LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rama: Tragjedia e Kopshtit Zoologjik, shtysë për një zotim

25 Mars 2015, 20:35, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama është shprehur se skena e ndodhur në Kopshtin Zooligj në Tiranë është një përleshje e dëshpëruar kafshësh e organizuar nga dora e njeriut. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se nuk është shprehur më parë lidhur me atë që ka ndodhur, pasi nuk donte që reagimi i tij të merrej si përpjekje për të nxjerrë ndonjë përfitim politik nga brirët e demit që sulmonte kalin e gjorë.

Shefi i qeverisë shkruan:

“Kam marrë shumë mesazhe nga ju për skenën tragjike të publikuar këto ditë në rrjetet sociale mbi ngjarjen e rëndë të Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Një përleshje e dëshpëruar kafshësh e organizuar nga dora e njeriut! Askund, në asnjë vend të botës e jo më të Europës, nuk mund të ndodhë që kafazet e Kopshtit Zoologjik të bëhen arenat e epsheve shtazarake të njerëzve. Mjerisht kjo ndodhi në Tiranë. Dhe i befasuar si ju të gjithë ndjeva dhimbje por ndryshe nga ju, nuk fola sepse nuk desha që reagimi im të merrej si përpjekje për të nxjerrë ndonjë përfitim politik nga brirët e demit që sulmonte kalin e gjorë. U habita që edhe këtë shfaqje kulmore të braktisjes së kahershme të detyrës, i pari i Tiranës që për katër vjet me radhë u soll si i fundit, e komentoi si faj të qeverisë e timin personalisht. Megjithatë përseri nuk fola. Dhe as tani nuk dua të flas për këtë e atë, po vetem dua t’ju siguroj të gjithëve ju se rilindja e Kopshtit Zoologjik eshte pjesë e programit tonë të ri të zhvillimit për Tiranën. Ne do t’u japim fëmijëve e familjeve të Tiranës një Kopësht Zoologjik njësoj si në Europë dhe do t’i çelim dyert e kopshtit të rilindur brenda vitit 2016. Bindja ime është se nuk na duhet një vit e gjysëm po vetëm 300 ditë pas fitores së ardhshme të 21 qershorit për t’i dhënë Tiranës Kopshtin e munguar Zoologjik, me pasuri speciesh e standarde europiane kujdestarie, por po e lë brenda 2016-ës për të qenë brenda siç i thonë! Më vjen shumë keq për rrënimin deri në një shfaqje tragjike të shtëpisë së kafshëve të Tiranes dhe, besomëni, do të jem personalisht i angazhuar që çka ndodhi të kthehet jo vetëm në mësim, po në një zotim të mbajtur të mandatit të ri që ju do t’i jepni socialistëve e progresistëve për të qeverisur Tiranën në katër vitet e ardhshme. Me në krye një qytetar të parë që nuk do ta ketë me Tiranën të fundit në radhën e shqetësimeve të veta! Edhe pak muaj dhe do t’i shpëtojmë edhe kafshët e Kopshtit Zoologjik nga pasojat e pashmangshme të një bashkie që ka braktisur detyrën ose, më saktë, që nuk ishte asnjë ditë në detyrë nga dita e parë e mandatit që po mbyllet në mënyrën më të palavdishme.”

Lajmet e fundit nga