LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Banka e Shqipërisë, si kazino e Ardian Fullanit dhe klanit të tij

19 Gusht 2014, 12:03, Aktualitet CNA

Nga Kastriot Myftaraj

Shkrim i 22 tetor 2010

Pas krizës globale financiare që filloi në vitin 2008 të gjitha bankat e botës dhe posaçërisht ato publike i ulën shpenzimet e tyre. Nëse krahason buxhetin e këtyre bankave për vitin 2008, të hartuar para krizës, me atë të vitit 2009 dhe aq më tepër të vitit 2010, do të vëresh një ulje të ndjeshme të shpenzimeve për personelin dhe shpenzimeve të tjera administrative. Përjashtimi i vetëm është Banka e Shqipërisë, Bankae Shtetit, me guvernator Ardian Fullanin. Në 2010 është botuar në SHBA-të një libër me titull ?Devil? s Casino: Friendship, Betrayal, and the High Stakes Games Played Inside Lehman Brothers?, i Wicky Ward. Ky libër tregon se si banka më e madhe që falimentoi në SHBA-të gjatë krizës së fundit financiare ishte kthyer në një kazino të djallit ku një grup njerëzish të papërgjegjshëm luanin me paratë e depozituesve, duke siguruar të ardhura abuzive për vete, në dëm të atyre që u kishin besuar paratë.

Ardian Fullani dhe klani i tij e kanë kthyer Bankën e Shqipërisë pikërisht në një kazino të djallit, ku ata luajnë dhe vetëm fitojnë për veten e tyre, në dëm të gjithë shqiptarëve që ligjërisht janë si të thuash bashkëpronarë të kësaj banke publike. Nëse në Shqipëri media, si gazetat ashtu dhe televizionet do të qenë serioze dhe instrumente sharlatanësh spekulues, buxheti i Bankës së Shqipërisë i vitit 2010, do të ishte diskutuar gjerësisht në media dhe Ardian Fullani dhe Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë do të qenë thirrur në parlament dhe do të detyroheshin që të jepnin dorëheqjen kolektive. Opozita duhej të ishte e para ajo që do ta ngrinte zërin për shndërrimin e Bankës së Shqipërisë në një kazino të djallit. Prokuroria e Përgjithshme, mjaft që të lexonte buxhetin e vitit 2010, duke e krahasuar edhe me ato paraardhëse dhe do të kishte mjaft material për të marrë të pandehur krejt Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, me Guvernator Fullanin në krye.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë i vitit 2010 stonon me atë të gjithë institucioneve të tjera në Shqipëri të cilat kanë ulur shpenzimet e tyre. Kështu, derisa në buxhetin e vitit 2008, për ?Shpenzime personeli? kishte 886 392 000 lekë (këtu dhe në vazhdim bëhet fjalë për lekë të rinj), në 2010, kjo shumë është rritur në 1.159 643 000 lekë. Kjo shumë shpenzohet për 450 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, duke i bërë ata komunitetin burokratik për të cilin shpenzohet më shumë në Shqipëri. Këtu duhet pasur parasysh se rritje ka pasur edhe në buxhetin e vitit 2009, por unë po e bëj krahasimin me vitin 2008, se kështu bëhet sot në botë.

Në 2008, fondi për pagat e personelit ishte në shumën prej 516.000.000 lekë. Në buxhetin e vitit 2010 fondi i pagave të paguara drejtpërdrejt, pa shpërblimet është rritur në shumën 704 539 000 lekë. Skandali është i dyfishtë se punonjësit e Bankës së Shqipërisë janë më të mirëpaguarit në Shqipëri, kështu që kjo rritje prej 20% e fondit të pagave, në krahasim me vitin 2008 është skandal mbi skandal, aq më tepër po të mendojmë dhe rritjen e vitit 2009. Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, sikur të mos u mjaftojnë pagat e mëdha, marrin edhe shpërblime të mëdha mbi pagën. Në të gjitha bankat e botës nuk jepen shpërblime që me fillimin e krizës, por në Bankën e Shqipërisë ndodh ndryshe. Në buxhetin e vitit 2008 për shpërblimet e personelit kishte një fond prej 163.000.000 lekë të reja, si dhe shpërblime suplementare në masën 9.600.000 lekë të reja. Në vitin 2010 fondi për shpërblimet u rrit në 218 920 000 lekë, ndërsa ai për shpërblime suplementare është 5 000 000 lekë, pra u rrit me 23%. Një rritje të tillë asnjë bankë në botë nuk do të guxonte që ta bënte në kohë prosperimi ekonomik, jo më në kohë krize.

