LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama listë me drejtorët e Tom Doshit që do largohen, dyshime për sabotimin e fushatës së Bazhdarit

10 Maj 2015, 06:27, Aktualitet CNA

Pas një paqeje të brishtë dhe të paqëndrueshme, rikthehet sërish konflikti mes Edi Ramës dhe Tom Doshit. Disa javë pasi e përjashtoi në mënyrë të butë nga Partia Socialiste, kryeministri Edi Rama ka nisur aksionin e spastrimit të drejtorëve të emëruar nga Tom Doshi, në poste kyçe, në Veri të vendit.

Siç dihet, duke qenë deputeti më i fuqishëm dhe influencë, jo vetëm në Qarkun e Shkodrës, por në të gjithë Veriun, Tom Doshi ka pasur rol kryesor në emërimin e drejtorëve kryesorë, në sektorët e qeverisur nga Partia Socialiste. Ndërkaq, mbledhja e fundit e Edi Ramës me drejtorët në Shkodër, mbledhje e cila u dekonspiruara nga një kasetë e publikuar nga Berisha, nuk ishte gjë tjetër veçse një paralajmërim i kryeministrit Rama për drejtorët e dyshuar si mbështetës të linjës së deputetit Doshi.

Ndonëse deputeti Doshi ka deklaruar se nuk do të angazhohet në zgjedhjet lokale, Rama është tejet i shqetësuar për impaktin dhe peshën e tij në Shkodër dhe në orientimin e elektoratit për të rrëzuar Bazhdarin. Në këto kushte, disa ditë pas paralajmërimit në mbledhjen e dekonspiruar, ku Rama u kërkoi drejtorëve të siguronin votat e duhura ose të jepnin dorëheqjen, erdhi edhe largimi i parë, ku u shkarkua në mënyrë të dhunshme drejtori i Spitalit.

I kontaktuar, Tom Doshi, mohoi se dorëheqja e imponuar e drejtorit ka lidhje me hakmarrje kundër tij, por deputetë të tjerë kanë pretenduar të kundërtën. Por, teksa përleshja mes drejtorit të Spitalit Shkodër dhe një deputetit ndezi debatet në Tiranë, kreu i qeverisë mësohet se ka piketuar edhe disa drejtorë të tjerë, të cilët do të jenë objekt lëvizjesh dhe shkarkimesh. Sipas burimeve, bëhet fjalë për disa drejtorë, të cilët dyshohen se po sabotojnë në prapaskenë fushatën e Keti Bazhdarit. Sipas burimeve, shkarkimet masive pritet të startojnë pas zgjedhjeve, por nuk përjashtohet mundësia e largimit të disa drejtorëve para zgjedhjeve.

Drejtorët në provë

Kryeministri Edi Rama ka informuar nëpërmjet deputetëve të gjithë drejtorët e Partisë Socialiste se janë në provë. Kryeministri ka pohuar se prova për drejtorët do të jetë rezultati në zgjedhjet e 21 Qershorit. Çdo drejtor do të marrë në patronazh kuti të caktuara dhe nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv, ai duhet të lërë vendin e punës. Ashpërsimi i gjuhës së kryeministrit Edi Rama ka ardhur pas pakënaqësisë në rritje të bazës së Partisë Socialiste. Kjo pakënaqësi, e lidhur kryesisht me drejtorët, mund të përkthehet në votë kundra në zgjedhjet e 21 Qershorit. Gjasat janë që shumë qytetarë që kanë votuar PS në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 të mos marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa shumë të tjerë të votojnë kundra.

Lajmet e fundit nga