LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Miliardat e Bankës Botërore dhe testi i suksesit

26 Maj 2015, 11:05, Ekonomi CNA

Nga Klodian Tomorri

Pak ditë pas aprovimit të borxhit 1.2 miliardë dollarë për Shqipërinë, Banka Botërore përmes një dokumenti voluminoz ka bërë publike dhe se si do të përdoren këto para. Paketa e paprecedentë e kredisë është pjesë e programit pesëvjecar të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bankës. Në themel programi fokusohet në pesë fusha kryesore; rikthimin e disiplinës fiskale, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e sigurisë energjetike, bërjen efektiv të tregut të pronës dhe nxitjen e mirëqeverisjes. Të gjithë këta janë objektiva kritikë për rigjallërimin e ekonomisë dhe krijimin e kushteve për një zhvillim të shpejtë ekonomik për vendin. Por a është marrëveshja me Bankën Botërore, një garanci për sukses dhe a do të mundësojë financimi i paprecedentë i saj ringritjen e ekonomisë?

Banka e Botës
Në rrafshin global, Banka Botërore është institucioni përmes të cilit vendet e pasura kanalizojnë ndihmën e tyre financiare për vendet e tjera më të varfëra. Kjo e bën atë organizatën me misionin më fisnik në botë; zhdukjen e varfërisë. Është nën këtë mision, që për 70 vjet nga themelimi i saj, Banka ka transferuar triliona dollarë nga vendet e pasura tek ato të varfra. Por jo gjithmonë me sukses.
Në vitin 1996 një studim i Fondacionit të mirënjohur Heritage në SHBA gjeti se pjesa më e madhe e vendeve që kanë qëndruar më gjatë nën asistencën e Bankës Botërore, janë përballur më rënien e standardeve të jetesës. Studimi mori në shqyrtim 66 vende që kishin përfituar financime nga Banka Botërore për më shumë se 25 vjet. Sipas tij, nga 37 raste vendet kishin qenë në stanjacion ekonomik dhe brenda tyre 20 vende ishin bërë më të varfër nën 25 vitet e asistencës së Bankës. Rasti më tragjik është Bangladeshi. Edhe pse për dekada ka marrë qindra miliardë dollarë nga Banka Botërore, duke u bërë huamarrësi i tretë më i madh i saj, Bangladeshi mbetet aktualisht një nga vendet më të varfra në botë. (http://www.heritage.org/?/bg1082nbsp-the-world-bank-and-eco?).

Por ky nuk ishte rasti i vetëm kur efiçenca e ndihmës së Bankës u vu në dyshim. Dhjetëra raporte të tjera kanë konfirmuar të njëtën gjë. Përballë këtyre shqetësimeve, në vitin 2000, Kongresi amerikan si donatori kryesor, nisi një hetim mbi rezultatet e financimeve të Bankës në vendet e varfëra. Gjetjet ishin tronditëse. Në total 55 deri në 60 për qind e projekteve të Bankës Botërore ishin dështime. Në Afrikë, norma e dështimit arrinte deri në 73 për qind. Përfundimi kryesor ishte vetëm një. Sa më të korruptuara vendet pritëse, aq më e lartë norma e dështimit të projekteve që financonte banka. Në shumë raste paratë devijoheshin nga projekte në të mirë të qytetarëve në financime për elitat e korruptuara lokale. Me pasoja dramatike për vendet e varfra pritëse, pasi Banka nuk jep grante, por borxh. Edhe pse me interesa të butë, çdo projekt i dështuar rrit më shumë barrën e borxhit tek vendet e varfra. Përgjatë gjithë këtyre viteve, qeveria amerikane si aksionerja kryesore e Bankës është përpjekur disa herë të vendos masa antikorrupsion brenda Bankës, por nuk ka qenë e lehtë as për të, që të disiplinojë një institucion i përbërë nga 188 vende, së fundmi i përfshirë në një tjetër skandal. Atë të shpërnguljes së miliona të varfërve nga vendbanimet e tyre, pa kompesim. (http://www.forbes.com/?/feature-world-bank-robert-zoellick-?)

