LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Eksodi/ Ja si e marrin lejen e qëndrimit shqiptarët në BE

18 Prill 2015, 21:40, Aktualitet CNA

Ndërsa mijëra shqiptarë kanë nxituar të aplikojnë për azil politik në vendet e BE-së, duke rrezikuar jo vetëm përgjigjen negative, por edhe penalitete të tjera si refuzimi i hyrjes në zonën Shengen për shumë vite, një numër akoma më i madh kanë arritur të marrin lejeqëndrimi në këto vende përmes metodave të tjera, si aplikim për bashkim familjar apo aplikim lejeqëndrimi për shkollim.

Të dhënat e agjencisë europiane të statistikave, Eurostat, vërejnë se 31 mijë shqiptarë të Shqipërisë dhe 17 mijë shqiptarë të Kosovës morën leje qëndrimi më 2013 në vendet e Bashkimit Europian.

Në Itali dhe Greqi

Numri i shqiptarëve të Shqipërisë që morën leje qëndrimi ka rënë me shpejtësi të madhe në periudhën mes viteve 2008 dhe 2013, ndoshta kjo e lidhur me krizën në Itali dhe Greqi. Në vitin 2008, qenë gati 99 mijë shqiptarët që morën lejeqëndrimi, ndërsa ky numër ra ndjeshëm deri në vitin 2013. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të Shqipërisë kanë zgjedhur Italinë për të marrë lejeqëndrimi. Nga të 363 mijë shqiptarët që u vendosën në BE mes këtyre gjashtë viteve, 217 mijë u vendosën në Itali dhe 120 mijë të tjerë në Greqi. Në Gjermani u pajisën me lejeqëndrimi vetëm 3722 vetë.

Shumica dërrmuese arritën të marrin lejeqëndrimi më të gjatë se një vit. Nga personat që kanë marrë leje qëndrimi, rreth 11 mijë për periudhën 2008-2013 kanë shkuar për studime.

Kosova zgjedh Gjermaninë

Ndërsa numri i të shpërngulurve nga Shqipëria ka ardhur në rënie të vazhdueshme, numri i shqiptarëve të Kosovës që kanë marrë lejeqëndrim në BE ka mbetur i lartë, Rreth 20 mijë kosovarë u larguan në vitin 2009 ndërsa 17 mijë morën lejeqëndrimi më 2013. Në total, përgjatë gjashtë viteve, 96 mijë shqiptarë të Kosovës janë vendosur për të jetuar për periudha të gjata në tokën e premtuar. Gjeografia e vendosjes së kosovarëve është më e larmishme. Nga të larguarit, 28 mijë u vendosën në Gjermani, 22 mijë në Itali, gati 10 mijë ikën në Austri dhe 7900 prej tyre u vendosën në Francë. Në Suedi ikën 5,500 vetë.

Edhe në rastin e Kosovës, bashkimet familjare përbëjnë metodën kryesore të marrjes së lejeqëndrimeve. Për studime nga Kosova kanë ikur vetëm 2700 vetë.

Emigrimi gjatë dekadave të fundit ka sjellë rënie drastike të popullsisë në Shqipëri dhe Kosovë./Birn/

Lajmet e fundit nga