Connect with Us

Ekonomia/ Problemet e pazgjidhura të Spanjës

Ekonomi

Ekonomia/ Problemet e pazgjidhura të Spanjës

Publikuar

-

Pas vitesh recesioni Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës, mundi së fundi të shënojë shifra pozitive rritjeje. Por problemet e vendit nuk mund të quhen kurrsesi të përfunduara.

Kur Angela Merkel para dy vjetësh vizitoi Spanjën frontet ishin të qarta. Nga njëra anë një vend i cili kishte humbur një të gjashtën e fuqisë së tij ekonomike dhe ku një në katër vetë ishte pa punë. Nga ana tjetër kancelarja gjermane e cila kërkonte përpjekje edhe më të mëdha kursimi dhe reformash. Për mediet dhe për pjesën më të madhe të spanjollëve Merkel ishte “e keqja”, kujton Jürgen Donges. Profesori në pension në Universitetin e Kölnit ishte atëherë në Spanjë ku kalon shumë kohë. Këtu ka lindur, prej këtej vjen gruaja e tij. Vazhdimisht ai ka bërë publikime për ekonominë spanjolle, është anëtar i Akademisë Mbretërore për Ekonomi dhe Financa në Spanjë.

Armiqësia e hapur me të cilën u prit Merkel e pati shokuar, thotë Donges për DW. Jo vetëm sepse tradicionalisht “raporti mes Spanjës dhe Gjermanisë ka qenë në të vërtetë i mirë”, siç thotë ai. Por para së gjithash pasi spanjollët sipas mendimit të tij e fajësojnë pa të drejtë kancelaren. “Kjo fobi ndaj Merkelit dhe Gjermanisë është vetëm për faj të faktit që shumë spanjollëve iu desh të mësonin të përshtateshin pasi për 10 deri 15 vjet kishin jetuar mbi mundësitë e tyre. Ata kërkonin një fajtor dhe e gjetën jashtë shtetit.”

Me vetëbesim apo mendjemëdhenj?

Qysh atëherë kanë ndodhur shumë gjëra. Qeveria e Spanjës ka shkurtuar shpenzimet, shumë punonjës të sektorit publik janë pushuar dhe është reformuar tregu i punës megjithë kundërshtimin e sindikatave. Kursi i tkurrjes të ekonomisë një herë për një herë ka ndalur, mes prillit dhe qershorit Produkti i Brendshëm Brendshëm Bruto i Spanjës u rrit me 0,6 për qind ndërkohë që në eurozonë ka stanjacion dhe madje në Gjermani pati rënie.

Arsye e mjaftueshme për qeverinë e Spanjës për ta pritur me vetëbesim këtë herë kancelaren gjermane. Ekonomisti Donges, i cili aktualisht ndodhet sërish në Madrid, konstaton tashmë një “lloj mendjemadhësie”. “Kjo shihet edhe në medie: tani papritur Spanja është lokomotiva e madhe e eurozonës dhe të tjerët i kanë keq punët. Ka edhe një lloj kënaqësie për këtë: edhe vetë gjermanët kanë problemet e tyre.”

Qeveria spanjolle përpiqet të krijojë atmosferë pozitive para zgjedhjeve në prag, thotë Donges. Megjithatë nuk ka asnjë arsye për të kursyer tani më pak dhe për më pak reforma. Tregu i punës duhet të liberalizohet edhe më tej dhe të rritet produktiviteti, ndryshe Spanja nuk ka asnjë shans në konkurrencën ndërkombëtare. “I them të gjtihëve me të cilët kam të bëj: ruani kursin, kjo është shumë e rëndësishme.”

50 vjet papunësi e lartë?

“Spanja është vendi që i ka shkurtuar më shumë pagat vitet e kaluara”, thotë nga ana tjetër Heiner Flassbeck. Edhe ai është makroekonomist dhe deri në 2012 kryeekonomist i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tregti Botërore dhe Zhvillim (UNCTAD). “Ndërkohë niveli i pagave është 15-20 për qind më i ulët se më parë. Në këtë nivel natyrisht nuk ka më kërkesë të brendshme normale.”

Por pa fuqi blerëse ekonomia spanjolle nuk mund të ringjallet, thotë Flassbeck. Njoftimet më të reja për suksese për rritjen ekonomike spanjolle dhe përmirësimin e lehtë në tregun e punës nuk kanë pra asnjë kuptim. “Nëse vazhdohet me këtë ritëm do të duhen rreth 50 vjet derisa Spanja të ketë përsëri një papunësi normale.”

Edhe rekomandimet e ekonomistëve liberalë si Donges, të cilët kërkojnë shpëtimin tek eksporti, për Flassbeck nuk janë bindëse. “Të gjitha vendet e kësaj bote duan të eksportojnë. Kjo është një luftë për pjesë tregu ku disa zhvlerësojnë monedhat e tyre kombëtare dhe të tjerë ulin pagat.” Që në vitet 1930 është parë se kjo lloj gare nuk funksionon, thotë Flassbeck.

