LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuk e kemi modelin makroekonomik të ekonomisë të turizmit

12 Qershor 2015, 13:05, Opinione CNA

Nga Artan FUGA 

 

Vetura jonë kalon Ujin e Ftohtë në Vlorë ku tuneli i zgjeruar tashmë prej kohësh duke si një gropë thithëse që të tërheq drejt një vakuumi të madh që është bregdeti shqiptar i Jugut. Jam me një ndjenjë të dyfishtë. Llogaranë do ta kaloj natën, çka më jep pak ankth, por nga ana tjetër, sikurse thotë njeriu im që drejton veturën, errësira e kthen rrugën në një nocion abstrakt, ku sheh vetëm vija të bardha dhe sinjalizime duke krijuar ndjesinë se hapësira nuk ekziston. Psikologjikisht kjo na ndihmon që orët e udhëtimit nga Durrësi në Vlorë e mandej pasi futesh në « vrimë të gjilpërës », te tuneli i Ujit të Ftohtë, të kalojnë shpejt dhe sipari i një teatri tjetër shqiptar hapet, Bregu.
Ndjesia e mirë që kam është se detin Jon nuk do ta shoh nga sipër, si njeri me pushtet, nuk do ta shoh nga lartësi marramendëse që i mënçuri francez thoshte disa dekada më parë se është një gjendje që të ndjell cmirat e pushtimit, që zhduk horizontin mes ajrit dhe ujit dhe masën gjigande ujore, simbolin e pafundësisë e kthen në një gjol a legen të vockël që i sheh fillimin dhe fundin. Por, ndjesitë e mia i mbaj të fshehura në atë veturë ku hija e mbrëmjes nuk na lejon të shohim veçse dritat e aparaturave të bordit që tregojnë xhirot e motorrit, kilometrazhin dhe mbi të gjitha edhe sa karburant kemi për të arritur në Dhërmi ku kemi vendosur të kalojmë natën. Të gjithë udhëtarët e tjerë mezi presin ta shohin detin blu nga kreshtat e maleve dhe kodrave përreth. Duket se vetëm unë kam ndjesinë estetike për ta marrë kënaqësinë duke i parë gjërat dhe natyrën nga poshtë. I dua planet e rrafshta, janë njerëzore, sytë vendosen në dimensionin njerëzor kurse kur sheh nga lart kundron botën me sytë e shqiponjës dhe të skifterit. Por, nuk i them mendimet e mia brenda asaj veture edhe sepse nuk dua të prish kuptimin e udhëtimit, por edhe sepse jam në pakicë në këtë ndjenjë dhe kam frikë se po ta them një breshër kundërshtimesh legjitime do të bien mbi mua.
Midis Dukatit dhe Tërbaçit çajmë përpara në errësirë. Sapo kemi kaluar pjesën e rrugës që shtrihet në të dalë të Vlorës e ndodhet pothuajse buzë detit. Ndjehet një ajër mbrëmjeje, i ngrohtë dhe i lagësht. Nga pak lagështira të merr frymën në një ndjenjë zagushie. Në të dy krahët e rrugës ka restorante, të cilët kanë një pjesë të brendshme, shpesh herë edhe me konstruksione druri, e pastaj edhe verandën e jashtme, vendi pikërisht ku qendrojnë klientët e pakët. Një pjesë duken se janë udhëtarë sepse kanë parkuar veturat e tyre jashtë portës të lokaleve, vetura me targa disa të huaja e disa nga rrethe të tjerë. Kalojmë disa restorante njeri pas tjetrit ku në hyrje të ftojnë burra veshur labçe, me shkopin e bariut në dorë. Janë si afishe, baniera marketingu, me dy këmbë. Një përpjekje për t?i dhënë një penelatë lokale mjedisit dhe pejsazhit tregtar në atë copë udhë. Ndofta turistët dhe turistet e huaja tërhiqen nga veshjet dhe sjellja origjinale e këtyre njerzve, por ne nuk është se u tutëm.
