LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja kategoritë që do shohin dosjet e spiunëve, kur publikohen emrat dhe zyrtarët që rrezikohen

10 Maj 2015, 05:59, Sociale CNA

Ligji për hapjen e dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit, i miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ka pësuar gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare disa ndryshime radikale dhe thelbësore, krahasuar me variantin e parë që paraqiti ish-ministri, Erion Veliaj. Deputetët shqiptarë, gjatë shqyrtimit të nismës në Kuvend, riformuluan dhe ndryshuan shumë nene, në funksion të mbrojtjes së të kaluarës së tyre.

Ligji ka përcaktuar qartë kategoritë që kanë të drejtë të kërkojnë informacion dhe sipas tij, çdo person ka të drejtën të informohet mbi dokumentet e ish-Sigurimit kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Po ashtu, të drejtën për t?u informuar mbi të kaluarën e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit e kanë institucionet shtetërore kur kërkohet për qëllime të hetimit dhe ndjekjes penale, apo pastërtisë së figurës së kandidatëve.

Të prekurit

Ata që kanë të drejtën kryesore për të hapur dosjet janë personat e prekur nga ish-Sigurimi i Shtetit apo palët e treta. Sipas nenit 21, informacioni i marrë nga Autoriteti për hapjen e dosjeve përmban një përshkrim të dokumenteve ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur dhe një riprodhim të thelbit të përmbajtjes së tyre. Ata kanë të drejtë të njihen dhe me emrin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit që kanë mbajtur pseudonime, nëse këta të fundit kanë qenë mbi 18 vjeç në atë kohë. Ligji kufizon përdorimin e të dhënave në dëm të palëve të prekura kur ato janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme. Po ashtu, emrat nuk mund të publikohen kur gjykata vendos se dëmtohen hetimet apo në rastet kur rrezikohet siguria kombëtare.

Të afërmit e të vdekurve

Një tjetër kategori që ka të drejtë të informohet mbi dosjet janë dhe të afërmit e personave që janë zhdukur apo vdekur. Këtu futen: bashkëshortët, fëmijët, prindërit, nipat e mbesat, vëllezërit e motrat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave të të vdekurve apo zhdukurve. Informacioni u vihet në dispozicion vetëm për rehabilitimin e tyre apo thjesht për t?u informuar mbi atë se çfarë u ka ndodhur. Gjithashtu, të afërmit duhet të faktojnë lidhjen me personin. Informacionet nuk zbulohen kur vetë personi para vdekjes është shprehur me shkrim që ato të mbeten sekrete.

Zyrtarët

Me procesin e hapjes së dosjeve janë një sërë zyrtarësh që rrezikojnë të zbulohen që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas ligjit, çdo institucion ka të drejtë të informohet mbi pastërtinë e figurës së punonjësve të tyre. Dosjet hapen kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t?u emëruar ose ngritur në detyra, të ndryshme, duke filluar që nga Presidenti i Republikës, ministrat, gjyqtarët dhe çdo person i dekretuar nga kreu i shtetit, etj. Po ashtu dosjet hapen kur kërkohen nga kandidatët për deputetë gjatë fushatës zgjedhore apo subjektet politike për të vërtetuar pastërtinë e figurës së tyre.

Lajmet e fundit nga