LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BB do të asistojë KLSH-në për rritjen e cilësisë së auditimeve

8 Qershor 2015, 11:21, Ekonomi CNA

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj zhvilloi një takim me një ekip të Bankës Botërore, të kryesuar nga Tahseen Sayed, përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Ky takim u organizua në vazhdën e një projekti të Bankës Botërore për përmirësimin e monitorimit të përputhshmërisë dhe rritjen e transparencës së prokurimit publik në Shqipëri, pjesë e të cilit është menduar që të jetë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ky projekt i Bankës Botërore, i cili parashikohet të zhvillohet në periudhën shtator 2015- nëntor 2016, pritet të ndikojë së tepërmi në cilësinë e auditimeve të KLSH-së duke rritur dhe zhvilluar akoma dhe më tej njohuritë e audituesve në referencë të eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, që ekspertët që do kontraktohen nga Banka Botërore për këtë projekt do të ofrojnë në trajnimet e tyre.

Ky projekt i Bankës Botërore, do të konsistojë në tre pika kryesore: trajnimi i audituesve të KSH-së nga ekspertë të huaj ndërkombëtarë, të mirënjohur në fushën e prokurimeve, në lidhje me legjislacionin mbi prokurimet, përqasjen audituese, duke nënvizuar përqasjen më të mirë ndërkombëtare. Gjithashtu synohet kryerja e katër auditimeve të përbashkëta pilot ndaj sistemeve të prokurimit, të cilat do të bashkëdrejtohen nga konsulentët e Bankës Botërore, si dhe hartimi i një Manuali Auditimi mbi Prokurimet, që do t?i shërbejë më pas jo vetëm KLSH-së si institucion i auditimit të jashtëm e të pavarur shtetëror në Republikën e Shqipërisë, por edhe sistemit të auditimit të brendshëm, si hallkë e rëndësishme në procesin e monitorimit të procedurave të prokurimit.

Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së, Leskaj falënderoi përzemërsisht përfaqësuesit e Bankës Botërore për këtë projekt dhe përfshirjen e KLSH-së si institucion suprem i auditimit të jashtëm në të, duke garantuar njëkohësisht angazhimin maksimal të KLSH-së si institucion në realizimin dhe finalizimin me sukses të këtij projekti.

Gjatë fjalës së tij, Leskaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për KLSH-në, në kuadër të trajnimeve të shumta që stafi i KLSH-së sidomos ai auditues, i janë nënshtruar veçanërisht përgjatë këtyre tre viteve të fundit, me qëllim rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve dhe performancës tonë audituese, kushteve në të cilat ndodhet aktualisht Shqipëria dhe institucionet shtetërore, të cilat angazhohen në kryerjen e procedurave të prokurimit apo monitorimin e tyre, si dhe rëndësinë që ka aktualisht lufta kundër korrupsionit për ne si vend dhe komunitetin ndërkombëtar në kuadër dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ndërsa Sayed, përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, theksoi rëndësinë dhe rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit si një institucion i pavarur kushtetues i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, përsa i përket auditimeve që ky institucion kryen në fushën e prokurimeve duke nënvizuar faktin që të dyja institucionet tona (Banka Botërore dhe KLSH) kanë interesa të përbashkëta në drejtim të transparencës dhe mirëadministrimit të vlerave monetare.

Në fund të këtij takimi, u ra dakord që puna dhe bisedimet e mëtejshme në lidhje me zhvillimin e këtij projekti të vazhdonin në nivel teknik, duke shprehur vullnetin e përbashkët institucional që tashmë ky takim dhe ky projekt i Bankës Botërore të hapë siparin e një bashkëpunimi akoma dhe më të ngushtë dhe më intensiv ndërmjet institucioneve tona

Lajmet e fundit nga