Në buxhetin e vitit 2008, për zërin «kompensimet dhe ndihmat financiare», i cili natyrisht se është jashtë fondit të pagave dhe shpërblimeve, u caktuan 23.800.000 lekë. Në 2010 kjo shumë është rritur në 37 000 000 lekë. Në buxhetin e vitit 2008 kishte dhe 8.800.000 lekë për ekskursione! Duhej pritur që në buxhetin e vitit 2010 ky shpenzim luksi të ishte hequr fare. Por jo, në kazinon e djallit të guvernator Fullanit as që bëhet fjalë për privime të tillë. Kështu që në buxhetin e vitit 2010, për ekskursione janë caktuar 10 400 0000 lekë të rinj. Duke konsideruar pagat dhe shpërblimet e mëdha që marrin punonjësit e Bankës së Shqipërisë, duhej pritur që së paku këtë vit të mos figuronte fondi i destinuar për ?lindje-martesa-vdekje? të punonjësve të Bankës. Kjo as që i ka shkuar ndërmend Fullanit dhe shokëve të tij të tryezës së kazinos, të quajtur Këshilli Mbikqyrës i Bankës. Kështu që për këtë gjë në 2010 janë caktuar 7 900 000 lekë. Gjithashtu në 2010 janë caktuar edhe 11 000 000 lekë për ?kujdes shëndetësor?. Fullani i pëlqen shumë këto lloj shpenzimesh të llojit «kujdes shëndetësor» se me to mund të vjedhë lehtë, me fatura fiktive.

Në buxhetin e vitit 2008 kishte dhe 6.500.000 lekë, të ndara për «shpenzime të tjera të njëjta, festa». Merret vesh, «shpenzime të njëjta, festa» do të thotë ekskursione e gjëra të tilla. Edhe kjo shumë është rritur paturpësisht në buxhetin e vitit 2010, ku për ?shpenzime të tjera të njëjta, festa? janë caktuar 7 700 000 lekë. Sikur të mos të mjaftonin të gjitha këto, në buxhetin e vitit 2010, në zërin ?Shpenzime të tjera për personelin? janë caktuar 19 964 000 lekë. Këtu, për ?uniforma, veshje pune? janë caktuar 1 113 000 lekë. A thua do t? i veshin firmato punonjësit me uniformë të Bankës, për të cilët janë shpenzuar çdo vit shuma të mëdha për veshje! Po në rubrikën e shpenzimeve të tjera për personelin, në buxhetin e vitit 2010, për  ?kompensim ushqimi? janë caktuar 10 900 000 lekë. Kjo do të thotë që punonjësve të Bankës t? u paguhet diferenca e çmimit për ushqimet që konsumojnë në mjediset e bankës në restorantin e hapur guvernator Fullani, i cili e ka bërë Bankën edhe restorant, madje edhe hotel.

Derisa punonjësit e Bankës konsumojnë kaq shumë ushqime me çmim të ulët, është e natyrshme që ata të kenë nevojë edhe për ushtrime sportive, prandaj është e logjikshme që në buxhetin e vitit 2010 të figurojnë si ?shpenzime sporti? edhe 7 951 000 lekë, gjithmonë për lekë të rinj është fjala. Kjo do të ishte e natyrshme sikur të ishte fjala për një resort turistik dhe jo për një bankë, aq më tepër për një bankë publike. Nëse cilido bankier në Perëndim do të shikonte në vitin 2010 një buxhet ku bëhej fjalë për shpenzime për ekskursione, festa, sport, ushqime me siguri do të mendonte se ishte buxheti i një resort turistik dhe jo i një banke.

