LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A është ISIS i destinuar të dështojë?

30 Prill 2015, 18:15, Kosova & Bota CNA

Shumë ekspertë janë të mendimit se terrorizmi modern po përparon me një shpejtësi të tillë, sa që strategjitë e përdorura për ta luftuar atë po mbeten pas. Por të tjerë theksojnë se terroristët e rinj janë armiq të vetvetes.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, përpjekjet anti-terroriste janë përqëndruar në parandalimin e të ashtu-quajturave sulme spektakolare. Por 14 vjet më vonë, një sulm i ri spektakolar ndodhi në revistën Charlie Hebdo të Parisit, një sulm jo i sofistikuar, por me një ndikim të madh.

Një nga kryeqytetet kryesore të botës u bllokua nga pak njerëz të armatosur me armë dhe bomba artizanale. Sulmuesit ishin dy vëllezër islamikë që ishin rritur në Francë.  Ata nuk ishin të stërvitur dhe radikalizuar në bazat e al-Kaidës, por në internet.

David Kilcullen është ekspert i anti-terrorizmit ndërkombëtar.

?Vetëm pesë vjet më parë në qarqet e zbulimit kishte ende debate në se ishte e mundur të rekrutoje dhe ta bëje aktiv dikë  thjesht përmes internetit. Kjo risi është pjesë e një strategjie shumë më të sofistikuar që përdor median sociale, internetin dhe mjetet e komunikimit dhe ka qasje ndaj armëve ushtarake për shkak të luftrave në Irak dhe Siri?.

Kthimi i luftëtarëve të huaj është po ashtu një element i ri.  CIA llogarit se rreth 20,000 vullnetarë të huaj i janë bashkuar grupeve xhihadiste ? gati 3 mijë nga Evropa.

Rrjedha vazhdon ? thotë eksperti për kundër-terrorizmin në organizatën RAND, Brian Jenkins.

?Kryeministri i Francës tha se pritet që në Siri dhe Irak, deri në fund të vitit 2015, të ketë rreth 10 mijë vullnetarë nga Evropa. Disa do të fitojnë përvojë, aftësi dhe kontakte, që do t?i bënin armiq seriozë në se ata do të zgjidhnin të ndiqnin xhihadin në atdheun e tyre.?

 

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera ka krijuar shtete të dështuara ndërsa grupe si Shteti Islamik po marrin territore dhe po përpiqen të qeverisin.

Por zoti Jenkins thotë se kjo prirje do të çojë në fund të fundit në dështim,  për shkak të ekonomisë së bazuar tek grabitja.

?Ata funksionojnë në pjesën më të madhe duke u zgjeruar në territore të reja duke vjedhur bankat, duke shitur pajisjet e ndërtimit, makinat, kamionët,  me pak fjalë, gjithshka munden. Ata ose duhet të vazhdojnë të zgjerohen, ose do të vetë-shkatërrohen.?

 

Një sfidë edhe më e madhe për ta mbajtur një shtet xhihadist është mizoria e përkrahësve të tij, thotë Philip Mudd, ish zyrtar i lartë i CIA-s dhe FBI-së.

?Kur më bëhet pyetje sesi po e përballojmë situatën, përgjigja ime është….kush po e fiton luftën e ideve? Njerëzit kanë vendosur në mbarë botën arabe se ajo që kemi parë në 15 vitet e fundit është vrasja e të pafajshmëve që nuk është asnjëherë e pranueshme.?

Anketat tregojnë se në shumicën e vendeve muslimane, pjesa dërrmuese e kundërshton dhunën kundër civilëve. Pikëpamja dërrmuese është se veprime të tilla nuk janë asnjëherë të justifikuara si mënyra për të mbrojtur islamin nga armiqtë e tij thotë zoti Mudd.

Shumica e muslimanëve sot thonë gjithashtu se kalifatet e vjetra ishin të mbushura me artistë, shkencëtarë, shpikës dhe njerëz të moderuar, jo xhihadistë të dhunshëm në fushatë kundër muslimanëve shiitë apo grupeve të tjera fetare dhe etnike./VOA

Lajmet e fundit nga