LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëri-Serbi: Ekip i përbashkët për doganat

6 Prill 2015, 10:34, Ekonomi CNA

Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë në sektorin doganor për të parandaluar, hetuar dhe dënuar shkeljet administrative. Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve parashikon ngritjen e një komisioni të përbashkët shqiptaro-serb, në përbërje të të cilit do të jenë drejtuesit e autoriteteve doganore të të dy palëve ose përfaqësuesit e autorizuar të asistuar nga ekspertë.
Referuar marrëveshjes, Shqipëria dhe Serbia, nëpërmjet autoriteteve të tyre doganore do t’u mundësojnë njëra – tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte dhe të parandalojnë, të hetojnë dhe të luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor.
Kostot për këtë sipërmarrje të të dy vendeve do të mbulohen bashkarisht. Marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes Shqipërisë e Serbisë konsiderohen në nivele normale dhe janë të fokusuara më shumë në sektorët e ushqimeve, prodhimeve bujqësore e pijeve. Produktet që zënë peshën më të madhe në shkëmbimet tregtare me Serbinë janë gruri e mielli.

Lajmet e fundit nga