E të mendosh se shpenzimet administrative ende nuk kanë filluar, ato përbëjnë një rubrikë më vete. Në 2008 për ?Shpenzime administrative? qenë caktuar 414 086 000 lekë. Në 2010 kjo shumë u rrit në 607 284 000 lekë, duke qenë Banka e Shqipërisë e vetmja bankë publikë në botë që e rriti shumën e këtyre lloj shpenzimeve. Natyrisht arsyeja kryesore për të cilën Fullani e ka bërë këtë gjë është se shpenzimet administrative janë një mënyrë e mirë që ai të vjedhë paratë e bankës. Në shpenzimet administrative ndër të tjera bëjnë pjesë ato për pajisje zyre. Në 2008 për ?pajisje zyre? u shpenzuan 10 986 000 lekë. Në 2010 kjo shumë u rrit në 16 687 000 lekë. E të mendosh se çdo vit janë shpenzuar shuma të mëdha për pajisje zyre, kështu që në kohën e krizës ky shpenzim fare mirë mund të evitohej. Në 2008 për telekomunikacion (shpenzime postare e telefonike, pa përfshirë internetin) janë shpenzuar 30 262 000 lekë. Në 2010 për ?telekomunikacion? janë ndarë 36 480 000 lekë. Brenda shpenzimeve administrative janë ?Trajnime, seminare, konferenca? për të cilat në 2008 janë shpenzuar 34 294 000 lekë. Në 2010 për këtë gjë janë caktuar në buxhet 66, 984 000 lekë.

Me termin ?trajnime? kuptohet pikësëpari marrja e masterave dhe doktoraturave nga ana e punonjësve të Bankës me paratë e paguara nga buxheti i Bankës. Këtu ka një abuzim të drejtpërdrejtë dhe një konflikt të qartë interesi se pjesa më e madhe e kualifikimeve shkencore punonjësit e Bankës i bëjnë në Universitetin Europian të Tiranës, ku dy anëtarë të këshillit mbikqyrës të Bankës, Adrian Civici dhe Ksenofon Krisafi janë rektor dhe dekan. Në UET bëhen edhe seminare dhe konferenca të Bankës së Shqipërisë. Në buxhetin e vitit 2010 për ?Studime pasuniversitare? janë caktuar 25 805 000 lekë. Në vend që Banka e Shqipërisë të punësojë njerëz me kualifikime shkencore, të cilët presin në tregun e punës, çon për kualifikim me shpenzimet e veta punonjësit e saj të pakualifikuar! Kjo anomaly ndodh se ata janë njerëz të klanit të Fullanit dhe të afërm të politikanëve të cilëve ai u bën ndere që të sigurojë rizgjedhjen e tij. Nëse në vitin 2008 për ?Konferenca? u shpenzuan 22 794 000 lekë, në vitin 2010 kjo shumë është rritur në 27 179 000 lekë.

Në vitin 2008 shuma për ?Shpenzime informacioni? ishte  66 203 000 lekë. Në vitin 2010 kjo shumë u rrit në pothuajse dyfish, duke arritur në 115 794 000 lekë. Nuk është e vështirë të kuptohet se këto lloj shpenzimesh janë ato ku mund të vjedhë lehtësisht shefi i ?kazinos?. Në 2008 për ?Shpenzime për shërbimet e kryera nga të tretët? pati një shumë prej 71 944 000, së bashku me një fond rezervë prej 1 200 000, shkoi në 73 144 000 lekë. Në vitin 2010 kjo shumë u rrit në 123 210 000 lekë. Edhe shpenzimet e kryera nga të tretët janë një ekspedient i mirë burokratik për të vjedhur para Fullani dhe njerëzit e tij. Kjo gjë mund të hetohet kur në buxhet pretendohet se për ?Pastrim, higjenizmi i ambienteve të Bankës? në 2010 janë caktuar 8 000 000 lekë. Apo kur në buxhet figurojnë për vitin 2010 ?Shpenzime të tjera të njëjta (paga të tjera)? në shumën 5 130 000 lekë.            

Nëse do të krahasoni kartat e një kazinoje mafioze me ato të bankës që drejton Fullani, dallimin do ta gjeni vetëm në nuanca. Kur bosin e një kazinoje mafioze e braktis fantazia, ai nxjerr pistoletën. Kur Fullanin e braktis fantazia ai shkruan në buxhetin e vitit 2010 ?Të tjera shpenzime administrative? dhe për këto shënon shumën 139 244 000 lekë. Në vitin 2008, në rubrikën «bordiishpenzimeimbledhjeihonorare» kishte 21.294.000 lekë të reja. Këtu futen shpërblimet dhe honoraret që marrin shtatë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, që miratojnë buxhetin e bankës, duke filluar nga vetë Fullani, që është ex officio kryetar i Këshillit Mbikqyrës. Në vitin 2010 kjo shumë u rrit në 23 000 000 lekë. Kjo do të thotë se vetëm për shpërblimet dhe honoraret e një anëtari të bordit, i cili merr pjesë në një mbledhje në muaj, Banka shpenzon 3.3 milion lekë të rinj. Këtu natyrisht se nuk futen shpërblimet e tjera që marrin anëtarët e bordit për ekskursione, udhëtime, kualifikime shkencore, sport, ushqim etj.

