Bota
Nepal/ Më shumë se 2 000 të vdekur dhe 4 000 të plagosur pas tërmetit shkatërrues
Ekipet e shpëtimit janë përballur sot me shkatërrime masive dhe vështirësi komunikimi pas tërmetit shkatërrues në Nepal që ka shkaktuar më shumë se 2 000 të vdekur dhe 4 000 të plagosur, sipas një bilanci paraprak që pritet të rëndohet, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar ka rritur asistencën në vendin himalian.
Sipas policisë nepaleze tërmeti me magnitudë 7,8 ballë Rihter ka shkaktuar 1 953 të vdekur në Nepal, më i përgjakshmi që prej 80 vjetëve, dhe disa dhjetëra të tjerë në veri të Indisë dhe në Kinë. Ka më shumë se 4 000 mijë të plagosur.
Ky bilanc pritet të rëndohet dhe agjencitë humanitare në vend e kanë të vështirë të vlerësojnë përmasat e shkatërrimit dhe nevojave.
“Është e qartë se ka nevoja urgjente për strehim të përkohshëm, ushqim, ujë të pijshëm, veshje të ngrohta, batanije dhe ndihmën e shpejtë”, theksoi Christian Aid.
Lëkundje të tjera kanë goditur Katmandunë, ku shumë banorë janë detyruar të kalojnë natën jashtë, në rrugë apo në tenda të improvizuara, pavarësisht nga moti i ftohtë.
Në Everest, ku tërmeti ka shkaktuar një ortek të përgjakshëm, 17 të vdekur janë konfirmuar sot, sipas një zyrtari nepalez të turizmit.
”Në Indi, autoritetet kanë njoftuar për 53 të vdekur, pjesa më e madhe në shtetin lindor të Biharit. 17 persona janë gjetur të vdekur në Tibet”, sipas shtypit zyrtar kienz. Tërmeti ka prekur gjithashtu dhe Bangladeshin.
Një ndihmë ndërkombëtare për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi dje Nepalin, po organizohet menjëherë, edhe pse shumë agjenci humanitare e kanë të vështirë për të vlerësuar nevojat në vend.
Ky tërmet me magnitudë 7,8 ballë të shkallës Rihter, më i përgjakshmi që prej vitit 1934 në Nepal, ka ngjallur menjëherë reagim ndërkombëtar.
SHBA-ja njoftoi dërgimin e një ekipi shpëtimi dhe zhbllokimin e një milionë dollarëve për t’iu ardhur në ndihmë viktimave, njoftoi agjencia amerikane e ndihmës USAID.
Norvegjia premtoi 3,5 milionë euro ndihmë humanitare duke theksuar se vendi do të kontribuonte më shumë”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Borge Brende.
Presidenti rus, Vladimir Putin i shprehu dhimbjen e tij presidentit të Nepalit, Ram Baran Yadav ashtu dhe presidentit kinez, Xi Jinping, i cili theksoi se dëshironte të ofronte ndihmën e tij.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier u shpreh i tronditur duke shtuar se Gjermania ishte e gatshme të bënte gjithçka që është në pushtetin e saj për të dhënë ndihmën e saj në këto momente të rënda.
Presidenti francez, François Hollande deklaroi sot se Franca ishte e gatshme t’i përgjigjej kërkesave për ndihmë dhe asistencë që Nepali mund t’i dërgojë pas tërmetit të fuqishëm që ka shkaktuar disa qindra të vdekur në vend.