LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rama: Transformim rrënjësor i sistemit të shërbimeve nëpërmjet e-Albania

4 Qershor 2015, 19:23, Politikë CNA

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme në Parlament:

Në fakt, unë erdha për të folur për ligjin për të cilin po diskutohet dhe fatkeqësisht siç është bërë zakon, këtu vetëm për përmbajtjen e rendit të ditës nuk flitet dhe vetëm për çështjet që adresohen nga projektet e ligjeve nuk diskutohet.

Ndërkohë që, unë besoj se ky është një projekt që ka një rëndësi themelore dhe i hap rrugë një tjetër reforme transformuese dhe me plot gojën ndan Shqipërinë nga një epokë e gjatë dhe jashtëzakonisht sfilitëse për qytetarët që marrin shërbime publike, në një epokë ku shërbimet publike do të transformohen rrënjësisht.

Unë jam krenar që ne e arritëm në një kohë relativisht të shkurtër, por me një propozim bindës që të përfshijmë Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian në draftimin e një projekti inovativ që adreson, shpresoj dhe besoj, në mënyrë përfundimtare çështjen shumë të rëndësishme dhe plagën shumë të madhe të korrupsionit në shërbimet publike, duke adresuar njëkohësisht edhe të gjithë atë proces që sot iu kushton qytetarëve kohë, para, nerva dhe në fund të ditës apo në fund të vitit, apo në fund të shumë viteve që nuk arrijnë dot të zgjidhin problemin, sigurisht që përkthehet edhe në një dëshpërim të madh.

Ajo që ne do të bëjmë me këtë projekt është, transformimi i shërbimeve në mënyrë rrënjësore duke bërë që sot 134 institucione që japin shërbime, prej të cilave 56% janë shërbime në sportele, të kthehet në një shërbim të cilësisë më të lartë dhe në një model që do të shërbejë edhe për shumë zhvillime të tjera që vijnë si rezultat i këtij transformimi.

Sot, në pjesën analitike të punës, për të përgatitur propozimin për financimin ne kemi konstatuar që hapësirat ku qytetarët shërbejnë në sportelet e Republikës së Shqipërisë, janë nga dy metra katrorë, – jo për person, por dy metra katrorë për të gjithë ata që kanë nevojë për atë shërbim, – deri në maksimumin 25 metra katrorë. Faktikisht, jo radhët por turmat e ngjeshura përballë sporteleve janë absolutisht të paevitueshme në kushtet kur shërbimet jepen në këto hapësira krejtësisht të papërshtatshme. Për më tepër bëhet fjalë për shërbime që kanë nevojë edhe për një kohë të caktuar hulumtimi të dokumentacionit, gjë që shton në mënyrë marramendëse orët që humbin qytetarët nëpër këto hapësira.

Nga ana tjetër, kemi konstatuar që orët e shërbimit janë larg së qeni orë të favorshme për njerëzit që kanë nevojë për shërbim dhe shtrihen nga dy deri në gjashtë orë. Ndërkohë që, gjithë pjesa tjetër e kohës, dhe pa marrë parasysh kohën më të përshtatshme për njerëzit, nuk shfrytëzohet. Po ashtu, ka shumë pak shërbime minimale dhe janë disa shërbime të rinovuara rishtas që kanë menaxhim të radhës. Ndërkohë që, në të gjitha hapësirat kush shtyn më shumë, ia del të marrë më shpejt përgjigje në sportel.

Ne kemi bërë një avancim në mënyrë paralele, sepse faktikisht sot, ky projekt vjen në qeveri, por procedurat kanë qenë mjaft të gjata përsa i përket të gjithë shkallëve të miratimit nga ana e Bankës Botërore dhe është humbur njëfarë kohe. Ndërkohë që, në këtë periudhë kohe ne kemi filluar punën për të krijuar të gjithë bazën e të dhënave.

