LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Basha: Aktet e qeverisë bombë me sahat për ekonominë

27 Mars 2015, 12:19, Aktualitet CNA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano, me të cilin ndau shqetësimin për krizën ekonomike që ka përfshirë vendin për shkak të politikave të gabuara dhe arbitrare të qeverisë.

Papunësia është në rritje, varfëria po thellohet dhe të gjithë parametrat ekonomikë janë në rënie. Rënia e të ardhurave të shqiptarëve nga njëra anë, dhe rritja e taksave dhe çmimeve nga qeveria Rama-Meta siç bënë me energjine, karburantet etj, janë shkaqet kryesore të thellimit të varfërisë, dobësimit të ekonomisë dhe humbjes së besimit nga konsumatorët.

Basha tha se qeveria ka vendosur standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit dhe ka thelluar padrejtësinë sociale duke prishur në mënyrë selektive ndërtimet e pronat e qytetarëve, si dhe duke ndëshkuar po në mënyrë selektive qytetarët për borxhet e energjisë, duke favorizuar debitorët e mëdhenj të lidhur me, apo pjesë, e qeverisjes si disa deputetë të mazhorancës.  Korrupsioni në rritje dhe depërtimi i krimit në vendimmarrje janë faktorë me impakt shumë negativ në gjendjen e përgjithshme ekonomike të vendit, vuri në pah kryetari i opozitës.

Treguesit në rënie të mbledhjes së të ardhurave, edhe pse taksat janë rritur, deshmojnë për evazion, rritje të informalitetit dhe korrupsionit. Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se aktet e qeverisë janë bombë me sahat për ekonominë, pasi nuk janë reforma të mirëstudiuara dhe eficente, por masa afatshkurtra që kanë dhënë efekte negative, si në rastin e skemës së pensioneve.

Basha evidentoi gjithashtu dështimin e qeverisë në sektorët jetikë si shëndetësia e arsimi. Bllokimi i paligjshëm planeve urbane, ka ndalur segmentin më të rëndësishëm të ekonomisë që sillte rritje dhe punësim. Të gjithë këto, kanë ndikuar drejtpërdrejt që papunësia dhe varfëria të kapin në nivele alarmante, pohoi Basha.

Lajmet e fundit nga