LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ligji për Arsimin e Lartë/ Lindita Nikolla letër të hapur studentëve

30 Prill 2015, 12:48, Politikë CNA

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla i është drejtuar studentëve me një letër të hapur. Ajo shkruan se Ligji për Arsimin e Lartë është “veshur” me të pavërteta apo me insinuata, që nuk kanë të bëjnë me atë që ky ligj mëton të sjellë.

Letra e plotë nga Ministrja Nikolla:

Të dashur studentë,

Edhe pse debati, për ligjin e ri të “Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, jo rrallë është veshur me të pavërteta apo me insinuata, që nuk kanë të bëjnë me atë që ky ligj mëton të sjellë, ndjeva detyrimin të ndaj me ju argumentet dhe të vërtetat e reformës në arsimin e lartë, që lidhen drejtpërdrejtë me studentin. Shkollimi juaj më cilësor, më dinjitoz në raport me epokën ku jetojmë, një shkollim sipas dëshirës, por i kombinuar me përgjegjësinë dhe me interesin publik, është fokusi ynë kryesor.

Do të kemi një sistem arsimi të lartë, shumë më cilësor dhe ky është interesi juaj thelbësor.

Po qartësoj që në fillim se nenet e ligjit të ri që lidhet me kuotat, tarifat dhe mënyrën e zgjedhjes së degës do të zbatohen në vitin akademik 2016-2017, për studentët e rinj që hyjnë në sistem.

Këto nene nuk prekin studentët që janë në sistem arsimor dhe as ata që hyjnë në sistem në vitin akademik 2015-2016.
Pse ligji ka në qendër studentët?

Ju studentë që do të filloni studimet në vitin akademik 2016-2017 e në vazhdim do të keni mundësi të zgjidhni vetë se në cilin institucion doni të shkoni, duke qenë paraprakisht të qartë dhe duke aplikuar në disa universitete njëherazi, në krahasim me formën e deritanishme, ku ishit të detyruar të shkonit për shkak të rrethanave dhe sistemit jo konkurrues e jo aplikues. Kodi i standardeve të cilësisë i unifikuar për të gjithë sistemin, publikimi periodik nga MAS i rankimit dhe performancës së universiteteve, por edhe Letra e Prioriteve, bazuar në studimin e tregut të punës do të bëjnë të mundur që të orientoheni shumë më mirë në zgjedhjen tuaj.

Asnjë nga ju që e meriton, por që nuk ka mundësi financiare nuk do të mbetet jashtë universitetit. Studentët ekselentë dhe studentët shumë të mirë, por në pamundësi financiare do të konkurrojnë për degët që ata dëshirojnë mbi parimin meritë-preferencë. Nëse nuk do të ketë mundësi pranimi në këto degë për shkak të numrit të vendeve në dispozicion, që përcaktohen nga vetë universiteti, ata do të ftohen me bursë të plotë në degë që kanë interes në zhvillimin kombëtar, apo në degë për të cilat shoqëria ka nevojë, por janë të papreferuara. Po ashtu, studentëve që insistojnë të shkojnë në degë shumë të kërkuara, për të cilat janë plotësuar kuotat e bursave sipas meritës, do t?ju ofrohet një mekanizëm i plotë i kredisë studentore me interes 0, si të në gjithë vendet e zhvilluara.

Ne nuk do të lemë jashtë edukimit universitar studentët të cilët, jo vetëm për shkak të tyre, por edhe për faj të sistemit nuk kanë pasur rezultatet më të mira. Një sistem i gjerë i arsimit të lartë profesional do të zhvillohet në dobi të shoqërisë, por edhe në dobi të shumicës së këtyre studentëve për të mundësuar formim të lartë profesional me kohëzgjatje 1 ose 2 vjeçare që do të mundësojë një akses më të shpejtë në tregun e punës, të specializuar në fusha specifike. Po ashtu profilizimi i universiteteve të rajoneve, do të bëjë të mundur që të akomodojmë në rajonet tuaja, një numër të madh bursash dhe programesh studimi që ndihmojnë realisht zhvillimin rajonal. Kështu, ju do të largoheni nga harxhimi i kotë i kohës dhe energjive, edhe pse nën petkun e edukimit të lirë, në degë që janë të mbingopura dhe që kanë pak mundësi punësimi.

Koha juaj e studimit dhe shpenzimet e prindërve tuaj kthehen në kohë e financim jo të harxhuar kot. Duke rritur përgjegjshmëritë tuaja, duke fuqizuar mundësitë e financimit të sistemit, duke shtuar maksimalisht atë që qeveria mund të buxhetojë, si dhe duke lejuar forcat e tregut dhe kontributet e tjera që të futen në sistemin e arsimit të lartë, të orientuar nga cilësia, ju dhe prindërit tuaj do të mund të merrni maksimumin e investimit në kohë e buxhete. E përsëris qartë dhe prerë: Asnjë para publike për universitete private, por do të ketë më shumë para publike e private për universitetet publike. Kush thotë ndryshe, thotë një të pavërtetë.

