LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Në mosmarrëveshjen për borxhin afron skadimi i afatit

18 Shkurt 2015, 17:53, Kosova & Bota CNA

Në grindjen për borxhin nuk ka afrim mes Greqisë dhe Eurogrupit. Topi është në fushën e grekëve, thonë ministrat e financave të BE .

Pas dështimit të takimit të Eurogrupit vjen ora e analistëve: Vëzhguesit e tregut financiar regjistruan në mëngjez një humbje prej katër për qind në bursën greke. Gazetarët ekonomikë flasin për një skenar, që mund të çojë në “Grexit by accident”, që do të thotë se Greqia mund ta spostojë veten në një kënd, nga i cili pa dashje të rreshqasë jashtë Eurozonës. Nëse ndodh kjo, qeveria Tsipras mund të bjerë, supozojnë vëzhguesit.

Bëhen edhe llogari, se çfarë mund të kushtojë ky rast. Rreziku për Gjermaninë vlerësohet në deri në 80 miliardë euro, nëse Athina do të vendoste të pezullonte pagesat e saj, ose sikur të mos ishte në gjendje për të paguar, sikur Banka Qendrore Evropiane (BQE) ta mbyllte rubinetin e parave dhe qeveria e re të shëmbte urat e lidhjes me donatorët ndërkombëtarë. Deri në fund të marsit është afati për të paguar vetëm katër miliardë nga borxhi dhe ristrukturimi i borxhit. Pra dita X me rrezikun e bankrotit nuk është shumë larg. Edhe vende të tjera të BE-së, si Franca, Italia dhe Holanda në rast të falimentimit te Greqisë do të marrin përgjegjësinë për shuma miliardëshe, sipas fuqisë së tyre ekonomike. Për Parisin dhe Romën kjo do të ishte një goditje e rëndë.

Eurogrupi është unik

Megjithatë Eurogrupi e kundërshton i bashkuar kërkesën greke për të financuar sërish buxhetin e Athinës pa masa kursimesh dhe reformash. Nga kjo niset të paktën ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, i cili rrëmujën në Bruksel e shikon me qetësi, siç i takon anëtarit më të vjetër në detyrë të Eurogrupit. Por ai heziton që t’i përgjigjet pyetjes se “çfarë do të ishte nëse,” pyetje lidhur me Grexit-in: “Askush nuk e ka kuptuar se çfarë duan në të vërtetë grekët, ndoshta nuk e dinë ata vetë”, thotë ai.

Dhe pastaj vijnë shpotitë kundër homologut Yanis Varoufakis: Nuk është e qartë, “nëse ai ka mandat për të negociuar, apo nëse takimet janë vetëm konferenca telefonike të avancuara”. Me këtë Schäuble i referohet marrëveshjes së javës së kaluar, të tërhequr në momentin e fundit. Dhe lidhur me leksionet parimore mbi ekonominë evropiane, që Varoufakis u ka mbajtur vazhdimisht homologëve të tij me përvojë, gjermani thotë: “Deri tani nuk ka qenë shumë efektiv për të bindur të tjerët. Po përse nuk duhet të mendojë që ekzistojnë rrugë më të mira, në qoftë se është ekonomist kaq i rëndësishëm.” Me leksionet e tij greku me sa duket ka nxitur shpotinë e homologëve të tij.

Qëndrimet nuk kanë ndryshuar

Ministri i Financave qëndron i palëvizshëm në këtë çështje. Programi aktual i ndihmës, nga i cili do të duhet të paguhen edhe shtatë miliardë euro, duhet të rinovohet përpara se të skadojë. Deri tani Greqia nuk i ka plotësuar kurrë kushtet e lidhura me ndihmat financiare. Dhe Eurogrupi ka bërë vazhdimisht kompromis. Tani nuk ka rrugë tjetër veç zgjatjes së programit, me disa kompromise në zbatimin e tij, tha Wolfgang Schäuble. Solidariteti në Europë bazohet në marrëveshjet vullnetare të vendeve anëtare. Dhe për këtë qeveritë kanë për të bindur një shumicë, se është ide e mirë për t’i dhënë Greqisë para të tjera. Fundja demokraci nuk ka vetëm në Athinë. E gjitha kjo do të thotë se gjendja për Greqinë dhe për Europën është shumë e vështirë, tha Schäuble.

Shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem dha të premten e ardhshme si afatin kohor, deri kur qeveria në Athinë do të paraqesë kërkesën për zgjatje. Deri të mërkurën (18.02) në mbrëmje kjo dëshirë e Athinës duhet të mbërrijë me shkrim në Bruksel, me qëllim që ministrat të mund të thërrasin një seancë të posaçme me 20 shkurt. Ministri austriak i Financave, Hans Jërg Schelling, e konsideron të mundshëm edhe një takim në fillim të javës së ardhshme. Dhe Wolfgang Schäuble shtoi se 27 shkurti është data e fundit, kur parlamenti gjerman mund të miratojë zgjatjen e ndihmës për Greqinë.

Që të mërkurën shefi i BQE, Mario Draghi, do të bisedojë me përfaqësues të qeverisë së Athinës për financimin e mëtejshëm të bankave greke me kredi emergjente. Ai ka në dorë mjetin më të fortë të presionit. Nëse Draghi mbyll rubinetin, është çështje javësh, derisa bankat greke të mbeten pa para. Në përgjithësi krijohet përshtypja, sikur vendet e Eurozonës nuk janë më të gatshme të paguajnë çdo çmim, për ta mbajtur Greqinë në monedhën e përbashkët.

Lajmet e fundit nga