« Kjo tregon se aty shërbehet më shumë mish, disaherë edhe në hell » – thotë drejtuesi ynë i veturës. « Por, ne jemi për peshk, apo jo ? »
Sigurisht. Qendrojmë në një restorant me verandë të hapur, shtrirë në një sipërfaqe që ka gjatësi, por në gjerësi është e ngushtë. Lokali kufizohet nga restorante të tjerë. Pothuajse të ngjashëm. Kemi përsëri « ekonominë e shkallës » – këtë mortje që po na shkatërron gjithandej. Tre berberhane në një shesh pallati, pesë farmaci në një rrugicë, tridhjetë lokale shitjesh perimesh dhe zarzavatesh në një lagje. Kioska pa fund që shesin të njejtën gjë. Kur do ta kuptojmë ne dhe shteti se kjo liri në biznes është pikërisht shkatërruesja e biznesit, ajo copton klientelën dhe në vend të ngrihen disa rrëzohen të gjithë.
Ka shumë pak njerëz në lokal. Ca tavolina të mekura. Mënyja gjithandej si në Shqipëri. E njejtë dhe uniforme sikurse je në ndonjë lokal në Tiranë, sikur je në Malin e Dajtit, sikur je te Currilat në Durrës, si në Sauk, apo edhe në Konsipol. « Sallatë ? Cfarë dëshironi ? Rukola, mikste, fshati, greke, jeshile ? ». Mjaaaaaft ! Uf, gjithandej, në fakt, e njejta gjë me emra të ndryshëm, ca domate të prera në copa të mëdha, tranguj, pak qepë, ndonjë fije speci, Ju fut atyre ca vaj ulliri, nëse është i vërtetë, sepse nuk ka etiketë por i futur në ca si shishka jofort transparente, gjithandej të njejta, dhe mund të shuash urinë. Nuk e di se përse ajo lloj sallate më duket shumë e mirë për të prerë urinë në mënyrë që të hash më pak pjatë kryesore që sigurisht kushton më shumë.
Kamarieri është i sjellshëm, burrë zeshkan në një farë moshe. I pastër, i duruar. Cfarë të bëjë më tepër ! Edhe wc ishin të pastra. Duhet zgjedhur koha kur shkohet në wc në një lokal. Më e përshtatshmja si rendiment kohe është pasi i ke dhënë porosinë kamarierit dhe kohës ku ai servir pjatën e parë. « Kemi edhe perime të furrës, të pjekura » – përsërit kamarieri zeshkan duke më sjellë në vesh të njejtin refren që dëgjon kudo nëpër Shqipëri. Ata që hiqen si më afifë e që i kanë shpëtuar gjoja lukunisë të oreksit hamës, kërkojnë pikërisht këto « perimet e skarës ».
Kam të përzjera.
Pjata e dytë përsëri njësoj gjithandej nëpër Shqipëri. « Rizoto me fruta deti, pasta me dreq, pizza, yndyra mbetet nëpër pjata dhe ti kupton pasi shuan urinë e udhës, se çfarë u ke bërë arteriereve atë mbrëmje të lagësht gushti.
« Cfarë dëshëroni ? Pastaj si të dytë kemi peshk, barbunjë, kocë, ose cfarë të doni… midhje, mish. » E njejta gjë gjithandej. Standarde. Barazi e plotë. Në fushën e ligjit nuk e kemi, por të kulinarisë e realizuam. Të vjen në majë të hundës nga mërzia kulinare. O gjyshe ku je ??? E them ndryshe këngën e metisit të ri belg që më duket sikur këndon :
« Ku je gjyshe,
ku je ?