Sërish në Shqipëri
Në terma financiarë, Banka Botërore mbetet partneri më i madh, me të cilin qeveria shqiptare bën biznes. E mbërritur fill pas rënies së komunizmit, nga viti 1991 Banka ka investuar deri më tani mbi 1.4 miliardë dollarë në Shqipëri. Për një ekonomi të vogël, kjo është një shumë e madhe parash, ,duke përbërë një asistencë jetike në stabilizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e saj pas rënies së komunizmit. Por ndonëse ndihma e saj në shumë momente të vështira ka qenë kritike për ekonominë, është fakt se disa nga fiaskot më të mëdha ekonomike në Shqipëri kanë nga pas edhe Bankën Botërore. Në vitin 2009, krahu financiar i saj, IFC, ishte konsulentja e një procesi që do tu kushtonte shqiptarëve drejtëpërdrejtë 97 milionë euro, por indirekt deri në 3 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes, për të cilën madje taksapaguesit e varfër shqiptarë paguan dhe tarifë suksesi për IFC-në. Pak vite më parë, me mbështetjen dhe sugjerimin e Bankës, Shqipëria do ti hapte rrugë një projekti, i cili sot përbën një nga dështimet më të mëdha energjetike në vend; termocentralit të Vlorës. Për të ndërtuar termocentralin, qeveria shqiptare mori 110 milionë dollarë borxh nga Banka Botërore. Vepra përfundoi para 5 vitesh, por me gjasa ska për të hyrë asnjëherë në funksion. Projekti u shpall si dështim dhe që kishte thyer normat e Bankës Botërore edhe nga vetë paneli i saj i investigimit. Ndërkohë taksapaguesit do të duhet të shlyejnë mbrapsh borxhin.

Afera e bregdetit
Në vitin 2010, presidenti i atëhershëm i Bankës, Robert Zoellick, do ti cilësonte veprimet e zyrës së Bankës në Shqipëri si të tmerrshme. Ishte projekti i pastrimit të bregdetit. Banka financoi 17.5 milionë euro, në projektin që shkatërroi shtëpitë e dhjetëra familjeve, për ti hapur rrugë ndërtimit të resorteve në të cilat ishin përfshirë zyrtarët më të lartë të vendit në atë kohë. Projekti drejtohej nga dhëndri i ish kryeministrit të atëhershëm, dhe skandali arriti përmasa të thella. Zyra e Bankës në Tiranë u përpoq në mënyrë sistematike të pengonte hetimet e panelit investigues dhe më vonë rezultoi se kishte mashtruar selinë qëndrore në Uashington në lidhje me projektin. (http://projects.huffingtonpost.com/worldbank-evicted-abando?)

Më shumë duhet ende të vijë
Dy vjet më parë kur borxhi publik i Shqipërisë arriti në 60 për qind e Prodhimit Kombëtar, Banka Botërore, deklaroi se financat e vendit kishin hyrë në një zonë të rrezikshme. Sot borxhi sovran i Shqipërisë është 73 për qind e PBB. Me termat e dikurshme të Bankës, kjo do të thotë se financiarisht vendi po hedh valle në buzë të greminës. Por Banka duket se i ka ndryshuar termat dhe tani zgjidhja për borxhin e lartë të paqëdnrueshëm është edhe më shumë borxh. Për pesë vitet e ardhshme ajo do të disbursojë 1.2 miliardë dollarë të tjera borxh për Shqipërinë dhe gjysma e tyre do të shkojë si financim i drejtëpërdrejtë i defiçitit të qeverisë. Ky është një paradoks në kushtet kur një nga qëllimet e Programit të Bashkëpunimit është disiplina e financave publike.

Argumenti i drejtë i Bankës është se po financon reformat e ndërmarra nga qeveria. Shumë nga këto reforma janë të domosdoshme për ekonominë dhe të shtyra në mënyrë të papërgjegjshme nga qeveritë e mëparshme. Por kurajoja për të bërë reforma me mënyrën se bëhen ato janë dy gjëra të ndryshme. Në rastin e energjisë ka tashmë prova në rritje se mbledhja me forcë e detyrimeve të prapambetura ka vënë në vështirësi më mijëra familje, ato që janë më të varfërat. Dhe kjo ngre një tjetër pikëpyetje mbi angazhimin e Bankës, misioni kryesor i së cilës është zbutja e varfërisë. Por këtë do e tregojë më mirë koha.

Përtej të gjithave, financimi me kredi të buta është padyshim një ndihmë e çmuar për ekonominë. Por siç tregon eksperienca, në botë dhe Shqipëri, është naive të mendosh se financimet e Bankës janë garancia për zhvillimin ekonomik të vendit. Me gjasa shumë prej këtyre fondeve do të përdoren në projekte të dështuara ashtu sic ka ndodhur edhe në të kaluarën. Shpresa jonë më e mirë është që kjo pjesë të jetë sa më e vogël. Sepse tani nuk është më mister. Korrupsioni është ngjitës. Dhe Banka botërore nuk është imune. Veçanërisht në vendet ku elita është e korruptuar.

Lajmet e fundit nga