LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bushati-Yee: Mirëpresim ekspertizën amerikane

8 Qershor 2015, 15:23, Politikë CNA

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në një takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euro Azisë, Hoyt Yee.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhënien strategjike mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për thellimin dhe materializimin e bashkëpunimit me një kalendar konkret dhe gjithëpërfshirës, bazuar në Deklaratën e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA dhe Planin e Veprimit.

Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Shqipërisë lidhur me përmbushjen e plotë të aspiratës së saj evropiane, forcimit të institucioneve demokratike dhe organeve ligjzbatuese. Ai gjithashtu shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së, në drejtim të stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh në fushën ekonomike, Ministri Bushati nënvizoi masat e marra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së investimeve dhe theksoi së Shqipëria mirëpret rritjen e pranisë së kompanive dhe ekspertizës amerikane në vend.

Nga ana e tij, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Hee vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt realizimit të aspiratës së saj për t?u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe reformat për forcimin e shtetit ligjor. Ai konfirmoi mbështetjen e SHBA-së për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, duke inkurajuar vazhdimin e punës për të zbatuar reformat e nevojshme, forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Gjithashtu, Hoyt Yee vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe kontributin e saj si një partnere e vendosur për sigurinë globale, si një aleate e fortë në NATO dhe si një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e angazhimit të SHBA-së në Ballkan dhe rolin e Shqipërisë si një aktor dinamik dhe konstruktiv në Ballkan. Gjatë takimit u diskutua dhe për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ministri Bushati shprehu angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për një proces të drejtë e të ndershëm zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke i cilësuar zgjedhjet si një provë litmusi për demokracinë.

Lajmet e fundit nga