kuje,
kuje. »
Ka mbaruar edhe guzhina shqiptare, e mbyti fastfoodi, restoranti që do fitim të shpejtë, pakujdesja e institucioneve shtetrore që nuk bëjnë kujdes të dinë se cfarë specialiteti të veçantë ka cdo restorant që hapet. Ta marrë dreqi edhe ndonjë kruasant francez që të propozojnë, ai i ngjan byreqeve të kioskave të rrugëve me kthesa në ndonjë fshat të humbur në rrugën e tmerrshme Fier ? Tepelenë. Edhe restoranti aziatik gatuan hajde ? futja sikur je në ndonjë mencë puntorësh. Ore a e kupton turizmi shqiptar se në restorant nuk shkohet për të ngrënë, por për të ndarë ushqimin me të tjerët në një moment bisede të hidhur a qeshur ? Si nuk kemi dalë nga mentaliteti i mencës puntore edhe në ekonominë e tregut !!! Si e riprodhojmë atë duke shkuar në fis !!!
Trilece, akullore (e rrezikshme), krem karamel ? për ta mbyll. Zgjidhni ! O gjyshe ku je ? Kuje, kuje ? më vjen të thërras, kur më kujtohen bakllavatë, kadaifi, sheqerparet, asudeja, tespiçet, tollumbat, katmarët, soxhukët, që dilnin nga dora e gjysheve tona.
Vjen turisti italian dhe këta i propozojnë të hajë si ëmbëlsirë, në fund të darkës, para se të shkojë në shtratin e verës, akullore standarde, të shkrirë e ringrirë disa herë. Kur mund ta bënin sheqerparen shqiptare të njohur në të gjithë Mesdheun.
Trileçe, ruajna Zot, më duket si reklamë brisqesh në vitet ?60, « Triteste ». Rruanin mirë ato brisqe…
Më vjen që dikujt t?i derdh kremkaramelin në kokë. Nuk ke se cfarë ha fare ! « E di çfarë ke ? i them kamarierit zotni, e burrë i mirë ? më jep atë fileton e pulës sade të zakonshme që më ka ardhur në majë të hundës, dhe pash nderin më ler rehat. ». Mënynë as denjoj ta ze me dorë, më duket si ato librat e botuar në 120 mijë kopje.
Cmimi i darkës që e paguan miku im është i kripur. 60 mijë lekë të vjetra. Dhe mendoni pesë veta, por ama njeri drejtues veture, pra që fatmirësisht nuk piu alkool, dy vetë që pretendojnë se duan të dobësohen, si edhe një anoreksik si unë dhe i zvjerdhur nga kuzhina e tregut, nostalgjik i guzhinës së gjyshes, dhe një djalosh i ri që apriori as nuk denjonte të dëgjonte veç pizza-s të tij, si e keqja më e vogël e mundshme. Me aq lekë në Paris mund të hash si princ, kurse në Afrikë quhesh i pasur…
Gjithsesi i themi njeri tjetrit : « Uh, ç?u kënaqëm ! » dhe vazhdojmë udhëtimin nëpër natën e ngrohtë dhe të lagësht joniane.