Të shtohen borxhet?

Ekonomistë të majtë si Flassbeck apo nobelisti për ekonominë amerikani Paul Krugman rekomandojnë që të forcohet kërkesa për t’i dhënë hov përsëri ekonomisë: me paga më të larta apo programe investimesh të qeverisë, në rast nevoje të financuara me borxhe. Kjo është sidoqoftë më mirë se sa t’i merret fryma me kursime një ekonomie të dobët me papunësi të lartë.

Megjithatë borxhet e Spanjës që deri në krizën financiare kanë qenë gjithnjë të ulëta, kanë arritur tashmë gati 100 për qind të Produktit Kombëtar Bruto vjetor për shkak të shpëtimit të bankave. “Dikush duhet të bëjë borxhe. Gjithnjë është fjala për pyetjen kush i bën borxhet dhe jo nëse bëhen borxhet”, thotë Flassbeck. Në fund të fundit për çdo person që kursen është një person që merr borxh. Kur sipërmarrjet marrin borxhe për të investuar dhe buxhetet familjare përpiqen të kursejnë për shkak të krizës, duhet të ndërhyjë shteti. “Për këtë arsye nuk mund të thuhet: shteti ka tashmë 100 për qind borxh dhe nuk mund të bëjë më borxhe.”

Ekonomistët liberalë si Jürgen Donges e konsiderojnë absurde thirrjen për më shumë borxhe pasi sipas tyre kjo dëmton aftësinë konkurruese. Flassbeck e sheh rrezikun e madh përkundrazi në një tjetër aspekt: nëse politika ekonomike në Evropë nuk ndryshon, demokracia është në rrezik. “Demokracia nuk mund të rëndohet pa kufi”, thotë Flassbeck. “Kur njerëzit janë të dëshpëruar ata zgjedhin dikur parti të çmendura. Dhe atëherë Evropa shpërbëhet.”

Në zgjedhjet evropiane në maj partitë e mëdha popullore spanjolle pësuan humbje të forta. Për herë të parë në histori ato morën më pak se gjysmën e votave. Në 9 nëntor mbahen zgjedhje të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme. Atëherë qeveria e Katalonjës, rajonit më të fortë ekonomik të Spanjës, do të ftojë qytetarët e saj të votojnë nëse Katalonja duhet të shkëputet nga Spanja dhe të bëhet e pavarur.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Informaliteti dhe trafiqet/ Paraja jashtë bankave arrin rekordin

Publikuar

-

Nga

Viti 2019 ka shënuar një nivel të lartë rekord në vlerë absolute të parasë që qarkullon jashtë kanaleve të sistemit bankar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i parasë jashtë bankave ishte 291 miliardë lekë, ose rreth 2.4 miliardë lekë.

Në raport me paranë gjithsej (agregati M3), paraja që qarkullon jashtë bankave arriti në 22.1% në fund të vitit 2019, me një rritje prej 0.3 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë, që prej vitit 2009, kur treguesi arriti në 24% për shkak të panikut që u shkaktua atëherë nga kriza ekonomike botërore, që çoi në tërheqjen e përkohshme të kursimeve nga individët nga bankat.

Pas 2009-s, paraja jashtë bankave erdhi në rënie, duke zbritur në minimumin e 17.2% të parasë gjithsej në 2019-n. Por në 7 vitet e fundit, paraja jashtë bankave filloi rritjen, si në vlerë absolute, ashtu dhe në raport me paranë gjithsej.

Profesor. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës pohoi për “Monitor” se dy janë arsyet e kësaj dukurie. Së pari, teorikisht rritja e parasë jashtë bankave shpreh faktin që preferenca për të mbajtur në cash është më e madhe pasi kosto e mbajtjes së parasë në banka ëhstë e lartë. Ky është modeli teorik i analizës.

Por, prof. Xhepa mendon se realisht kjo tendencë është më shumë një tregues i shtimit të informalitetit në ekonomi. “Një pjesë e aktiviteteve është e paregjistruar, transaksionet kryhen përmes kanaleve zyrtare”.

Ai shton se kjo tregon që një pjesë e madhe e pagesave kryen ‘underground’, ku përfshihet informaliteti dhe paratë që vijnë nga trafiqet e paligjshme.

Pas vitit 2007, paraja jashtë banke erdhi në ulje, për shkak të masave që u morën për kalimin e pagesave përmes bankave, shton ai. “Por, fakti që a prirje për tu rritur, tregon që informaliteti vijon të mbetet një problem i madh”.

Bien kursimet në lekë

Edhe ulja e normave të interesit ka qenë një faktor që i ka bërë bankat më pak tërheqëse për të mbajtur kursimet në lekë. Sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë, depozitat me afat në lekë të individëve kanë rënë me 37%, duke përbërë vetë 21% të depozitave në total në fund të 2019-s, nga 40% që ishte kjo peshë në fund të 2011-s, kur Banka e Shqipërisë filloi politikën monetare lehtësuese, që uli normën bazë në nivele minimale rekord prej 1% aktualisht. Me normat e interesit të kursimeve 12 mujore në lekë që janë më pak se 1%, individët nuk po preferojnë të mbajnë kursimet e tyre në lekë.