Rritja e autonomisë së universiteteve në menaxhimin e burimeve financiare, në përcaktimin e kuotave dhe tarifave si dhe risitë që ligji i ri sjell në shumëllojshmërinë e financimit të universiteteve, por edhe impenjimi i kësaj qeverie për të shtuar financimet në arsim dhe për të stimuluar donatorët, do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të kushteve të studimit për studentët, me objektivin e përgatitjes së specialistëve cilësorë për vendin. Arsimimi juaj do t?i afrohet gjithnjë e më shumë asaj që çdo student në vendet e BE-së merr sot.

Akreditimi i universiteve dhe programeve nga një agjenci pjesë e ENQA-s, monitorimi i cilësisë së mësimdhënies dhe plotësimi i kërkesave të BE-së për arsimin e lartë, do të mundësojë që diplomat tuaja të njihen në BE, për t?u punësuar apo pë të vazhduar studimet si të gjithë studentët e tjerë të BE-së. Kjo do të thotë që diploma juaj të nuk do të jetë një copë letër pa vlerë, por një dëshmi e njohurive tuaja dhe një pasaportë për t?ju hapur dyert e angazhimeve tuaja profesionale dhe akademike, jo vetëm brenda por dhe jashtë vendit.

Kjo është ajo që kjo reformë synon të arrijë dhe që duam ta bëjmë realitet edhe me ndihmën e mbështetjen tuaj, kjo është dhe arsyeja themelore pse në qendër të saj është studenti dhe e ardhmja e tij.

Kam dëgjuar këto ditë të flitet se studentët janë lënë jashtë përfaqësimit demokratik në jetën e universiteteve. E pavërtetë!
Jo vetëm ruhet përvoja e deritanishme, por ligji i ri mundëson edhe një formë të re të pjesëmarrjes suaj në qeverisjen e universiteteve. Rritet roli juaj në departamente përmes këshillave studentore, apo në vendimmarrjet akademike të universitetit dhe në përgjithësi në mënyrën se si ju e vlerësoni institucionin tuaj të arsimit të lartë.

Por, më shumë se kaq, do të instalojmë anketën kombëtare studentore, si mekanizëm bazë për të vlerësuar sistemin tonë universitar, si dhe për të vlerësuar institucionet në përgjithësi. Treguesit e kësaj ankete do të jenë shumë të rëndësishëm në vlerësimin e mësimdhënies, rankimin e institucioneve dhe në shpërndarjen e fondeve publike, duke u dhënë një zë më të fuqishëm studentëve edhe në këtë drejtim.

Mbi të gjitha, të dashur studentë, ne do t?i japim përparësi shpenzimit racional të burimeve tona ekonomike, të cilat do t?u drejtohen pikërisht drejt atyre degëve, profileve që janë prioritare në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe kerkesave të tregut të punës. Ju do të zgjidhni të studioni, pasi të njiheni edhe me Letrën e Prioriteteve që do të publikojë periodikisht qeveria, për të mundësuar një sistem edukimi, ku secili prej jush të mund të gjejë vendin e merituar. Monitorimi dhe studimi i nevojave të tregut të punës do t?ju ndihmojë të kuptoni se në cilat fusha ka më shumë nevojë për specialistë të lartë, duke mos investuar kohë nga jeta juaj për t?u arsimuar në fusha në të cilat ka një mbingopje të tregut me specialistë të lartë.

Ndërkohë, unë dua t?ju ftoj për një përgjegjshmëri më të madhe në raport me kohën tuaj, në raport me kohën e pedagogëve dhe me burimet publike. Ne do të dekurajojmë mungesën e cilësisë edhe tek studenti. Mbështetja kryesore do t?i shkojë studentit të përgjegjshëm, që përpiqet dhe që përfundon në kohë studimet. Mbështetja publike përmes fondeve publike për edukimin tuaj do të jetë sigurisht një mbështetje me kushte, në bazë të meritës dhe të nivelit të përpjekjeve. Ne do të dekurajojmë papërgjegjshmërinë, përsëritjet e pafundme të provimeve apo çdo fenomen tjetër negativ. Ju do të keni një sistem arsimor të pastër, të drejtëpërdrejtë, por dhe të përgjegjshëm. Të tre këta elementë: cilësia, transparenca dhe përgjegjshmëria, janë investimi më i madh në favorin tuaj.

Nuk bëhet fjalë që ne të mos u japim mundësinë të gjithë të rinjve për arsim të lartë, nuk bëhet fjalë që dikush të përjashtohet nga sistemi. Jo. Çdo i ri duhet të ketë një vend në arsimin tonë të lartë. Çështja është që secili të jetë në vendin që i takon sipas meritës, sipas preferences, por edhe sipas nevojës dhe prioriteteve që ka vendi, ndryshe nga politika e masivizimit, e cila nuk u kujdes për thelbin e formimit të studentit. Ky pakt i madh me studentin shqiptar, është një pakt për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, është një pakt për solidaritetin, është një pakt për zhvillimin e vendit dhe të talenteve e potencialeve tuaja.

Është e sigurt që në sistemin e ri të arsimit të lartë ju do të edukoheni në radhë të parë, me sensin e meritës dhe të garës, çka është shumë e rëndësishëm për jetën tuaj. Por, sigurisht, do të keni nga qeveria dorën e solidaritetit dhe të mbështetjes për të ecur përpara.

Sinqerisht e Juaja,

Lindita Nikolla

Lajmet e fundit nga