Rruga gjarëprueshe është e mirë. Luginë e bukur ajo. Ditën, me ngjyrat e fundverës është e mrekullueshme. Sepse më ngjason dhe më kthen kujtimet e dridhshme të fillim-alpeve italiane. Vetëm në një vend toka ka rrëshkitur dhe rruga është zhvendosur nën rrapëllimën e dherave që kanë një përbërje shtufi. Drejtuesi i veturës sonë sikur do të na kërkojë ndjesë për shkundjet që shkakton terreni i shprishur nga dherat : « Rëshket kodra ngapak këtu, gjithmonë ndodh, këta e rregullojnë, por përsëri situata rivjen pas shirave. » Ai e njeh mirë shkencën e tokës dhe prandaj thotë : « Eh, duhet një riparim më rrënjësor, duke krijuar armatura betoni në shpatet e kodrës… ». Zgjohem nga dremitja dhe i jap të drejtë, por inati që e vetmja gjë që munda të ha në një restorant, pasi ka ikur nga kjo jetë gjyshja ime, është filetoja e pulës sade, i them : « Nuk ka të keqe që është bërë si kalaja e Dodës, më fal e Rozafës, prish e ndreq, ndreq e prish. Kam filluar ta interpretoj ndryshe tani legjendën, kjo rrugë që prishet e ndreqet është e bekuar. E para, hap fronte pune për komunën, e dyta jep mundësinë e të bërit të tenderave, e treta, na rrit statistikat e rritjes të prodhimit të përgjithshëm brut. Në shoqërinë moderne të tregut mallrat duhet të konsumohen, të prishen, që të lëvizë ekonomia, përse duhet që rrugët dhe ndërtesa të mbesin të paprekura për njëqind vjet ? Do të ishte antiekonomike. »
Miku im i zgjuar dhe shumë më i njohur se unë me nocionet e financës, më sheh duke kthyer një çast kokën nga unë. Sytë e tij janë të shndritshëm dhe buzëqeshja i ka kapur dy cepat e buzëve.
Arrijmë aty nga mesnata në Hotelin tonë në Dhërmi.

Ai është i pastër dhe pothuajse luksoz. 65 euro nata. Pllakat shndrisin. Dhoma është me ballkon dhe dritare që jep nga deti. Banjoja moderne, nuk ka pllakë dushi por kalon drejt e poshtë currilave që kanë presion të mjaftueshëm. I dua banjot ku dyshemeja është dyst dhe për të bërë dush nuk ke nevojë të jesh edhe sportist garash vrapimi me pengesa. Dhoma është në katin e dytë, por preferoj të marr megjithatë ashensorin. Carcafët janë fletë duhani të bardhë. Të rinj. Dritaret dhe dera e ballkonit mbuluar me rrjetë. Troket dera dhe një dorë më zgjat fjalën kyce shkruar në letër për t?u lidhur në WIFI. Gjithçka është. Por unë kam gjumë. Mund të flija edhe mbi një mullar mbi bar. « Unë do fle, u them miqve të mi, ju bëni çfarë të doni. ». Ishte përgjigja ime ndaj ftesës për të dalë nëpër fshat, në Dhërmi, e vizituar pak zonën përreth. E mo nesër ? thashë me vete. Ata donin të dilnin për një « drink nocturn ».
Pas dushit ndjeva se forcat mu rikthyen, dëshira për të dalë mu ngjall, si edhe ajo për të qenë mes miqsh. Ku ka më bukur sesa të shfrytëzosh natën buzë Jonit për të qenë mes miqsh e duke pirë ndonjë gotë ! Të gjitha idetë aty dalin të bukura.
U bashkohem miqve të mi te lokali jo larg hotelit. Përballë është një disko verore ku një hije masive kokash dhe trupash të rinjsh vallëzon duke u bërë sfidë dallgëve të Jonit pak më tutje. Shtriqem në kolltukun e bardhë plastik të lokalit që ka një formë gjatësore dhe bari është tej, atje në fund, pothuajse ai në shkëmb e ne te deti. Një si lloj shpelle, si një zgavër që bashkon detin me malin. Në lokal ka gjithmonë shumë pak klientë. Vetëm një tavolinë ngjitur me tonën është e zënë nga dy cifte në mosha të mesme. Ka pemë bananeje në lokale me fletët e veta gjigande, ngjyrë jeshile. Në majë fruta bananesh. Është hera e parë që shoh një pemë bananeje në fazën e celjes të frutave. Bananet që jam mësuar t?i shoh të shtrira në tezga, për herë të parë i shoh në vendin e tyre të natyrshëm majë pemës.