Rekord në Europë

Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte rreth 7-8%. Edhe në Serbi ishte rreth 7% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe.

Cash-i i kushton ekonomisë 290 mln euro në vit

Nëse në mënyrë hipotetike do të eliminohej përdorimi i transaksioneve “cash” rritja ekonomike mesatare e periudhës 2014-2018 do të arrinte në 3.6%, kundrejt nivelit faktik prej 3.1%. Ky krahasim i përllogaritur nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë synon që të zbardhë kostot e larta që ka përdorimi i parasë cash në ekonomi, sidomos në sektorin e biznesit.

Vlerësimet tregojnë se ekonomia shqiptare ka një kosto ekuivalente prej 2.5% të PBB-së së vendit, lidhur me përdorimin, emetimin dhe përpunimin e të gjitha instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël. Kjo përkthehet afërsisht në 33.7 miliardë lekë ose 290 milionë dollarë. Vërehet se ofruesit e shërbimeve të pagesave (PSP) dhe ofruesit e shërbimeve të infrastrukturës (PIP) mbajnë rreth 40% të këtyre kostove, të ndjekur nga konsumatorët me 36%, bizneset me 23% dhe qeveria që mban 1% të kostos totale.

Bizneset, agjencitë dhe qytetarët paguajnë në transaksionet cash me bankat komisione dhe kosto të tjera që shoqërojnë këtë proces, por nëse transferimet do të bëheshin me karta nga llogaritë bankare, bizneset dhe konsumatorët do të kursenin miliona euro në vit.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektligj të ri për pagesat bankare që synon të lehtësojë këto kosto./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Klima e biznesit në Shqipëri ka probleme/ Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Ja si të tërheqim investitorët e huaj

Publikuar

-

Nga

Dhoma amerikane e Tregëtisë në vendin tonë ka mbajtur një konferencë ku është folur rreth ndërtimit të një klime të qëndrueshme biznesi si dhe rreth punës që është bërë dhe do të bëhet.

Jaco është shprehur se klima e biznesit në Shqipëri ka disa probleme edhe pse ka pasur sukses në punën që është bërë. Sipas Jaco problemi qëndron tek konsultimi publik, i cili nuk është respektuar.

” Kemi pasur edhe sukses por edhe vështirësi. Është konsultimi publik, pasi ligji për konsultimin publik nuk respektohet. Ligji i detyron që të njoftojnë për çdo ligj 20 ditë më para, nga analizat tona nuk është respektuar. Asnjëherë nuk është përmbushur niveli minimal dhe nuk na ka lënë kohë të japim mendimin e duhur për shumë ligje. Ky mosrespektim ka efekte negative në besimin e biznesit. Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të marrë një rol më të madh për këtë rol.” tha Enio Jaco.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, deklaroi sot se përmirësimi i klimës së investimeve është një nga çështjet bazë të punës së institucionit, që ai drejton.

Sipas tij, që që investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri, duhet të gjejmë terren dhe klimë të favorshme.
“Shqipëria renditet e 82 në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjes, e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lart. Mali i Zi renditet e 50, Kosova e 58-ta, Serbia e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të fillojë të mendojë për këtë”, deklaroi Jaço./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Tatimet shtrëngojnë masat kundër evazionit fiskal/ Ja kur hyn në fuqi udhëzimi i ri

Publikuar

-

Nga

Tatimet syojnë të shtrëngojnë masat në luftën kundër  evazionit fiskal.

Kjo do të thotë se bizneseve do u kërkohet që bashkë me dorëzimin e bilanceve vjetore, të depozitojnë edhe emrin dhe kartën e identitetit të personit që ka bërë hartimin e bilancit.

Sipas asaj që raporton Tv Kaln, udhëzimi i ri do të hyjë në fuqi brenda muajit shkurt dhe synon të forcojë luftën kundër evazionit fiskal.

Aktualisht përgjegjësinë për mashtrimin e të dhënave të pasqyrave financiare që dorëzojnë kompanitë e mbajnë vetëm administratorët e firmës, por akti i ri do të synojë zgjerimin e përgjegjësive edhe te financieri i cili bën deklarime të pasakta me qëllim shmangien e pagesës së taksave.

Njëkohësisht me këtë nisëm, tatimet do të mbledhin brenda korrikut të këtij viti të dhënat e llogarive financiare që kanë në banka apo institucione të tjera personat jo-rezidentë që banojnë në Shqipëri, ku fokusi do të përqendrohet te tatimpaguesit e mëdhenj, për të parë nëse kanë paguar në përputhje me ligjin taksat në Shqipëri./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE