LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Edi Rama: Halim Kosova burrë i mirë, nuk do ketë ndryshime në qeveri

23 Prill 2015, 21:13, Aktualitet CNA

Kryeministër faleminderit që pranuat që të bënim këtë intervistë. Pyetja e parë është padyshim për kandidatin e bashkisë së Tiranës. Pse Erion Veliaj? Përse kjo zgjedhje?

Besoj që në fund u bë zgjedhja e duhur. Patëm një proces, patëm një numër të konsiderueshëm, besoj më të madh se asnjëherë tjetër, kandidatësh të mundshëm dhe kandidatesh të mundshme për Bashkinë Tiranës. Po ashtu, u angazhuam në një proces intensiv anketimesh të opinionit publik të kryeqytetit për të kuptuar, jo thjesht se kush ishte kandidati apo kandidatja më e preferuar, por cili ishte profili që qytetarët presin të kenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Dhe, arritëm në konkluzionin që pas 4 vitesh kthim mbrapa dhe pastaj, qëndrim mbrapsht në vend numëro, qytetarët e Tiranës presin me plot të drejtë që bashkia të rikthehet në punë, që Tirana të rimarrë drejtimin e duhur dhe që në krye të punëve të jetë një kryetar bashkie, i cili të jetë energjik, të jetë punëmbaruar dhe të ketë aftësinë për të komunikuar dhe për t?iu qëndruar pranë qytetarëve. Ky është një profil i cili përputhet plotësisht me profilin e ministrit tonë të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe mbi të ra kjo barrë e rëndë për të çuar përpara një projekt kombëtar të Rilindjes dhe për të sjellë rilindjen edhe në Tiranën kryeqytet që, fatkeqësisht, në 4 vitet e fundit nuk ka njohur asnjë zhvillim.

A kishte në të vërtetë një proces zoti Rama? Ka akuza nga brenda Partisë Socialiste se nuk kishte një të tillë. Dhe nëse kishte, a ishte hermetik ky? Sepse u la deri në fund i pazbuluar emri i tij dhe asnjë nga deputetët e qarkut të Tiranës, deri në fund nuk dinin kush do të ishte kandidati për Tiranën.

Nuk dua të komentoj komentet, s?e bëj asnjëherë këtë gjë. Secili është në të drejtën e tij të ketë këndvështrimin e tij dhe Partia Socialiste është e njohur për këtë. Por, dua t?ju siguroj, bazuar në eksperiencën time si Kryetar i Partisë, që në 21 qershor kam në këtë detyrë, zgjedhjet e treta vendore, se procesi ka qenë më gjithëpërfshirës se asnjëherë më parë dhe se kandidati ka dalë më shpejtë se asnjëherë më parë. Nëse i referohemi praktikave të zgjedhjeve të shkuara, praktikisht, emrat e kandidatëve kanë dalë në momentin e fundit të regjistrimit të partive dhe të Partisë Socialiste në KQZ. Ndërkohë që, siç e thashë sot kemi në dispozicion edhe mjete të tjera shumë të besueshme dhe shumë racionale për të thithur jo vetëm mendimin e brendshëm të partisë, por për të thithur edhe mendimin e gjerë të opinionit publik. Sepse, nuk po zgjedhim kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, por po zgjedhim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Besoj se, në këtë këndvështrim, nuk i kemi lënë asnjë gjë mangët procesit.

Disa muaj më parë, kur nuk kishte asnjë emër për kandidatin e Tiranës, ju kam pyetur nëse në kriteret që ju po shihnit për përzgjedhjen e tij, të mos kishte ambicie për të kaluar nga bashkia dhe për të marrë drejtimin e partisë, siç ndodhi me ju apo siç ndodhi me pasardhësin tuaj. Por tani që ka një emër, pyetja ime është krejtësisht ndryshe; A ishte në të vërtetë Erion Veliaj një projekt i juaj? Ai është akuzuar në 2004 se ka pasur një bashkëpunim mes jush dhe lëvizjes ?Mjaft? të drejtuar nga Erion Veliaj për të rrëzuar Fatos Nanon. Dhe më pas, kur ai u bë pjesë e PS, ai nuk ishte i gjithëpranuar nga socialistët? Në të vërtetë, a është Erion Veliaj produkt i juaji personal?

Sapo ma kujtuat ju që po jap intervistë në televizionin ?Klan? në fakt, se këto janë histori, filli i të cilave është në zyrën e liderit historik dhe prehistorik të Partisë Demokratike. Por, unë mund të them këtë; që Erion Veliaj është, pa as më të voglin dyshim, një ndër ministrat me rezultatet më të shpejta dhe më të prekshme në realizimin e programit tonë, me një vullnet të hekurt dhe me një vëmendje të veçantë ndaj njerëzve. Ju siguroj se kjo është një zgjedhje që përkon me ambiciet e PS, që përkon me projektin tonë kombëtar dhe projektin tonë për kryeqytetin dhe që në të cilin nuk ka absolutisht asgjë të natyrës personale.

Por edhe një nga ministrat më të sulmuar nga opozita?

Po zakonisht më të sulmuarit janë më të suksesshmit dhe prandaj në krye të listës është Saimir Tahiri.

Zoti Rama, përballë kandidatit tuaj është zgjedhur një doktor i njohur në Tiranë, zoti Halim Kosova. Si ju duket gara?

Besoj se është e kundërta e doktorit të parë. Doktori i parë ishte ai që ishte, por sidoqoftë, për vite të tëra, nuk mund të thuhej se ishte i lodhur.

Ky doktori tjetër është burrë i mire, por shumë i lodhur. Kështu që, nuk besoj se Tiranës i duhet një njeri që sado i mirë qoftë, në këtë fazë mund të drejtojë një azil pleqsh, por jo kryeqytetin.

Por është një njeri që sjell jetën, është gjinekolog!

Preferoj që mos flasim për ndryshimin nga doktori i zemrës tek doktori i gjinisë.

A ka një emër konkret për zëvendësuesin e zotit Veliajt? Ai do të japi dorëheqjen javës tjetër!

Nuk do të jetë e lehtë, por ashtu siç nuk ishte e lehtë, por në fund zgjodhëm kandidatin që i duhej Tiranës për bashkinë e re, ashtu do të jetë e mundur që të zgjedhim zëvendësuesin apo zëvendësuesen e tij, në detyrën e ministrit apo ministres së Mirëqenies Sociale.

Do jetë thjeshtë zëvendësim i zotit Veliaj apo do të ketë një formatim të kabinetit qeveritar? Presim ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar?

Nuk do të ketë ndryshime të qeverisë për sa kohë qeveria është në krye të detyrës, për sa kohë qeveria po ecën sipas planit të veprimeve të saj. Plan veprimesh që monitorohet në mënyrë të përqendruar dhe si asnjëherë më parë nga Këshilli i Ministrave dhe për sa kohë që reformat dhe masat përkatëse që lidhen me to, do të jenë në drejtimin e duhur. S?kemi arsye të bëjmë formatim të qeverisë.

Por jo të gjithë mendojnë kështu. E di që juve nuk ju pëlqen që të komentoni mbi komentet, por zoti Blushi është një zë i fortë brenda Partisë Socialiste. Ai deklaron se Rilindja ka vdekur, nuk ka më rilindje siç ju pretenduat gjatë fushatës!