Për vitin 2008, në buxhetin e Bankës së Shqipërisë qenë caktuar 40.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi jashtë vendit». Në vitin 2010 për ?Shpenzime udhëtimi, biznesi (shërbimet jashtë shtetit)? u caktuan 65 000 000 lekë. Në buxhetin e vitit 2008 qenë caktuar 10.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi brenda vendit». Në vitin 2010 kjo shumë është rritur në 16 259 000 lekë. Në 2008 kishte 6.985.000 lekë të reja, të caktuara për shpenzime për pritje (party). Në vitin 2010 kjo shumë është rritur në 11 773 000 lekë. Për këto lloj shpenzimesh, në 2008 qenë caktuar dhe 16.266.000 lekë të reja, me justifikimin: shpenzime të tjera të njëjta (të ndryshme). Në vitin 2010 kjo shumë u rrit në 20 778 000 lekë. Në 2008 shpenzimet për transportin qenë 47 693 000 lekë. Në vitin 2010 ?Transporti? kjo shumë u rrit në 60 915 000 lekë. Në vitin 2008 për ?Bileta, avioni, treni, autobusi? u shpenzuan 25 000 000 lekë. Në vitin 2010 për ?Bileta, avioni, treni, autobusi? u shpenzuan 38 763 000 lekë. Në 2008 për ?Viza, taksa, taksa doganore? u shpenzuan 3 205 000. Në vitin 2010 për ?Viza, taksa, taksa doganore? janë caktuar dhe po shpenzohen 7 448 000 lekë.

Në 2008, në rubrikën «shpenzime amortizimi» kishte 366.725.000 lekë. Në vitin 2010, në rubrikën ?Shpenzime amortizimi? 623 865 000 lekë. Fullani i pëlqen shumë këto shpenzime, se ato përbëjnë një kënd shumë fitimprurës të kazinos që ai drejton. Në 2008, në kuadrin e kësaj rubrike, janë shpenzuar për ?instalimet teknike, makineri e pajisje? 67 405 000 lekë. Në 2010 janë caktuar për të njëjtin qëllim 103 202 000 lekë. Këtu nuk përfshihen pajisjet e zyrave, për të cilat në 2010 janë ndarë 20 450 000 lekë, mjetet e transportit për të cilat janë ndarë 17 969 000 lekë.

Gjithsej shpenzimet e Bankës së Shqipërisë arrijnë në 4 196 196 000 lekë të rinj. Kjo do të thotë se buxheti vjetor i Bankës së Shqipërisë është sa shuma që kjo bankë i dha qeverisë për blerjen e Hotel ?Dajtit? (4 148 400 000 lekë të rinj). Vetëm ky krahasim mjafton për të treguar abuzimin flagrant të Fullanit. Kur opozita e kritikon Fullanin se me blerjen e Hotel ?Dajti? ai thjesht i dhuroi para qeverisë në një moment të vështirë, por në të njëjtën kohë opozita nuk e kritikon Fullanin se buxhetin vjetor të Bankës e ka baras me shumën që pagoi për Hotel ?Dajtin?, atëherë opozita nuk është asfare e besueshme. Se kështu opozita thjesht i thotë Fullanit që mjaft që të mos i japësh para Berishës dhe për vete mund të vjedhësh sa të duash! 

Më mirë se çdo gjë tjetër, abuzimin flagrant të Fullanit e tregon raporti i të ardhurave të bankës me shpenzimet, do të thotë me buxhetin vjetor të saj. Do të mjaftonte që figurINA, Prokurorja e Përgjithshme, të bënte një kërkim të thjesht në Internet në website-t zyrtare të Bankave qendrore të vendeve të ndryshme për të parë raportin e të ardhurave vjetore të bankave qendrore me shpenzimet e tyre, do të thotë me buxhetin vjetor. Kështu, ajo do të shikonte se nuk asnjë bankë qendrore në botë, përveç në vendet e superkorruptuara afrikane, ku shpenzimet vjetore të bankës të zenë 45% të të ardhurave vjetore të bankës, siç ndodh me Bankën e Shqipërisë.

Lajmet e fundit nga