LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

QYTETET RRUGACE dhe "digital city"

10 Qershor 2015, 08:25, Opinione CNA

Nga Artan FUGA

 

Kam përshtypjen se tani që po flitet shumë për qytetin në kuadrin e fushatave elektorale për marrjen e pushteteve bashkiake nga duart e qytetarëve, mbresa ime është se perspektivat e qytetit po shihen se do të bëhen me llaç, tulla dhe beton e hekur.

Por, ka kaluar kjo periudhë o të uruar. Jeni 25 vite prapa në krahasim me atë që po bën bota nga malësitë e Jenanit deri në qytetet e Saharasë, sepse Singaporit, Seulit, a tjetër qyteti as i afrohem as në projektet që shikojmë në ëndërr.

Më duket sikur po më thërrasin në punë vullnetare për të fshirë rrugicên me kalldrëm e qerpiç, sikur më thërrasin në fabrika e kantjere, të rrëmbejmë kazma e lopata, e mos qoftë, të mbajmë në njerën dorën kazmën dhe në tjetrën pushkën. Kazmën për ta rrënuar edhe më keq këtë vend dhe pushkën për t’i vendosur topin në grykë njeri tjetrit.

Qyteti i sotëm sheh drejt teknologjive digjitale, është qyteti numerik, sepse Interneti nuk është që nona plakë të shohë në skype nipin që ja bën me dorë nga Bostoni, as që i riu i papunë të bëjë biseda në blogje me dashnore të mundshme, por që në fakt nuk janë veçse makina kompjuter me algoritme erotike, por janë teknologji që transformojnë jetën e njerëzve.

Mendoj Tiranën, Durrësin, Shkodrën, a Sarandën, Beratin a Krujën, që i hyjnë projekteve dixhitalizuese.

Sa lehtë e shpejtë mund të bëhet, por kush e di se!!! Elitat tona politike e kanë lënë edhe teknokracinë dhe intelektualizmin shqiptar në një gjendje mpirjeje, kanë vendosur dorë mbi të, duke e mbajtur nën zgjedhë ose duke e politizuar duke e futur në hulli militantizmi.

Kemi ngelur mbrapa shumë në ide e projekte sepse mungon motorri i pavarur i mendimit, energjia që e ushqen atë. është thyer shpresa dhe të gjithë rrinë në kafene a rrugë duke pritur nga njeri tjetri, pse nuk e bën ti atë që më thua se duhet ta bëj unë?

Dhe jeta degjeneron nga dita në ditë dhe disa shtojnë pasuritë dhe manipulojnë pushtete, e media që në vend të zgjohet është kthyer në shumë raste në propagandë e makinë propagande.

Endërroj të qendroj në një stacion autobuzi dhe ai të më paraqesë në ekran në rrugë minutën e sekondën kur autobuzi do të vijë madje edhe sa njerëz janë brenda si udhëtarë. Mjafton të vendosen sistemet e teknologjisë të informacionit që krijojnë rrjetin e inteligjencës artificiale në sistemet e transportit urban.

Me sisteme telededektimi që informacionin analog ma sjellin në forma digjitale, në ekrane të mëdhenj, të shoh ardhur nga kompjutera sesa është sistemi i ndotjes i Lanës, i ajrit nga qarkullimi i veturave, sa është lagështia, grimcat inerte në ajër, dhe nisur prej këtej qyteti im të ketë norma kufizuese.

Me kamera intelegjente survejimi të jenë të mbrojtura të gjitha rrugët dhe rrugicat, zonat bankare kudo, tregtia, parkingjet që në forma digjitale të tregojnë sa vende të lira kanë, të më orientojnë qartë dhe saktë.

Rrjetet e furnizimit me Internet të kenë debite të fuqishme, stabël, në mënyrë që pensionisti ta tërheqi pensionin e tij drejt llogarisë të tij bankare qysh nga shtëpia, i riu të shohë filma dhe enciklopedi, të marrë mësim në distancë, 30 % e punës në profesione të ndryshme të bëhet si telepunë, nga shtëpia, që certifikate e dokumente të tjera te bashkia, noteri, avokati, etj, të realizohen në Internet.

Sa njerëz ka në rrugët e qyteteve tona në mëngjez. Nuk kanë faj, koncepti i qyteti me llaç e tulla që kemi ndërtuar këto dekada i detyron të dalin në rrugë për hall dhe jo për qejf. Qyteti modern sot e fut qytetin brenda shtëpisë dhe nuk e nxjerr nga halli qytetarin në rrugë, mes shiut dhe diellit.