Shërbimet publike në Shqipëri do të jepen në një rrjet të informatizuar dhe do të burojnë nga një qendër kombëtare e shërbimeve publike, e cila do të ndërtohet në Tiranë. Do të jetë një ngrehinë e re ku do të kryhen absolutisht të gjitha shërbimet për qytetarët. Pra, nuk do të ketë më nevojë që qytetarët të shkojnë nga një sportel në tjetrin, por do të kenë vetëm një adresë, vetëm një hapësirë dhe në atë hapësirë do të marrin shërbimet në një kohë që do të jetë maksimumi tre minuta.

Kjo nuk është utopi! Kjo është e gjitha e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar. Sigurisht, kërkon disa premisa.

Premisa e parë që ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe që është premisa më e rëndësishme, por dhe vështirësisht e realizueshme në një kohë të shpejtë, është baza e të dhënave.

Kemi trashëguar një shtet që vetëm shtet nuk mund të quhet. Që, nuk ka absolutisht një bazë të dhënash të besueshme, të organizuar dhe të integruar. Çka do të thotë se puna që kemi filluar është kalimi nga një bazë të dhënash krejtësisht pa inventar, në dosje, në letra, në sirtarë, në dollapë, shpeshherë me shumë mangësi, në një bazë të dhënash dixhitale për shërbimin.

Së dyti, po bëjmë ri-inxhinierimin e të gjithë strukturës së shërbimeve, me një grup ekspertësh të qeverisë dhe ekspertë të huaj që na i ka vënë në dispozicion projekti i Bankës, për të shkurtuar numrin e licencave, të vërtetimeve, të dokumenteve që iu kërkojmë sot njerëzve. Faktikisht, është një numër jashtëzakonisht i lartë dhe plotësisht i reduktueshëm.

Së treti, po punojmë për të siguruar lidhjen e bazës së të dhënave në mënyrë të integruar. Çka do të thotë që të disponojmë jo thjesht një bazë të dhënash për një shërbim, por të kemi një bazë të dhënash, e cila të jetë aksesibël për të gjitha shërbimet dhe njëkohësisht t?i japim mundësi shtetit të ketë dijeni të plotë për të gjitha aspektet që lidhen me një pronë, me një numër pronarësh dhe kështu me radhë. Sigurisht, është i domosdoshëm edhe integrimi i bazës së të dhënave të gjykatave, por kjo i takon një faze të dytë.

Nga ana tjetër, Qendra Kombëtare e Shërbimeve, e cila do të jetë pika fokale që do t?i shërbejë kryesisht banorëve të Tiranës, do të jetë edhe qendra e gravitetit e të gjithë rrjetit të shërbimeve që do të shtrihet në të gjitha njësitë bashkiake. Kam parasysh njësinë bashkiake të Tiranës, kam parasysh komunat, që mbas 21 qershorit do të kthehen në një njësi shërbimi.

Ambicia është që shërbimi që jep Qendra Kombëtare përmes sportelesh, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me institucionin, por janë aty thjesht për të orientuar qytetarët, ndërkohë që gjithë procedura e shërbimit është on-line të mund të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës, duke përfituar nga avantazhet e teknologjisë së re.

Së shpejti, në Parlament, do të vijë edhe ligji për Firmën Elektronike. Për të dhënë një shembull se çfarë kapërcimi do të bëjmë, do të thotë se pas kalimit të këtij ligji dhe përcaktimit të të gjithë procedurave të nevojshme, koha kur certifikata do të merret drejtpërdrejtë në shtëpi, pa pasur nevojë fare për të shkuar në qendrën e shërbimeve publike apo në njësinë bashkiake, do të jetë shumë e shpejtë.