Sigurisht që, jo të gjithë mendojnë kështu, por qeverinë e bën kryeministri dhe është detyra ime të vendos nëse ka apo jo formatim të qeverisë. Është detyra ime t?ju përcjell informacionin e konsoliduar të anketimeve publike që kanë qenë shumë intensive në këtë periudhë për shakak të zgjedhjeve, se aprovimi i opinionit publik lidhur me drejtimin e duhur në të cilin ecën vendi, është më i larti në shumë vite me radhë që kur ne bëjmë projeksione të tilla. Kështu që, besoj se ne jemi në drejtimin e duhur, besoj që vendi është në drejtimin e duhur. Kjo nuk do të thotë që sfidat i kemi lënë pas, përkundrazi, ato janë përpara. Kjo nuk do të thotë që vështirësitë e njerëzve janë kapërcyer, përkundrazi, ato janë problemi ynë i përditshëm dhe për këtë arsye ne jemi në qeveri. Kjo nuk do të thotë që në këto 18 muaj të jenë bërë ato që u zhbënë për vite të tëra me radhë. Por, kjo do të thotë thjesht që gjërat janë vendosur në rrugën e tyre dhe tani ne na mbetet të ecim më shpejtë drejt Rilindjes që duam.

Me këtë logjikë i bie që zoti Blushi jeton në një realitet tjetër dhe nuk e njeh këtë realitet për të cilin ju flisni.

Unë nuk komentoj komentet dhe aq më tepër kur ato vijnë nga brenda rrethit të madh të familjes sonë politike, kështu që është e kotë që kërkoni një koment lidhur me këtë, pasi bindjet e mija janë të qarta, vullneti im është më i fortë se asnjë herë tjetër dhe mbi të gjitha dhe entuziazmi im për mënyrën se si do të shkojnë gjërat jo vetëm që nuk është cenuar, por përkundrazi, mbi fakte, shifra dhe rezultate që ne i shohim sot dhe dimë se si do të zhvillohen në të nesërmen është dhe më i madh. Kështu që, besoj se kemi të gjitha arsyet për të pasur dhe në këto zgjedhje një proces komunikimi pozitiv me qytetarët dhe për të besuar fort se së bashku me qytetarët ne do t?ia dalim. Shqiptarët nuk pranuan të hanë bar as në kohën e Enverit dhe jo më të hanë bar sot.

Por si shpjegohet që ka një numër kaq të lartë të kërkesave të azil kërkuesve? Jeni përgjegjës ju si qeveri për këtë që po ndodh? Të paktën opozita deklaron se është arsyeja e keqqeverisjes ajo që i detyron shqiptarët të drejtojnë sytë jashtë vendit për të jetuar.

Unë as e kam thënë dhe as e kam imagjinuar se në 18 muaj qeverisje ne do të zhdukim varfërinë, se nuk do të kishte më në Shqipëri zona të prapambetjes së thellë. Besoj se Shqipëria e sotme është rikthyer përmes një vështirësie të madhe në rrugën e rritjes ekonomike dhe do të vazhdojë një rritje e qëndrueshme ekonomike, prandaj arsyet e këtij momenti aspak të pëlqyeshëm për askënd, sigurisht janë të lidhura me varfërinë, sigurisht që janë të lidhura me nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë, nevoja që nuk do të shterojnë kurrë pasi njerëzit gjithmonë do të duan një jetë më të mirë. Unë nuk jam ndër ata që mendojnë se ne sot jemi të dytët pas Gjermanisë, apo që do të jemi të dytët pas Gjermanisë pas 4 apo 10 vjetësh. Unë jam ndër ata që besojnë fort se Shqipëria po rilind, se Shqipëria e rilindur do të jetë një realitet që do të mbetet në bilancin e kësaj qeverisje kur të bëhen llogaritë përfundimtare. Jam i bindur se ajo që po ndodh është e lidhur me një moment specifik, me një moment keqkuptimi të madh dhe manipulimi të madh. Keqkuptim i ardhur nga fakti se Gjermania, dhe jo Franca apo Italia apo Greqia apo ndonjë vend tjetër, ka lëshuar një apel apo ka bërë me dije një interesim për të marrë një numër të caktuar të huajsh, që Gjermania i kërkon për profesione të veçanta dhe për aftësi të veçanta. Pra, nuk bëhet fjalë që Gjermania të ketë hapur dyert për një fluks emigrantësh që kërkojnë një jetë më të mirë thjesht ekonomike. Mbi këtë keqkuptim të madh është spekuluar nga elementë kriminalë, të cilët kanë stimuluar dhe organizuar flukset me të cilat ne po përballemi. Ashtu siç po them sot këtë, edhe mbas një muaji, dy muajsh, tre muajsh, kur ky fluks do të bjerë dhe kjo ngjarje do t?i përkasë të shkuarës, nuk do të them që në dy a tre muaj ne e kthyem përmbys ekonominë dhe ja nuk po vazhdon fluksi, sepse Shqipëria po lulëzon. Është një situatë delikate, me të cilën ne po merremi shumë seriozisht. Nuk ka asgjë për t?u alarmuar, në kuptimin e ecurisë së ekonomisë, por nuk ka padyshim arsye për ta politizuar këtë moment kritik, a thua se Shqipëria që kishim përpara 18 muajsh ishte një bahçe me lule dhe tani që u thanë të gjitha lulet, njerëzit po shkojnë t?i ujisin ato në Gjermani.