Kamarieri afrohet, kësaj here një djalë i ri. Dëgjoj dialogun e miqve të mi me të :
« Një shweps mua. »
« Nuk ka. »
« Mirë një portokall të shtrydhur. »
« Nuk bëjmë. »
« Po është e shkruar në mënu. »
« Eshtë, por ja që nuk ka. »
« Mirë, më bëj një koktejl me konjak, ponç dhe uzo. »
« Nuk e kam banakierin dhe nuk di ta bëj. »
« Por cfarë ka atëhere ? »
« Të gjitha, birra, kafe, limonada në kanoçe, ujë, këto janë tani në këtë orë të mesnatës kaluar. »
Unë isha i lumtur për veten ndërsa dëgjoja të tjerët që kërkonin gjënë e premtuar në mënu, por të munguar. Mua më pëlqen në këto kohë birra kuqalashe. Pa i hyrë shijes të saj sepse mund të më kritikojnë për reklamë të fshehur, në fakt e pi, e konsumoj sepse më pëlqen reklama e saj. Pi reklamën. Kuqalashe, edhe diçka nga naturaliteti i një bote gjallesash, edhe kuqe, si flokët e njerëzve të rrallë, por edhe pak politikë brenda, kaqalashe, edhe në banierat e reklamës vizive këpucët e asaj femrës që njera këmbë e çon këpucën e kuqe drejt fundit të fustanit a fundit të kuq. Një e kuqe që derdhet nga lart poshtë mes këmbëve, pa lidhje me birrën. Nuk e di përse më ndodh kështu, por e shijoj shumë atë reklamë sepse u përmbahet kritereve profesionale të marketingut. Pi marketingun e saj dhe kaq më mjafton. Shija e produktit vjen pas vetë pastaj. Dikush më sulmoi duke thënë se në atë reklamë nuk vlerësoj marketingun e birrës por të diçkaje tjetër. E kundërshtova me forcë ashtu përgjumësh, duke i pohuar se ajo reklamë më bëntë të mendoja për birrën dhe asgjë tjetër.
Dera e ballkonit të dhomës të hotelit mbyllet me buton elektrik si qepen dyqani. Por ajri i freskët që lejon dritarja më mjafton. Qepenin e mbylla sepse nuk e dija ku jepte ballkoni dhe sa e sigurt ishte dhoma nga jashtë. Kujdesje e kotë sepse në Dhërmi asgjë nuk pipëtinte.
Mëngjesi, më gjen buzë detit. Kam ngrënë vezët syze që ofron restoranti, inkluduar në cmimin e dhomës, kam paguar vetë kafenë ekspres, të shkurtër, pa sheqer, dhe jam plot energji.
Fillimisht zakonin e përhershëm, ecjen buzë detit. Por aty duhet të ecësh në bregun mbushur me guralecë të vegjël. Një marshim i lodhshëm për një njeri si unë që njeh vetëm rërën e dystë të bregut të Adriatikut. Nën një diell të qartë dhe shumë miqësor, anash një deti të pastër, që shkumëzon sikur të përshëndet, nis ecjen, më mirë marshimin buzë bregut. Pak e nga pak këmbët mësohen. Guralecët kërcasin nën peshën e trupit, këmbët futen thellë në to dhe dalin duke u ngritur më lart se zakonisht përgjatë një ecjeje të vështirë. Në pulpa ndjej përfitimin muskular. Pikat e para të djersës gëlojnë mbi lëkurë.
Ajri është mrekullisht i pastër në Dhërmi. Si mund të jetë ndryshe mes malit dhe detit. Kokër pluhuri sepse era sado e marrë nuk mund t?i ngrejë përpjetë guriçkat. Eci buzë detit dhe shoh se ka vend për të gjithë. Plazhe private, plazhe private lidhur me hotelet, plazhe publike ku çdokush mund të nguli shkopin e vet të çadrës. Cadra të modës të re, nga ato që bëjnë romët e mirë edhe te poshtëkalimi aty te Plepat në plazhin e Durrësit. Me kashtë e dru. Duhet të jenë të freskëta, them me vete, por janë paska të ngurta dhe nuk përthyhen për t?u modifikuar në pozicionin e tyre në varësi të lëvizjes të diellit. Pak më tutje cadrat zëvëndësohen me disa struktura druri që mund të mbyllen edhe me perde. Krijojnë intimitet. Aty edhe mund të zhvishesh, të flesh, të krijosh një ambjent të errët mu buzë detit që bashkon kaltërsinë e thellë me bardhësinë e guralecëve që të laguar nga uji duken në dritën e diellit si xhevaire të rrallë.
