Uncategorized
Debate në Kuvend për ligjin e luftërave në dhe të huaj
Deputetët u përplasën sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi morën në shqyrtim projektligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.
Ky projektligj është futur në rend dite me shumicë votash sipas propozimit të deputetit Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, para se projektligji t’i nënshtrohej procedurës së leximit të dytë, Lëvizja Vetëvendosje doli me disa propozime për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.
Deputeti i saj, Rexhep Selimi ka thënë se Vetëvendosje nuk është kundër ligjit, por kundër emrit dhe përmbajtjes.
Sipas tij, në këtë formë, ligji vetëm sa mund të përdoret për qëllime tjera dhe jo për qëllimin që ka. Ai ka propozuar që ky ligj të ndalojë bashkimin në lufta të armatosura, në grupime e organizata terroriste.
Në emër të Vetëvendosjes, deputeti Selimi ka propozuar nëntë amandamente, të cilat nuk kishin kaluar nëpër komisionet parlamentare, kështu që kjo nxiti debate se a duhet të futen në rend të ditës së seancës apo jo.
“Të ndryshohet emri i projektligjit, nga projektligj për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në këtë rast të vendit, të themi, projektligj për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura ose luftëra të organizuara dhe mbështetura nga organizata apo grupime me aktivitet terrorist”, ka thënë Selimi.
Deputeti Daut Haradinaj tha se ligji është i qartë dhe ai ka si qëllim parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.
“Përmbajtja e ligjit është parandalimi i njerëzve që t’u bashkohen organizatave të ndryshme, potencialisht terroriste. Mendoj se nuk është ligji më i miri në botë, por në këto rrethana është i domosdoshëm që ta marrë besimin e deputetëve”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se amandamentet e Vetëvendosjes e ndryshojnë shumë ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Ligji ka vetëm pesë nene, përderisa Vetëvendosje kishte propozuar nëntë amandamente.
“Nuk bëhet fjalë këtu për ligjin kundër terrorizmit, por bëhet fjale për ligjin për parandalimin [e pjesëmarrjes] në konflikte të huaja. Unë nuk po e kuptoj pse nuk i kanë dorëzuar proceduralisht këto amandamente. Dhe së fundi, këto amandamente janë goxha shumë dhe ndikojnë goxha shumë në tërësinë e ligjit”, ka thënë Gashi.
Shqyrtimi i amandamenteve të Vetëvendosjes, pavarësisht se nuk i kishin proceduar nëpër komisione parlamentare, u bë i mundur sidomos pas deklarimit të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci, i cili i dha mbështetje debatit.
“Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah që të futen në lexim këto amandamente”, ka theksuar Grabovci.
REL