryetar bashkie, kanë nevojë për qeverinë qendrore. Veprat e mëdha publike nuk mund të bëhen vetëm me fondet e bashkisë. Për këtë arsye duhet bashkëpunim dhe duhet mirëkuptim dhe një mbështetje nga ana e qeverisë qendrore, sepse pa financimet e qeverisë qendrore, buxhetet tona nuk janë në gjendje të kryejnë investime të mëdha. Përmes buxheteve tona ne mund të realizojmë shërbime, për të mbajtur qytetin, për të riparuar shkolla, kopshte dhe çerdhe, për të gjelbëruar parqet.

Investime të mëdha në qytete, nuk mund t’i realizojmë vetëm me fondet tona. Nëse bashkia dëshiron të bëjë një investim, nuk mund ta realizojë e vetme pa mbështetjen e qeverisë. Veprat e mëdha, punët e mëdha, për të cilat bashkitë dhe qytetrarët kanë shumë nevojë kërkojnë patjetër mbështetjen e qeverisë . Me këto buxhetet tona ne nuk mund të realizojmë. Me buxhetet aktuale ne kryejmë vetëm shërbimet.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të bëni ju në një madat të ri për të nxitur ekonominë e Durrësit, i cili njihet si qytet tregtar së pari dhe pastaj turistik?

Vangjush Dako: Për sa i përket biznesit të vogël në Durrës ai tashmë është i konsoliduar. Për këtë puna ime si kryetar do të vazhdojë si deri tani normalisht, por e kemi kaluar problematikën me biznesin e vogel. Ia kemi dhënë të gjitha mundësitë gjatë 8 viteve dhe kemi një bashkëpunim të mirë dhe të suksesshëm me gjithë sipërmarrësit e vegjël.

Problemi jonë është rritja ekonomike në përgjithësi. Dhe sot nëse ne deri tani trajtuam bizmesin e vogël, këtej e tutje do t’i quajmë fermerë të vegjël. Duhet të mbështesim fermerin e vogël që të gjejë mundësi zhvillimi dhe të hapë vende të reja pune. Kështu ata shtojnë numrin e punëtorëve edhe me familjarët dhe me persona të tjerë.

Nga ana tjetër, shpresojmë shumë që në zonën e Durrësit të ndërtohet një park industrial, një zonë e lirë ekonomike, ku do t’u japim mundësi sipërmarrësve për ta përdorur si zonë të lirë prodhimi për eksport. Gjithçka që zhvillohet në atë zonë do të shkojë në perëndim, shfrytëzojmë pozicionin gjeografik të Durrësit pët të zhvilluar biznesin e madh, por përmes të tij edhe atë të vogël, i cili përfiton këtu me shërbime të dyta etj.

Zëri i Amerikës: Sa janë kapacitetet e punësimit në këtë zonë të lirë? Çfarë do të bëni për bizneset prodhuese?

Vangjush Dako: Qeveria e ka përcaktuar zonën, bashkia i ka dhënë mundësi për 480 hektarë truall për të ndërtuar zonën e lirë. Ne jemi të bindur që me përfundimin e atij projekti, jo vetëm durrsakët, por edhe shumë të tjerë do të punësohen; vetëm nëse njerëzit nuk do të duan punë, se për vende pune do të ketë me bollëk.

Zëri i Amerikës: Cili është mesazhi për votuesit tuaj?

Vangjush Dako: Mesazhi im për votuesit është: Ne e duam qytetin së bashku dhe do të bëjmë më të mirën për ta vazhduar në drejtimin e duhur transformimin e qytetit. Ato punë të mira të mira që kemi realizuar këto 8 vite nuk mjaftojnë. Duhet akoma më shumë. Gjithë durrsakët kanë etje për ndryshime, për punë, për një Durrës me imazh sa më të bukur, sa më dinamik, të një qyteti në zhvillim dhe kërkojmë votën, që së bashku ta vazhdojmë punën në drejtimin e duhur, për të përmirësuar dhe transformuar çdo ditë qytetin tonë.

18:00 Aktualitet

 Këngëtarja bombastike 45 vjecare i ka mahnitur të gjithë të...

Lajmet e fundit nga