Kudo buzë detit janë instaluar aty këtu edhe çadra për të fjetur. Këta janë turistë nomadë. Duhet të flenë këndshëm në ato çadrat e tyre. Sigurisht pronarët e hoteleve duhet të jenë jo fort të kënaqur nga prania e tyre kur ata propozojnë dhoma të rehatshme për të fjetur. Por, ndofta qetësohen sepse mendojnë që banorët e çadrave bëhen edhe ambasadorët e Dhërmiut kur të kthehen në shtëpitë e tyre. Një pyetje më vjen gjithmonë ndër mend : Ku i kryejnë nevojat fiziologjike, ndofta në det, ndofta te shkurret atje përtej rrugës, poshtë malit, por gjithsesi aroma e rëndë e fekaleve nuk ndihet gjëkundi. Kjo ka rëndësi, edhe mjedisi duke i pastërt, i parregulluar ende si duhet, por i pastër.
Njeriu që tregton turizmin në Dhërmi nuk rri indiferent ndaj detit. Ka shenja që tregojnë se ai në traditat e veta ka dhënë e marrë me detin. Ndalem një çast sepse ndjej që jam sforcuar duke ecur ashtu nën diell e duke çarë mes guralecësh në një marshim prej ndofta dy kilometrash buzë detit jonian. Kthej sytë nga deti. Disa zona detare pranë bregut janë rrethuar me tapa që lundrojnë mbi dallgë. Një roje bregdetare qendron më këmbë mbi varkën e ndezur. Është i rrezikshëm bregu i Jonit po të mos e njohësh. Ka edhe kulla të larta prej kashte e druri ku qendron dikush që survejon detin dhe pushuesit që notojnë. Vjen thellësia menjëherë në Jon. Dallga që përplaset në bregun e gurtë tërhiqet pastaj me furi në thellësi dhe mund të marrë me vete. Duhet ta njohësh këtë natyrë jugore për të mos u mbytur. Në detin Adriatik mund edhe të lahesh pa notuar, mund edhe të futesh pa ditur not, kurse në detin Jon, nuk mund të lahesh, duhet të notosh, sepse pa ditur not merr në qafë veten po të hysh në ujët e tij. Pak më tej prehet e qetë mbi ujë një motoskaf ngjyrë blu me mbishkrimin anësor : « Policia bregdetare ». Vijnë e shkojnë motoskafë të vegjël që thonë se janë « taksi bregdetare ». Por, çmin e kanë më të kripur se ujët e detit ? thotë dikush.
Ndërkohë në hapësirën me gurrë dhe rërë dhe rrugës shtrihet një botë e tërë. Freskia e kafeneve ambulatore, mbuluar me kashtë, e bërë me konstrukte druri është e lezetshme. Aty gjen gjithçka, birrë, kafe, akullore, portokalla, mollë, pije alkoolike, lëngje frutash ku ai me banane ta bënte gjithë kohën me sy. Njerëzit janë të qetë, ekranet e televizorit të mëdhenj, një muzikë në sfond e përballueshme, gjithçka për të pushuar këndshëm.
Hedh një sy nga mali që zbret në det. Tre rrafshe e kanë strukturuar atë. Hotelet buzë detit, fshati i vjetër Dhërmi, ku shtëpitë e vjetra me dritare të gjata dëshmojnë traditën e një kulture mesdhetare të zhvilluar, dhe sipër a poshtë tyre vila të reja bregdetare të ndërtuari rishtazi, kabina luksoze prej druri, ndërtesa me apartamente që japin drejt pasqyrës detare. Zona ka nisur të marrë pamjen e një urbanizimi të ri.
