LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rreziku nga IS afron Moskën dhe Perëndimin

27 Shtator 2014, 22:00, Kosova & Bota CNA

Edhe pse Rusia nuk është anëtare e koalicionit të drejtuar nga nga SHBA, kundër ushtrisë së terrorit të IS, duket se Moska dhe Uashingtoni janë në një linjë. Kremlini ndjehet i konfirmuar në politikën e tij ndaj Sirisë.

Në pamje të parë gjithçka është si më parë. Televizioni shtetëror rus nuk humb asnjë rast për të kritikuar Perëndimin. Kështu një moderatore lajmesh të enjten në mbrëmje citonte me kënaqësi nga fjalimi i Presidentit iranian Hassan Ruhani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Forcimi i milicëve të terrorit të “shtetit islamik” (IS) në Irak dhe Siri janë rezultat i “gabimeve strategjike të Perëndimit”.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov

Edhe thumbat verbalë kanë mbetur. “Për mua do të ishte e çuditshme që Presidenti i SHBA-së tha disa herë se bota është bërë më e lirë dhe më e sigurt”, thumbonte një ditë më parë edhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov për prezantimin e Barack Obamës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai madje kishte pyetur veten nëse Obama kishte folur seriozisht, tha kryediplomati rus. Lavrovi u indinjua që Obama përmendi Rusinë në vend të dytë si rrezik për paqen në botë për shkak të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare në rastin e Ukrainës, direkt pas epidemisë së Ebolas dhe përpara terrorit islamik.

Avionë ushtarakë rusë për Irakun

Rasti i Ukrainës rëndon edhe më tej raportin mes Rusisë dhe Perëndimit. Por lufta kundër ushtrisë së terrorit IS në Lindjen e Afërt duket se i ka afruar më shumë se kurrë gjatë muajve të fundit Moskën dhe botën perëndimore. Rusia votoi të mërkurën bashkë me shtete të tjera në KS të OKB-së për rezolutën e paraqitur nga SHBA kundër milicëve të terrorit. Të gjitha shtetet obligohen të ndalojnë çdo lloj ndihme për ekstremistët.

Edhe për koalicionin e ngritur dhe drejtuar nga Uashingtoni kundër IS Moska deri tani ka pasur qendrim neutral. Por Kremlini nuk dëshëron të marrë pjesë në të. “Koalicioni kundër IS nuk është një festë klubi, ne nuk presim ftesë dhe nuk do të blejmë bileta hyrjeje”, tha një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme për agjencinë ruse të lajmeve Interfax. Ai theksoi megjithatë se Rusia i mbështet tashmë ato shtete, që luftojnë kundër IS.

Fjala është në radhë të parë për ndihmën ushtarake për Irakun. Në verë Rusia sipas njoftimeve të medieve i livroi qeverisë në Bagdad një duzinë avionësh lufte të tipit “Suchoi” Su-25 dhe një numër të papërmendur helikopterësh lufte Mi-28. Në korrik mes Moskës dhe Bagadadit u nënshkrua një tjetër kontratë miliardëshe për livirmin e raketahedhësve të shumifishtë të tipit “Grad” si dhe paisje të tjera lufte. “Ne ndihmojnë prej një kohe të gjatë Irakun, Sirinë dhe shtetet të tjera në rajon, në luftën kundër kësaj të keqeje, pa qenë pjesë e asnjë koalicioni”, tha ministri i Jashtëm Lavrov duke iu referuar IS.

Shqetësimet e Moskës për shkak të Sirisë

Sulme të SHBA në Siri kundër IS

Ndërkohë që në Irak, Rusia dhe Perëndimi janë praktikisht në një linjë, Siria shkakton ende tensione. Moska i sheh me sy kritik sulmet e fundit ajrore të flotës ajrore të SHBA dhe aleatëve të saj kundër pozicioneve të IS në Siri. Rusia kërkon që kjo të ndodhë vetëm me miratimin e Damaskut. SHBA e refuzojnë këtë pasi Uashingtoni nuk e njeh legjitimitetin e regjimit të Presidentit Bashar al-Assad për shkak të qendrimit të tij kundër opozitës.

Për Rusinë, Siria është për prej kohës së Bashkimit Sovjetik një aleate e ngushtë. Që prej shpërthimit të luftës civile në 20122 Rusia e ka mbrojtur regjimin e Assadit dhe ka penguar disa herë rezoluta të ashpra të KS të OKB-së. Para rreth një viti Moska e bindi Sirinë të lejojë shkatërrimin e armëve të saj kimike. Kështu Rusia pengoi sulmet ajrore të SHBA kundër trupave ruse. Tani Moska druan se SHBA mund të bombardojë jo vetëm IS por edhe ushtrinë e rregullt të Assadit.

Moska e akuzon Uashingtonin për “standarde të dyfishta” në rastin e Sirisë dhe sheh të konfirmuar politikën e saj të deritanishme ndaj Damaskut. “Kur ne bëmë thirrje që të mbështetej qeveria siriane në luftën kundër terroristëve, nuk na e vunë veshin”, tha ministri i Jashtëm Lavrov.

IS kërcënon Rusinë e Putinit

Mbështetja indirekte e Rusisë për luftën kundër “shtetit islamist” është edhe një vetëmbrojtje. Milicët e IS kërcënuan vetëm pak javë më parë Presidentin rus Vladimir Putin. Në një video në internet thuhej se IS do të “çlironte” Kaukazin Verior. “Kërcënimet me atentate terroriste duhet të merren seriozisht”, tha për këtë kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Këshillin Federativ, Mihail Margelov në një intervistë.

Ekspertë për çështje të sigurisë mendojnë se në Siri ka edhe luftëtarë nga Rusia në radhët e IS dhe aktivistë të “shtetit islamik” veprojnë në Rusi. Shifra të sakta nuk ka. Në fillim të shtatorit u arrestua një anëtar i dyshuar i IS në Moskë dhe në rrjetet sociale ruse bllokohen vazhdimisht faqe të përkrahësve të IS. DW

22:00 Kosova & Bota

Pikë kthese

Presidenti i SHBA ngurroi gjatë me vendimin për t’i sulmuar ...

Lajmet e fundit nga