Qytete rrugaçe.

Mbulim me rrjet Interneti pa fill të qindra shesheve ku gjithkush me telefonin e vet celular lidhet dhe lexon një libër, sheh reklama, merr dhe jep informacion, prej andej bën pagesa online, siguron veturën e tij, kontrollon elektroshtëpiaket në banesën e tij. Me telefon viziton në 3D muzetë e Shqipërisë, dëgjon e sheh koncerte sinfonike a këngëtarët e tallavasë.

Jeta bëhet më e lirë, më e shpejtë, më e bukur, më globale.

Qysh në ekranin e tabletave shoh cmimet e domateve dhe nivelin e pjekurisë të tyre që nga Elbasani deri në Krujë, di se ku është medikamenti që duhet të blej, ku janë restorantet ku gatuhet pulë fshati me oriz përreth Tiranës dhe konsultoj të gjitha mënytë e restoranteve.

Sistemi i gjeolokalizimit të më lejojë që të di në cdo cast ku ndodhet vëllai dhe motra ime, ku janë fëmijët e nipërit, shokët a mikeshat që duan ta ndajnë me mua këtë informacion. Të gjeolokalizojë mirë teleferikun që më çon në Dajt, të di ku janë taksitë dhe ambulancat që administroj, ku janë furnizuesit e mi me mallra dhe lëndë të parë, ku janë konkurrentët e mi në distancat nga unë.

Ta di mor jahu se ku është makina më e afërt e policisë nëse dua ndihmë, ku është spitali më i afërt, ku është barnatorja më e afërt, pse jo edhe ku mund ta gjej më lirë, sa më afër qillon e preshit, të fasules, të pecetave prej letre, e kështu me rradhë.

O Zot dixhitalizimi i bibliotekave do të më lejonte që nga dhoma e hotelit në Sarandë të kërkoj e të marr një libër nga Biblioteka në Tiranë që e shkreta mbijeton e rrethuar me avuj qoftesh, me erëra birrash, muhabete pijanecësh, rrëfime pensionistësh, dhe gjithandej me erë urine qensh përzjerë me urinë individësh me prostatë a prostitutash.

E ligja ta detyrojë bashkinë që të transmetojë non stop mbledhjet e këshillave bashkiake.

E tekstet dikasteri i arsimit t’i kërkojë jo thjesht në letër sepse nuk lamë pemë pa prerë, por edhe në forma dixhitale, se dixhitalizimi nuk është vetëm për televizionet o të uruar, por të transmetueshëm edhe në Internet, edhe ne cd-rome, dhe me forma interaktiviteti me Qendrën e Përpunimit të Informacionit didaktik dixhital dhe interaktiv, as nami nuk i dihet, informacion që përhapet gjithandej.

Sensorët e kapjes të informacionit me anë të frekuencave radio, të ngjyrave, nxehtësisë, etj., zhytur nën ujë më tregojnë sa peshk ka sot afër bregut, a të dalë për peshk apo jo?, të vendosur në lartësi më tregojnë a u poqën fiqtë, a u bën kumbullat, sa është rendimenti i grurit në fusha dhe sa taksa do të kërkoj.

Po më merren mendt nga këto projekte ku e gjithë bota është zhytur dhe ecën me vrull.

Pse ne të rrimë te kazma e lopata? Pse ne ta kufizojmë mendjen tonë te mbledhjet e plehrave? Pse ne na duket se bëjmë heroizëm se mbjellim një pemë që do të thahet nesër.

Nga televizori buçet kënga elektorale :

Në ara, kantjera fabrika…
Bashkoju shok me ne në çetë…,
në njerën dorë kazmën e në tjetrën pushkën,
dhe në shtyllat e neonit, arkaike dhe antike që nga koha e perandorisë romake, valëviten flamujt e 1 majit.

Qyteti ynë ende llaç e tulla, QYTETI RRUGAC, me plehra dhe urinë, ndërkohë që bota rreth nesh është hedhur e gjitha drejt QYTETIT DIGJITAL.

15:35 Opinione

Punë pa dinjitet

Nga Klodian TOMORRINjë mësues me aftësi të kufizuara fizike ...

10:34 Opinione

Durrësi i gabuar

Nga Lorisa YLLI  Për shumë arsye antiparimore që tashmë nuk ...

Lajmet e fundit nga