LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çmimi i karburanteve vijon të rritet në tregjet e pakicës

24 Prill 2015, 08:59, Aktualitet CNA

Nga fundjava e kaluar çmimi i karburanteve u rrit me 3 lek/litër ku për pasojë, një litër naftë shitet me 177-179 lekë, nga 174 lekë që ishte para një jave, duke regjistruar rritjen e katërt që nga fillimviti.
Rritja në këto nivele duket e pashpjegueshme, pasi çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është deri 63 usd/fuçi por tregtarët mbrohen me nivelin e lartë të akcizës, se cdo litër karburant kushton 30 lekë/litër më shtrenjtë se rajoni. I vetmi arsyetim që ka lidhje me këtë treg privat, është rritja e ndjeshme e dollarit amerikan, që po këmbehet 130-132 lekë.
Në raport me fillimin e vitit, kur çmimi në tregun e pakicës arriti nivelet më të ulëta në 4 vitet e fundit, sot nafta është shtrenjtuar me 10% dhe është 14 lekë larg niveleve rekord me 190 lekë, që u arrit vjet në janar 2014.
Kete vit, nga muaji Janar, cmimi i naftës është rritur 18 lek/litër. Në muajin Shkurt sipas INSTAT, indeksi i cmimeve (ICK) në grupin ?Transporti? u rrit 1,0 % krahasuar me muajin Shkurt 2013 pasi ndikoi rritja e çmimeve të karburanteve ku cmimi i eurodiezelit u rrit 3,4% dhe benzina 2,5 %.
Në Shkurt çmimet e karburanteve ndryshuan dy herë: në fillim të muajit u ulën, ndërsa u rritën javën e fundit ku në tregun e pakicës që e tregtuan me 165-170 lek/litër, nga 155-160 lek/litër në muajin Janar, pra me 6% rritje.
Sipas statistikave zyrtare, tregtia me pakicë e karburanteve u ul me 0.8% në fundvitin 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-tës dhe 11% më pak nga tremujori i tretë 2014.
Në gjithë vendin operojnë rreth 1200 pika tregtimi të karburanteve me pakicë. Një muaj më parë, pas hetimit të thelluar mbi tregun e karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës doli me konkluzionin se tregu nuk operon në kushtet e monopolit.
Nevojat e tregut vendas plotësohen në rreth 30% me karburante nga nafta vendase, që përpunohet nga ARMO, ndërsa importet e naftës kanë pësuar një rënie prej më se 20% në dy muajt e parë të 2014-tës.
Ndërsa Qeveria ka shpallur luftën kundër informalitetit në tregun e hidrokarbureve dhe në ministrinë e Energjisë dhe Industrisë një grup pune me ekspertë të tatimeve, doganave, Inspektoriatit Qendror Teknik dhe metrologjisë po punojnë për forcimin e legjislacionit me qëllim, kontrollin e cilësisë dhe shmangien e evazionit fiskal në treg, rritja e karburanteve nuk duket e justifikuar. ATA

Lajmet e fundit nga