LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Propozim zotit Niko Peleshi

16 Dhjetor 2014, 23:32, Aktualitet CNA

Nga Artan FUGA

Unë kam shumë simpati të sinqertë për zëvëndëskryeministrin, zotin Niko Peleshi. Kështu nga larg sepse nga afër nuk e njoh fare Atë. Por, më duket inteligjent, modest, qytetar, një djalë simpatik korçar që pushteti nuk e ka bërë fodull. Njerëzor.

Por, unë kam mendim krejtësisht të kundër për atë që Ai thotë se Korçës i duhet rinovuar qendra me ndërtesa të reja duke prishur shtëpitë e dikurshme.

Mos, shumë i vlerësuari nga unë, zoti Niko Peleshi !

Mos ja bëni këtë gjë Korçës Tuaj !

Mos sepse ato shtëpi të vjetra janë thesari që ikën e nuk vjen më i kulturës dhe historisë shqiptare !

Ne me ato vërtetojmë se jemi popull urban dhe jo barinj, që edhe ata i dua shumë.

Mos ua hidhni “qenve” perlat e gjerdanit tonë madhështor !

Ju thoni se këtë po e bën kryetari i tanishëm i Bashkisë.

Kush e pyet atë!

Ai është hijeja juaj administrative atje. Nuk kam asgjë me të. Por, përgjegjësia është vetëm Tuaja, e askujt tjetër. Mos ja hidhni dikujt tjetër !

Më lejoni t’Ju them, dhe Ju e dini se përse e lejoj veten në këtë pikë, që gjithçka që thoni për Parisin, nuk kanë asnjë bazë. Ju kanë informuar krejt gabim.

Mos e lejoni industrinë e ndërtim (shkatërrimit) të vejë dorë mbi Korçën Tuaj, por edhe Timen, Tonën !

Qyteti nuk riinovohet duke rrafshuar të vjetrën. Hiqni dorë nga ky koncept revolucionar i progresit që Ju a kemi mësuar gabim dikur. Ndjesë.

Keni mundësi të mbeteni një korçar i mirë në historinë politike të vendit, si të tjerë korçarë të mëdhenj që e mbrojtën qytetin e tyre.

Ju e dini mirë historinë.

Më vjen ndrojtje t’ua përmend, por edhe unë e njoh mirë historinë e atyre burrave.

Mos e bëni hapin që do t’Ju shënojë moralisht si dëmtues i qytetit Tuaj, Timit, Tonit !

Shtëpitë e vjetra të gjithë qytetit Tuaj duhet të shpallen monumente kulture.

Të gjitha.

Urbanizimi, menaxhimi i hapësirave dhe arkitektura korçare janë një dhe nuk mund të ndahen prej njera tjetrës sikurse e konceptoni Ju.

Më pëlqyet me kitarën në dorë, por më tronditi shkrimi juaj i fundit.

Qendroni te kitara sepse muzika korçare dhe urbanistika korçare nuk mund të shkëputen prej njera tjetrës. Është njësoj sikur të thoni se po e djeg këtë kitarë sepse do të bëj muzikë Hi Tech me DG.

Kënga për “Bulevardin e Korçës” nuk mund të rinovohet duke u kënduar pastaj “Ashensoreve të Korçës”.

Hyni në historinë e qytetit Tuaj si mbrojtës i çdo cope tulle a guri, mos hyni si prishës !

Ju hyni si Perikli, jo si Erostrat !

Asnjë ndërtesë qoftë prej diamanti nuk mund të na e kthejë Korçën historike. Parisi, Londra, Roma na transmetojnë tjetër kulturë, tjetër politikë.

Korça është krenaria jonë urbanistike.

Ato shtëpi duhen rinovuar, mirëmbajtur, restauruar.

Unë jam gati, vetëm që ato ndërtesa mos prishen, që nëse duhet, të fal 10 % të pasurisë sime imobiliare të trashëguar nga gjyshërit, nëse më kthehet, vetëm si shenjë simbol i një mbështetje për shtetin shqiptar në mbrojtje të pasurisë historike të urbanizimit dhe arkitekturës korçare.

Nuk është asgjë e madhe, por simbolikisht, modestisht, tregoj se më dhëmb kultura urbanistike korçare dhe jam gati të ,kontribuoj me gjithçka që koncepti i rinovimit të qytetit, aq i domosdoshëm të mos bëhet duke prishur.

Ne kemi nevojë të ruajmë. Historia duhet kuptuar si konservim.

Mos e ngatërroni me historinë politike ku progresi shpesh është edhe rrëzim i së vjetrës. Në urbanistikë, arkitekturë, arte, media, krijim shpirtror, progresi është bashkim i krijimit me konservimin e gjithçkaje të vjetër.

Ju e konservuat sa ishit brenda, përse ju duket jo aq e bukur sa për ta ruajtur të paprekur kur e shihni atë nga larg ???

Mos e ngrini Korçën përpjetë se ajo bukurinë e ka horizontalisht, puthur me tokën, përqafuar me lulet, pështjellë me dashuri nga tymi i fjolltë i oxhaqeve, shtrirë mbi barkun e saj të bardhë me kalldrëm, një barazi statutesh horizontale që vetëm një pafundësi çatish që vetëm një qytet artizan e demokratik i lashtë e jep, shtrënguar në fqinjësinë e shtëpive brinjë më brinjë si një gërshetë e artë, përshkuar nga rrugica si damarë gjaku që nuk lë asgjë të trupit squllet në rininë e vet të përjetshme.

Veçanësia lokale është estetika e sotme urbane në një botë globale. Homogjenizimi mekanik i pallateve të shëmtuar shumëkatësh është mortja e sotme urbane. Lëreni Korçën të qetë, të paprekur nga ky kancer social.

Progresi dhe tradita ecin bashkërisht jo si trena që përplasen. Cdo artist e di këtë. Cdo arkitekt, cdo konservues i vlerave materiale dhe shpirtrore të popullit e di, por konservuesit po heshtin. Nuk e dinë se çfarë përgjegjësie morale mbajnë mbi shpinë.

Ndonjeri prej tyre sot hesht sepse është servil meqë jeni në pushtet, por sapo të ribëheni qytetar i thjeshtë, ai (ata) do të hedhi gurin mbi Ju. Unë guxoj t’Ju drejtohem si qytetar sepse Ju respektoj po njësoj si kur jeni qytetar i thjeshtë, si kur jeni pushtetar, si kur jeni opozitar, dhe Ju e dini këtë.

Unë jam i sigurt se Ju keni një shpirt krijues dhe do të më lexoni si një dashamirës që ruan simpati qytetare për Ju.

Lajmet e fundit nga