LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SHBA-BE, dosjet e të inkriminuarve në tavolinën e Edi Ramës, emra ministrash, deputetësh dhe kandidatësh për kryebashkiakë

9 Maj 2015, 06:03, Aktualitet CNA

Po shkon drejt ekstremizimit konflikti mes SHBA-BE dhe PD-PS për të inkriminuarit në politikën shqiptare. Nuk ka kompromis mes politikës së Tiranës dhe faktorit ndërkombëtar për të inkriminuarit në Parlament, qeveri dhe në listat për zgjedhjet e 21 Qershorit. Paralajmërimi i ambasadorit amerikan, Donald Lu, se ishte hera e fundit që kërkonte spastrimin e të inkriminuarve nga lista për zgjedhjet e 21 Qershorit është pasuar me një ultimatum të ambasadores së Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila u ka lënë vetëm një javë afat mazhorancës dhe opozitës shqiptare të zëvendësojnë kandidatët e inkriminuar.

Data 13 Maj do të jetë datë vendimtare dhe përcaktuese për betejën mes PD-PS dhe ndërkombëtarëve për çlirimin e politikës shqiptare nga bota e krimit. Ndërkaq, përtej sinjaleve dhe retorikës në publik, në prapaskenë ka zhvillime dramatike. Burime për gazetën bëjnë me dije se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me prezencën e Brukselit në Tiranë, kanë çuar në tavolinën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dosjet e elementëve të inkriminuar në piramidën e pushtetit qendror dhe vendor. Pas një verifikimi dhe hetimi disajavor në bashkëpunim dhe shumë faktorë vendas dhe të huaj, prezenca amerikane në Tiranë dhe përfaqësia diplomatike e Brukselit, për herë të parë kanë vënë para një prove konkrete kryeministrin Edi Rama, duke i çuar në tavolinë dosjet e të inkriminuarave.

Sipas burimeve, nuk bëhet fjalë vetëm për dokumentimin e aktivitetit kriminal të disa kandidatëve për zgjedhjet e 21 Qershorit, por edhe për anëtarë të kabinetit qeveritar, të ekspozuar në mënyrë të dyshimtë ndaj botës së krimit. Më konkretisht, flitet për lidhjet e disa ministrave me grupe interesash dhe kriminale. Grupe të tilla qëndrojnë pas disa ministrave për interesa të caktuara dhe favore të paligjshme. Në të njëjtën kohë, faktori ndërkombëtar ka identifikuar tashmë edhe deputetët e inkriminuar në Parlamentin Shqiptar, të cilët do të jenë objekt i nismës për dekriminalizimin. Deputetët u përkasin të dy krahëve politikë, por pjesa më e madhe janë të shumicës në pushtet. Nuk ka dyshim se lufta më e madhe po zhvillohet për fatin e disa kandidatëve të inkriminuar në zgjedhjet e 21 Qershorit. Emrat me dosjet përkatëse të këtyre kandidatëve janë në zyrën e kryeministrit.

Afati është deri në 23 Maj. Pas kësaj date zhvillimet do të jenë të paparashikueshme.    Plani BE-SHBA    Rezistenca e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, duke refuzuar largimin e të paktën 16 kandidatëve nga lista për zgjedhjet e 21 Qershorit, do të pasohet me një lëvizje të paralajmëruar të ambasadës amerikane në Tiranë dhe delegacionit të Bashkimit Evropian. BE-SHBA po koordinojnë veprimet dhe lëvizjet, për të dalë me një qëndrim më të qartë dhe me një gjuhë ndryshe, pas datës 23 Maj, për kandidatët e inkriminuar. Konkretisht pritet demaskimi në publik i kandidatëve të inkriminuar, si dhe denoncimi i Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë mbrojtur me vetëdije elementët e dyshimtë.    Presioni i SHBA-BE për dekriminalizimin

?Çështja e dekriminalizimit është po ashtu e rëndësishme. Ju doni kandidatë që të jenë të pastër dhe që të mos kenë probleme me krimin. Kur luftohet aktiviteti kriminal, kur këto çështje demaskohen, atëherë kuptohet që ka një klimë më të shëndetshme. Sepse nëse ka akuza dhe nuk shkohet më tej, kjo s?është gjë e mirë. Demokracia është diçka për të cilën duhet të luftoni. Kandidati ka rëndësi për demokracinë dhe edukimi i votës së popullit është e vetmja formë për demokracinë?.

Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin   ?Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne jemi duke parë. Afati i fundit është 13 Maji dhe pas kësaj date ne do të flasim për atë që mendojmë. Deri më 13 Maj ka kohë për t?i ndryshuar gjërat. Pas kësaj date, ne do të jemi shumë të qartë në mesazhin tonë. Ne jemi duke diskutuar për këtë. Komuniteti ndërkombëtar dhe ne ambasadorët nuk jemi një zyrë ligjzbatuese?.    Ambasadori amerikan, Donald Lu   “Të hënën kam thënë shumë për zgjedhjet vendore në Shqipëri. Unë mendoj që është mjaft nga amerikanët për një javë, sepse të huajt nuk do të bëjnë këto zgjedhje të mira, duhet të jetë shoqëria juaj civile që do të sigurojë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”.

Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee    ?Shqipëria ka arritur përparim të madh gjatë viteve të fundit drejt realizimit të synimit të saj për t?u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe integruar në institucionet euro-atlantike. Kohët e fundit kemi parë masa për të dekriminalizuar parlamentin dhe ne mendojmë se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Ne i kemi përshëndetur publikisht qeverinë dhe partitë për përpjekjet e tyre për të çrrënjosur korrupsionin brenda vetë partive, për të larguar anëtarët e partive dhe të parlamentit që dyshohen për korrupsion. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë që kjo prirje do të vazhdojë?.

Shefja e delegacionit për Shqipërinë në PE, Monica Macovei   ?Ne ju bëjmë thirrje partive politike të mos përfshijnë në listat zgjedhore persona më të kaluar kriminale. Bëjmë thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm të akuzave të ngritura, për ne është e rëndësishme që prokuroria dhe gjykata të punojë në mënyrë të pavarur. Megjithëse e dimë që kjo nuk është e vështirë, ne besojmë se ka një herë të parë. Pretendimet dhe akuzat janë në shqyrtim e sipër, nesër mund të ketë akuza për palën tjetër e për këtë duhet të presim hetimet. Më lejoni të sqaroj, të bëj thirrje për heqjen e personave me të shkuar kriminale jo vetëm nga Kuvendi, por policia, administrata etj. Të gjitha fushat e organizimit duhet të jenë të pastra?.

 

14:00 Aktualitet

Reduktimi i stresit

 Stresi është një realitet që ndikon pothuajse në çdo ditë t...

Lajmet e fundit nga