LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një debat që dëshmon për shtetin tonë joserioz!

30 Prill 2015, 07:08, Opinione CNA

Nga Mero BAZE 

 

Ish- kreu i Shërbimit Informativ Fatos Klosi është përfshirë në një debat publik me ish-kryeministrin Pandeli Majko lidhur me ?meritat? e tyre për luftën e UÇK-së në Kosovë dhe ndihmën e shtetit shqiptar. Debati ka zënë fill, pas një akti po ashtu joserioz të institucioneve në Kosovë që propozuan Fatos Klosin dhe Sabit Brokaj si veteran të luftës për Kosovën, për shkak të kontributeve që kanë dhënë si ish-zyrtar të shtetit shqiptar.

Debati u bë emocional pas një interviste të Fatos Klosit në Kosovë, ku u përfshinë në polemika kryeministri Mustafa, Sali Berisha dhe më pas Pandeli Majko.

Nuk dua të bëj gjykatësin mes debatuesve, por ky debat është një ilustrim perfekt i disa normave etike të shkelura, që e bën një shtet joserioz.

Së pari propozimi i ardhur nga Kosova që Shefi i Shërbimit Sekret shqiptar të konsiderohet ?veteran lufte? në Kosovë,  është jo etik dhe implikon shtetin shqiptar zyrtarisht në një histori ku ai ka më pak merita seç kërkon të marrë. Është e vërtetë se lidhjet personale të Fatos Klosit me disa krerë politik të UÇK-së ishin më të forta se lidhjet e shtetit shqiptar me UÇK-në, por kjo nuk është as meritë dhe as krim. Është thjeshtë një klientelizëm shqiptar, i cili u ka shërbyer luftrave të brendshme në faktorin shqiptar dhe jo unitetit mes tyre.  Qoftë dhe për këtë arsye ky debat tregon sa joserioz ka qenë dhe mbetet shteti shqiptar dhe jo sa merita ka pasur për t?i bërë ndere miqve dhe shokëve nga Kosova.

Nëse Shërbimi Sekret shqiptar ka ndihmuar luftën në Kosovë, e ka bërë në emër të shtetit shqiptar dhe jo si vullnet personal të një zyrtari. Nderet personale që i kthehen njëri-tjetrit në këtë rast tregojnë se nuk kemi funksionuar si shtet, por si çetë.

Së dyti kriza humanitare e Kosovës, pas fillimit të dëbimit masiv, mori një kthesë vendimtare pozitive, pas deklaratës së Pandeli Majkos se Shqipëria mund të presë çdo refugjatë nga Kosova. Ajo deklaratë, i dha shpresë Perëndimit të mbështeste qeverinë shqiptare në krizën e refugjatëve dhe ndali frikën se shqiptarët do ktheheshin në një popullsi nomade nëpër Europë. Ky është kontribut real politik, publik, gjithëpërfshirës dhe kombëtar. Për këtë, nëse dikush nga Kosova duhet të dekoronte dikë nga Shqipëria, ai është kryeministri i asaj kohe i Tiranës zyrtare, për shkak të një qëndrimi publik me pasoja shumë pozitive.

Së treti, Shërbimi Sekret Shqiptar, Prokuroria e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe gjyqësori shqiptar kanë një njollë të zezë në historinë e tyre, pasi i kanë hapur rrugë vëllavrasjes mes faktorit politik të Kosovës. Asnjë vrasje politike e bërë në Shqipëri mes radhëve të UÇK-së apo FARK nuk u hetua dhe zbulua. Ende sot shteti shqiptar, nuk ka një përgjigje kush e vrau ish-Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqin, në 21 shtator 1998, kur ai ishte institucion legal i përfaqësimit të rezistencës ushtarake të Kosovës në Tiranë. Akoma më keq, ende nuk ka një hetim serioz apo gjyq se kush e vrau Ilir Konushevcin, një veprimtar i shquar i UÇK-së i sektorit logjistik, që merrej me furnizimin me armë dhe të holla për UÇK-në. Ai u vra në rrugën për Tropojë, në rrethana ende të pasqaruara ligjërisht dhe me një version të dyshimtë nga Shërbimi Sekret Shqiptar. Nëse shteti shqiptar duhet të japë një kontribut ndaj asaj pjese të historisë është të zbardhë vrasjet politike dhe të çlirojë Kosovën nga ata që mbajnë peng politikën, për shkak të këtyre vrasjeve. E vërteta e hidhur është se shteti shqiptar ka mbajtur qëndrim armiqësor ndaj këtyre viktimave, edhe pasi janë vrarë dhe kjo për llogari të ngushta brenda atyre që quheshin kupola politike e UÇK-së në Tiranë.