Akoma në djep sigurisht. Rrugët e komunës që shtrihen në zonën e plazhit janë ende të parregulluara, të paasfaltuara, gjithë gurë, rërë e dhe. Energjia elektrike ikën herë pas here. Tregëtia ambulatore në pikë të hallit. Kërkoja një paketë sodë buke dhe gjithandej kioska që shesin kruasante te ambalazhuar, kanoçe me lëngje të ndryshme, dhe çamçakiza. Gjelbërimi i menaxhuar mungon, stolat pushues, parkingjet e veturave as nuk bëhet fjalë. Pa trotuare. Vështirë të gjesh çezma me ujë apo dushe të lira falas për pushuesit. As nuk bëhet fjalë për ndërtesa socialkulturore, ndonjë farmaci a kabinet mjeksor.
Mbetet shumë punë për të bërë sepse potenciali natyror turistik i Dhërmiut është shumë i madh. Por, mungon modeli ekonomik që do ta menaxhonte këtë pasuri lokale dhe kombëtare. Ka pak turistë të huaj, ndonëse duke shëtitur në zonën e plazhit dëgjon zëra që shprehen në italisht ose greqisht. Tek tuk edhe shqipja gegnishte a kosovarçe. Por, shumë pak.
Ora po shkon 13°°. Dielli djeg. Shoh vende ? vende se pushues të ndryshëm, shqiptarë ose të huaj janë duke u përgatirur të hanë drekë. Pak shkojnë drejt restoranteve. Shumica kanë ardhur nga Vlora me veturat e tyre parkuar buzë rërës. Ato janë hotelet e tyre lëvizës dhe restorantet e tyre. Nga bagazhet nxjerrin lloje të ndryshme ushqimesh dhe kënaqen me to. Mbase kanë shumë të drejtë. Kanë ardhur për një ditë plazh, përse të harxhojnë më shumë ndërsa konsumojnë me oreks ushqimet e marrë nga shtëpia ? Ndërkaq, nê plazh, mbi gurët e nxhetë janë ndezur disa zjarre të vegjël. Janë vendosur skara ku piqet mishi. Kotoleta mishi që do të konsumohen për drekë. Më shumë janë grekë dhe italianë që veprojnë kështu. Ku e kanë blerë atë mish ? Sa i kontrolluar është ? Kushedi. Por, ajo që dihet me siguri është se kjo lloj kulture të ushqyeri, që secili e ndjek në të drejtë të vet, e than ekonominë e turizmit dhe bazën e tij që është infrastruktura e restoranteve. Fitimi i industrisë të turizmit bie. Nuk ka punësim dhe zona rrezikon të mos arrijë që t?i shndërrojë me rendimentin e duhur financiar investimet e bëra në gur e shkëmb, me mund e përpjekje, milionat e hedhura. Ajo do të nxjerrë pak të ardhura, pak taksa dhe do të ketë vështirë të urbanizohet si duhet.
Vendet turistike i kemi, por industrinë e turizmit ende jo.
