LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kur lufta mbaroi - Çfarë ndodhi më 8 maj 1945?

25 Prill 2015, 10:46, Aktualitet CNA

Më 8 maj 1945 hyri në fuqi pa kushte kapitullimi i Wehrmacht-it gjerman. Por me këtë jo në mbarë rajhun mbizotëroi paqja. Dhe shumë gjermanë këtë ditë as që e perceptuan si çlirim.

“Lufta ka marrë fund. Armët kanë heshtur.” Këtë fjali shkruan Hildegart Theinert në ditarin e bashkëshortit të saj më 9 maj 1945, ditën, në të cilën në mbarë Gjermaninë u shpall kapitullimi i Wehrmacht-it gjerman. Pak pas kësaj mësuesi i latinishtes Johannes Theinert në qytezën Glatz në Silezinë e poshtme qëllon fillimisht gruan e më pas edhe veten. Por le t’i tregojmë ngjarjet me rend.

Berlin-Karlshorst, 8 maj 1945, ora 23:45. Feldmareshali Wilhelm Keitel nënshkruan kapitullimin pa kushte të Wehrmacht-it gjerman. Të paktën kjo është data zyrtare e dokumentit. Por në fakt Keitel e vendos emrin e tij në dokument më 9 maj ? ndërsa nënshkrimi i tij është thjeshtë një përsëritje formale e asaj, që ishte vulosur një ditë më parë në Reims. Atje koloneli i përgjithshëm Jodl kishte deklaruar “kapitullimin pa kushte të të të gjitha forcave të armatosura në tokë, në ujë e në ajër … para komandantit suprem të forcave aleate të ndërhyrjes e njëkohësisht edhe para komandës supreme të trupave sovjetike”. Të gjitha veprimet luftrake duhej të ndërpriteshin më 8 maj në orën 23:01′.

Me insistimin e Stalinit, kjo është teza më e përhapur, ceremonia megjithatë duhej të përsëritej në Berlin. Sepse sipas tij në Reims nuk kishte qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i nivelit të lartë të Ushtrisë Sovjetike. “Kjo sigurisht ka luajtur një rol”, thotë Margot Blank nga muzeu gjermano-rus në Berlin-Karlshorst. “Por thelbësore ishin rezervat e palës britanike. Ajo tërhiqte vëmendjen, se në fundin e Luftës së Parë Botërore udhëheqja ushtarake gjermane nuk kishte kapitulluar, por ajo kishte dërguar qeverinë civile, për të deklaruar më pas: ne jemi në fushëbetejë të pamposhtshëm.”

Fundi i “Rajhut të tretë”? Gjeneral Dönitz është ende në post

Frika nga kjo legjendë therëse i nxiti britanikët, që të pranojnë propozimin e Stalinit, thotë Blank. Kapitullimi i ri gjerman nënshkruhet prej komandantëve supremë të Wehrmacht-it: komandanti suprem Keitel për Wehrmacht-in në tërësi, koloneli i përgjithshëm Stumpff për aviacionin dhe admirali von Friedeburg për flotën detare të luftës.

Nënshkrimet në Reims dhe në Karlshorst realizohen në marrëveshje me presidentin e rajhut Karl Dönitz. Qëkurse Hitleri më 30 prill ka vrarë veten, Dönitz është pasuesi zyrtar i diktatorit. Qeveria e tij në detyrë e rajhut që pas arratisë nga Berlini ndodhet në Flensburg ? e kthehet këtu edhe pas nënshkrimit në Karlshorst. Qeveria e rajhut zyrtarisht mbetet në post. “Nuk ka kapitulluar rajhu gjerman, por Wehrmacht-i”, deklaron Johannes Hürter nga Instituti i Historisë bashkëkohore në Mynih. Më 23 maj fuqia britanike pushtuese arreston Dönitz dhe të gjithë antarët e qeverisë – kjo edhe me insisitimin e amerikanëve, të cilët kanë dëgjuar, se edhe pas 8 majit njerëzit për shkak të vendimeve të gjyqeve ushtarake gjermane vazhdojnë të ekzekutohen.

Ora zero për njerëzit në Gjermani nuk troket vërtetë më 8 maj. Për Esther Bejarano ora zero nis në fund të prillit, kur ushtarët rusë takohen me ushtarët amerikanë. Në entuziazëm e sipër ato së bashku djegin një fotografi të Hitlerit. Bashkë me ta janë edhe disa vajza hebreje, të cilat kanë mundur të arratisen prej marshimeve të vdekjes mespërmes rajhut gjerman. Njëra prej tyre është Esther Bejarano. “Ata të gjithë kërcenin rreth kësaj fotografie dhe unë i shoqëroja me muzikë”, kujton sot 90 vjeçarja. Eshtë hera e parë, që ajo luan fizarmonikë me dëshirën e saj, pasi muzika në orkestrën e Auzhvicit kishte qenë shansi i vetëm i mbijetesës së saj. “Ky ishte çlirimi im. Ne tani e dinim që jemi njerëz të lirë.”

Të gjitha kampet e përqendrimit dhe të shfarrosjes çlirohen deri më 8 maj. Por ku duhet të shkojnë tani njerëzit? Shumë sillen vërdallë në Gjermani, në kërkim të të afërmve, të tjerëve prej raskapitjes u duhet të qendrojnë edhe javë të tëra pas çlirimit në kampin, ku kishin qenë kaq kohë të izoluar. Në Bergen-Belsen britanikët krijojnë një kamp për displaced persons.

“Bir, më premto, që do ta qëllosh vet veten”

“Në ish-rajhun gjerman qarkullonin miliona të paatdhe, displaced persons, punëtorë të detyruar, robër lufte, refugjatë, ish-të burgosur në kampe përqendrimi apo shfarrosjeje”, thotë profesori i historisë Hürter. “Ekzistonin emocione nga më të ndryshmet. Që nga ndjenja e çlirimit e deri tek frika.”

Çifti Theinert ka frikë. Frikë prej hakmarrjes nga fituesit, sepse më së voni pas bisedës me një ish-nxënës, ushtar i kthyer nga fronti i Lindjes, ata mësojnë për krimet e gjermanëve.

“Shumë njerëz kishin ndjenjën e fajit dhe të implikimit ndaj dhe kishin frikë nga ajo që mund të vinte më pas”. Në librin e tij “Bir, më premto, se do ta qëllosh vet veten”, Florian Huber përshkruan vetëvrasjen më të madhe masive në historinë e Gjermanisë, ku përfshihet edhe fati i çiftit Theinert. Ai dëshmon, se vetëm në qytezën Demmin në Pomerani kanë vrarë veten rreth 700 deri në 1000 vetë, në një zonë me vetëm 15.000 banorë. Në Berlin u pesëfishua numri i vetëvrasjeve në vitin e fundit të luftës krahasuar me një vit para tij. Edhe në Glatz të Silezisë së poshtme, mësuesi dhe gruaja e tij nuk ishin të vetmit që bënë vetëvrasje. “Janë vetëm pak çaste, e paskëtaj gjithçka merr fund, gjithçka – për gjithmonë!”, shkruan Hildegard Theinert pak para se i shoqi ta qëllojë. Vetëm një ditë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Lajmet e fundit nga