LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

NSA/BND: inaktivitet i qëllimshëm

28 Prill 2015, 14:45, Kosova & Bota CNA

Skandali më i ri i Shërbimit Informativ Gjerman është simptomatik për trajtimin pa respekt të Parlamentit nga qeveria. Kontrolli i Shërbimeve Informative duhet të reformohet në mënyrë radikale, mendon Marcel Fürstenau.

Në temën, që shkakton debat, të shërbimeve të fshehta, Zyra Kancelarore duket se nuk di të ndalet: të tjerët çohen në gjurmë të gabuar, bëhen truke e me sa duket edhe gënjehet. Këto kritika nuk bien as nga qielli, as shqiptohen ato me mendjelehtësi për të bërë skandal. Përkundrazi : sërish iu desh zyrës qeveritare të konfirmonte me zë të ulët raporte të medieve. Këtë herë bëhet fjalë për dyshimin për spiunazh industrial të Shërbimit të Fshehtë Amerikan, NSA, duke angazhuar edhe Shërbimin Informativ Gjerman (BND). Aktivitetet e diskutueshme, e ndoshta antiligjore janë zhvilluar madje me dijeni të Zyrës Kancelarore.

Në rastin aktual, një shërbim i fshehtë gjerman ia ka transmetuar dijen e tij në përputhje me përgjegjësinë personave përgjegjës politikë – të paktën në anën e ekzekutivit. Por megjithatë qeveria i mbajti për vete informacionet me natyrë shpërthyese. Bundestagu, pra pushteti legjislativ, si shpesh nuk mësoi asgjë. Kjo në një kohë kur qeveria federale ka detyrimin që ta informojë Organin e Kontrollit Parlamentar, të përbërë nga deputetë të të gjitha grupeve parlamentare, për punën e shërbimeve të fshehta. Qeveria gjermane duhet të raportojë përballë Organit të Kontrollit Parlamentar “gjerësisht për aktivitetin e përgjithshëm” dhe për “procese të rëndësisë së veçantë”. Ende nuk ka dalë asnjë përfaqësues i qeverisë që të pohojë se hetimi i koncerneve evropiane të armatimit nga NSA me ndihmën e BND është i parëndësishëm.

Shërbimet e fshehta të bashkëpunojnë, por duke respektuar ligjin!

Për të parandaluar keqkuptimet: në kohën e terrorizmit ndërkombëtar janë të rëndësishme të gjitha aktivitetet e të gjitha shërbimeve të fshehta. Pra edhe ato të Kundërzbulimit Ushtarak (MAD) dhe të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV). Veçanërisht bashkëpunimi i NSA-së me Shërbimin e Fshehtë Gjerman ka marrë një përmasë të re pas atentateve të 11 shtatorit 2001. Lakmia për të dhëna dhe informacione është e kuptueshme deri në njëfarë shkalle.

Por mbrojtja nga terrorizmi nuk duhet të bëjë në një demokraci që të ngrihet një shtet brenda shtetit. Ky rrezik rritet në masën, që shërbimet e fshehta i rrëshkasin kontrollit të qeverisë dhe qeveria kontrollit të parlamentit. E re kjo kritikë nuk është, por për fat të keq duhet përsëritur herë pas here. Shërbimet e fshehta duhet të reformohen urgjentisht dhe mbikqyrja politike duhet të përmirësohet në mënyrë rrënjësore. Më e vonta që prej zbulimeve të ish- bashkëpunëtorit të shërbimit të fshehtë, Edward Snowden askush nuk mund t’i mbyllë më sytë përballë kësaj nevoje. Në tryezë janë propozime të shumta nga politika, por edhe nga shoqëria civile. Po të injorohen edhe më tej ato, edhe pas skandalit më të fundit NSA/Shërbim Informativ Gjerman, qeveria federale do të përballej më shumë se kurrë me kritikën e inaktivitetit të qëllimshëm.

Lajmet e fundit nga