Listat e vdekjes, që qarkullonin në Tiranë kundër atyre që quheshin kundështarë të një grupi të ngushtë politik të UÇK-së, janë një turp për historinë e këtij vendi. Hapni arkivën e TVSH-së më 30, 31 mars 1999 dhe dëgjoni e shikoni po mundët pa u skuqur deri tek veshët, se çfarë është thënë publikisht si thirrje publike për të ekzektuar këdo që është mbështetës i Rugovës apo Bukoshit. Është thënë në Televizion zyrtar të Shqipërisë dhe janë konsideruar armiq që duhen vrarë, kundërshtarë politik të këtij grupi. Është mirë të  harrohet ajo histori, edhe për shkak të njerëzve jo serioz që e kanë bërë, por kur tentohet të shitet si lavdi, mund të bëj dëm.

Së katërti, përfshirja në debate politike mbi rolin e Ibrahim Rugovës dhe etiketimet emocionale, qoftë edhe për kryeministrin aktual të Kosovës, vetëm sa zbulojnë implikimin e njëanshëm të shtetit shqiptar në atë histori dhe kontributin e tij për përçarje të faktorit shqiptar në Kosovë. Është më mirë të heshtet për një histori të tillë, sesa të lëvdohesh dhe pse ke mundur t?ia arrish asaj që ke dashur të bësh. Dhe në këtë pike, dua të shtojë se i vetmi politikan normal nga Shqipëria që ka dhënë kontribut real për të bashkuar faktorin shqiptar ka qenë Pandeli Majko, i cili ka shmangur dhe atentate të mundshme politike ndaj Bujar Bukoshit dhe histori të tjera që mund t?i kishin kushtuar rëndë kauzës së çlirimit të Kosovës.

Së pesti, nëse duhet të flasim hapur për historinë e armëve, shteti shqiptar ka një anë të errët dhe një anë të shkëlqyer të tij. Ana e errët është se disa struktura të UÇK-së u përfshinë në tregti armësh me persona privat, kryesisht ?të fortët? e Tropojës, që merrnin armë nëpër depot ushtarake nën ?lejen? jozyrtare të SHISH, siç qe rasti i Gramshit dhe ia shisnin UÇK-së.

Por ka dhe një fakt, që përbën anën e shkëlqyer të shtetit shqiptar dhe qeverisë së asaj kohe. Kryeministri Pandeli Majko dhe gjithë ministrat e tij, kanë nënshkruar një dokument sekret në qeveri, ku ushtria shqiptare merrte përsipër zyrtarisht furnizimin me armë të UÇK-së. Ky vendim është i klasifikuar si sekret, por është një akt legal, që një ditë do të publikohet dhe këto përrallat që qeveria s?ka dhënë asnjë fishekë dhe se luftën e paskan furnizuar me armë ?to fortët? dhe SHISH´, vetëm sa do të na tregojnë se kush ka bërë luftë, e kush ka bërë kontrabandë.

Kosova gjendet sot para një procesi të gjatë reflektimi për betejën e saj për paqe dhe vëmendja kryesore është fokusuar tek Gjykata Speciale, e cila mund të kthejë kokën mbrapa në këto histori jo aq krenare për shqiptarët. Ibrahim Rugova dhe imazhi i tij paqësor, ishte një arsye e madhe përse Perëndimi i dha dritë jeshile çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Kjo nuk ka të bëjë me atë si e kemi njohur ne Rugovën, a pinte çaj a uiski, a mbante shall a s´pranonte të pinte kafe me udhëheqësit e Tiranës. Kjo ka të bëjë me faktin, që Perëndimi nuk pa në Kosovë vetëm ca guerilë që mbështeteshin nga Shërbimi Sekret i Tiranës dhe shpenzonin kohën sesi të merrnin pushtetin politik në Kosovë, por pa dhe një njeri që ishte i qartë, i sinqertë dhe i parashikueshëm dhe i bindur mes të tjerash dhe në vlerat reale të popullit të tij. Ndaj ky debat është jo etik dhe vetëm sa përforcon mungesën e seriozitetit që shteti shqiptar ka pasur në këtë histori, i cili dhe kur bënte sikur fuste snajpera në Rinas për UÇK-në, gjendeshin nga policia pas disa muajsh në vrasje ordinere në Tiranë, si armë që ishin përdorur mes bandave.

Për fatin tonë të madh dhe mbi të gjitha për fatin e Kosovës, Perëndimi u investua në një betejë të papërsëritshme, për të çliruar një popull nga një diktaturë etnike, duke u hequr serbëve të drejtën e sovranitetit mbi Kosovën për shkak të shkeljes së lirive njerëzore. Bill Clinton dhe Tony Blair bën një histori të madhe dhe shteti shqiptar u përpoq të ishte serioz sa mundej me ta në atë histori. Të paktën të bëhemi serioz dhe të mos ua shpifim kaq shpejt, që të bëhen pishman për atë çfarë kanë bërë, duke treguar historira që duhet t?i harrojmë sa më shpejt.

 

 

 

 

 

 

07:57 Opinione

Ik nga kurvizmi

Edison Ypi Po kalon nëpër sheshin Skënderbe. Proletarë morra...

Lajmet e fundit nga