Një pyetje të fundit. Keni rënë dakord me opozitën për një marrëveshje për dekriminalizimin e parlamentit. Në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie është marrë parasysh të jenë pa precedentë kriminalë, sepse ka akuza nga opozita për të paktën dy nga kandidatët tuaj, për atë të Krujës dhe të Kavajës, që janë persona me të kaluar kriminale?

Sa i përket kryetarit të Bashkisë së Kavajës nuk kemi bërë asnjë interesim në këtë drejtim. Janë akuza të vjetra, janë akuza të lodhura, janë akuza nga ato të zakonshmet e fabrikës së baltës që ka zënë vendin e shtëpisë së ushtrisë popullore dhe as nuk interesojnë fare. Kryetari i Bashkisë së Kavajës ka provuar me vepra dhe për këtë do t?ju ftoja të bënit një vizitë në qytet. Besoj do të mjaftonte që të shikoni qytetin, për të kuptuar se çfarë investimi të frytshëm kanë bërë qytetarët e Kavajës, duke e zgjedhur. Kështu që, padyshim, jo vetëm e kemi rikonfirmuar, por do ta rikonfirmojë edhe populli i Kavajës.

Me mbështetjen tuaj?

Jo, e kemi rikonfirmuar se ka rikonfirmuar veten e tij me punën që ka bërë. Përsa i përket kandidatit tonë në Bashkinë e Krujës, ne kemi bërë të gjitha verifikimet si për çdo kandidat tjetër që është për herën e parë dhe absolutisht, ashtu sikundër e kemi bërë transparente edhe në bazë dokumentacioni, akuza e opozitës është e pabazuar dhe është e turpshme. Ndërkohë që, minimalisht, opozita ka një të dënuar aktualisht, që është kryetari i Bashkisë Kamzë, i cili është dënuar në gjykatë. Sigurisht, e drejta e prezumimit të pafajësisë mund të mbetet e tillë, po pastaj kjo rrëzon gjithë filozofinë mbi të cilën është ngritur propaganda e dekriminalizimit, nga ana e PD. Për të mos folur dhe për një sërë kandidatësh të tjerë, një tjetër në Sarandë, njerëz të hetuar, njerëz të ndjekur për veprimtari korruptive e me radhë. Megjithatë, kjo është e drejta e tyre, nuk është mbi këtë bazë që ne zhvillojmë betejën tonë. Nuk besojmë tek kjo mënyrë e të bërit betejë. E rëndësishme është që t?u japim 61 bashkive të reja, njerëzit e duhur të cilët të jenë përfaqësuesit e kësaj shumice në nivelin vendor dhe me të cilët, kjo qeveri të bëjë ato punë të mëdha që për kaq shumë vite nuk janë bërë në shumë komunitete në mbarë vendin.

Intervistë e kryeministrit Edi Rama dhënë për televizionin ?Klan?

Lajmet e fundit nga