Industria e turizmit kërkon mbi të gjitha modelin financiar të funksionimit të vet, përndryshe gjithçka brenda pak vitesh shkon për dreq. Është vlerë tregu shumë delikate turizmi, mund të shkatërohet shpejt e në mënyrë të pakthyeshme. Le t?i leme llogaritë me kaq e aq turistë më shumë sesa vitin e kaluar… Ato janë thjesht për propagandë. Turizmi kërkon vende turistike, infrastrukturë turistike, model financiar dhe kulturor turistik, turistë. Njeri nga këta të katër elemente të mungojë dhe sistemi bllokohet. Dhërmiu ndodhet aktualisht në këtë kapërcyell. Është zbuluar por nuk po menaxhohet. Ai luhatet mes një turizmi ditor dhe një turizmi hotelesh pa i dhënë asnjerit model mundësi që të zhvillohet. Dhërmiu nuk po zhvillon dot as turizmin elitar as turizmin masiv sepse të dyja modelet bashkë nuk mund t?i kombinojë në aq pak vend. Nuk po e bën zhvillmin e turizmit elitar sepse ndërsa bukuritë turistike i ka të rralla, infrastrukturën urbane e ka ende për ibret, e kush turist i huaj elitar, që do të shpenzojë, pranon të vijë aty në ato kushte, kur edhe një parking të mbyllur, a një motorr uji me qira jo me difekt vështirë se e gjen. Kush turist elitar pranon të vijë kur sheh çadra simpatike fjetjeje por që supozojnë jashtqitjet në natyrë !!! Por, që të ikë energjia elektrike, po që të mos ketë një ambulancë, një bibliotekë !!! Masiv jo e jo, sepse një turizëm i tillë aty, në atë rrip toke mes shkëmbit dhe ujit, vështirë se ka të ardhme. Po ashtu është një vend turistik shumë afër qytetit të madh, dhe ndodhet në dilemën midis turizmit nomadik njëditor, dhe atij sedentar.
Të gjitha ato që pashë në Dhërmi, ato që ndjeva si turist për shumë pak kohë, disa dhjetra orë atje, më çojnë te këto dilema. Duhen studjuar ato nga sociologë e ekonomistë, duhet bërë modeli dhe plani i biznesit të zonës, madje edhe përpara planit rregullues urban, sepse përndryshe do të ecin kuturu operatorët lokalë të guximshëm e që kanë investuar shuma të konsiderueshme atje. Kjo është detyra e agjencive publike. Përndryshe do të shohim paradokse. Hotele, por edhe turistë e pushues që vijnë e ikin brenda ditës me vetura sa gjatë bregut, më tutje, ose drejt Vlorës, në kthim. Restorante, por edhe turistë e pushues që ushqehen me kursim buzë ujit duke pjekur mish, apo duke konsumuar ushqimet e bagazheve të veturave apo kruasantet e paketuara të kioskave. Edhe një turist masiv që kërkon të pushojë duke kursyer, por edhe mungesë masiviteti për mungesë vendi.
Duhet ndihmuar Dhërmiu dhe gjithë Bregu jo vetëm me plane rregulluese të territorit, sepse nëse këto nuk funksionojnë sipas një logjike biznesi të logjikosur në mënyrë arsyeshme, shumë shpejt pasuritë turistike të Bregut rrezikojnë të ngurtësohen në investime të gabuara sikurse jo pak tani. Duhen plane zhvillimi sociologjik, kulturor dhe financiar të modelit ekonomik të turizmit. Përndryshe shumë shpejt gjithçka mund të shkojë për dreq. Mund të krijohen zona turistike të prirura për turizëm elitar, por ama të varfëra ekonomikisht, pra që e përjashtojnë turistin elitar. Do të kemi industri turistike por që nuk punëson sepse funksioni ekonomik i infrastrukturave turistike është jo fort në shinat e duhura.
Pasuri turistike kemi, industri të turizmit akoma. Ja çfarë pashë në Dhërmi e gjatë Bregut. Duhet konceptuar industria turistike sepse përndryshe edhe pasuritë turistike ose do të mbeten ende të pazbuluara e shfrytëzuara, ose do të përdoren pa kthim në mënyrën e shkatërrimit dhe nënshfrytëzimit të tyre. Ja çfarë pashë në Dhërmi e gjatë Bregut.

15:35 Opinione

Punë pa dinjitet

Nga Klodian TOMORRINjë mësues me aftësi të kufizuara fizike ...

10:34 Opinione

Durrësi i gabuar

Nga Lorisa YLLI  Për shumë arsye antiparimore që tashmë nuk ...

Lajmet e fundit nga