Ne kemi tanimë më shumë se 100 shërbime të dixhitalizuara përmes portalit e-Albania, të cilin e gjetëm me 5, 6 shërbime dhe me një akses zero të qytetarëve. Sot janë mbi 100. Pjesa e mbetur, që parashikohet të jetë rreth 300 shërbime nga 390 e ca që ka sot, është pjesa më e vështirë pasi kërkon atë që thashë; sistemin bazë të të dhënave. Sot për mes portalit e-Albania është fare e thjeshtë të paguhet fatura e energjisë elektrike, fare thjeshtë të paguhen një sërë detyrimesh të tjera pa bërë absolutisht asgjë tjetër veçse një klik-u dhe dhënies aty për aty të shërbimit.

Për ta mbyllur unë besoj që ky është një ligj që na çel një rrugë krejtësisht të re. Na jep mundësinë që të projektojmë për në harkun e tre viteve të ardhshme një transformim rrënjësor të të gjithë sistemit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë. Na jep mundësinë që ta çrrënjosim me themel të gjithë sistemin e korrupsionit që nuk është asnjë gjë tjetër veçse alternativa e shërbimeve të munguara; alternativa e shërbimeve të pamundura; alternativa e shërbimeve që nuk arrin dot deri tek qytetari. Është shembulli më domethënës dhe më i qartë i bindjes tonë se është modernizimi i sistemit që garanton një luftë me sukses kundër korrupsionit.

Në momentin kur ne të vendosim në punë këtë sistem, i cili nuk do të vendoset i gjithi në punë menjëherë, por do të fillojë dhe do të ndjehet pjesë-pjesë qysh në vitin e ardhshëm, ne do të kemi mundësinë e plotë që ta nxjerrim Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga lista e zezë e vendeve që perceptohen dhe që trajtohen si vende ku nuk merr dot një shërbim pa paguar një ryshfet.

Jam i bindur që kjo është një zgjidhje e drejtë, e shpejtë dhe përfundimtare, ashtu sikundër besoj që ky ligj ka rëndësi shumë të madhe sepse është momenti kur qeveria jonë, kur shumica jonë, mund t?i shohë njerëzit në sy dhe t?u thotë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sistemi ?lesh e li? që trashëguam nga të parët tanë para 23 qershorit, ishte një sistem tërësisht i korruptuar dhe është një sistem që sot nuk është çrrënjosur. Jemi shumë të vetëdijshëm që sot ka shumë sportele ku vazhdon historia e vjetër e marrjes së ryshfetit për të dhënë shërbimin. Jemi shumë të vetëdijshëm që ndryshimi i njerëzve nuk është zgjidhja, por është thjesht dhe vetëm spostimi i problemit nga një anë në anën tjetër.

Ndërkohë që, zgjidhja është modernizimi, modernizimi, modernizimi.

Për këtë arsye duke pasur parasysh edhe faktin që zhvillimi i teknologjisë ecën me një shpejtësi shumë të madhe dhe në një kohë që ne sot as e përcaktojmë dhe as e përfytyrojmë dot, gjithçka do të bëhet pa pasur nevojën për të shkuar asgjëkundi për të marrë shërbimin. Qendrën Kombëtare të Shërbimeve e kemi konceptuar në të njëjtën kohë edhe si qendër të inovacionit. Do të funksionojë edhe si e tillë në një pjesë të saj dhe pak nga pak, me kalimin e shërbimeve nga infrastruktura fizike në infrastrukturën tërësisht dixhitale, ajo do të kthehet në Qendra Kombëtare e Inovacionit të shtetit Shqiptar, që do të jetë vazhdimisht në dispozicion të kërkimit, në dispozicion të adresimit të problemeve për të cilat kanë nevojë për zgjidhje në nivelin e shtetit, të institucioneve apo edhe të shoqërisë.

Unë besoj se këto janë gjërat për të cilat shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë. Unë besoj se këto janë gjërat për të cilat shqiptarët kanë nevojë për fakte dhe prova konkrete.

Ndërkohë, uroj që atë që nuk ua bëri 23 qershori, t?ua bëjë 21 qershori; t?ju sjellë në vete, sepse jeni komplet jashtë vetes. Komplet!

Lajmet e fundit nga