LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BSH: Larguam përgjegjësit për vjedhjen, jo komandantin

4 Gusht 2014, 13:49, Aktualitet CNA

Banka e Shqipërisë ka thënë përmes një deklarate për shtyp, se ka larguar të gjithë përgjegjësit për vjedhjen e 7.13 milion dollarëve.

Ajo thotë se do të vazhdojë të bashkëpunojë me prokurorinë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë personat që kanë faj në vjedhjen e parave në këtë bankë.

Gjithashtu banka ka njoftuar se ka zëvendësuar disa prej pozicioneve të mbetura bosh pas arrestimeve.

?Pas konkluzioneve të grupeve të punës të ngritura me urdhrin e administratorit, me objekt konstatimin e parregullsive në funksionimin e Arkës për Veprim dhe Arkës Stok në Departamentin e Emisionit; grupit të punës për konstatimin nëse ka pasur rrjedhje të informacionit sekret shtetëror; dhe komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë; drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë marrë masave të mëtejshme, për të mos cënuar normalitetin e të gjithë veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë në Departamentin e Emisionit, si dhe në Departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes.

Banka e Shqipërisë vijon bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që kanë mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë është e vendosur për vënien përpara përgjegjësisë të çdo punonjësi që, me veprime dhe mosveprime, ka lejuar të ndodhë kjo ngjarje e rëndë. Pas largimit nga detyra të drejtorit të Departamentit të Emisionit, Z. Dorian Çollaku, në datë 01.08.2014, në këtë detyrë është emëruar Z. Stefan Sevo, i cili është drejtues me përvojë në Bankën e Shqipërisë.

Përgjegjësi i Arkës për Veprim, Arkës Stok dhe të gjithë punonjësit e tjerë të këtyre njësive, të cilët kishin në ngarkim vlerat monetare, si dhe kontrollori mbikëqyrës, janë larguar nga puna në datën 31.07.2014, dhe pozicionet e tyre të punës sot mbahen nga punonjës të tjerë.

Pas zëvendësimeve të kryera në gjithë zinxhirin drejtues në Departamentin e Emisionit, në këtë departament ka vazhduar normalisht veprimtaria për furnizimin me sasinë e nevojshme të parasë fizike në tregun ndërbankar, dhe lehtësimin e shërbimeve nëpër sportele bankare.

Në departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes janë zëvendësuar dy operatorë monitorues, për të cilët është konstatuar se kanë shkelur rëndë detyrimet rregullative për ruajtjen dhe mirëadministrimin e vlerave monetare dhe materiale. Është emëruar gjithashtu drejtori i ri i Departamentit të Sigurimit dhe të Mbrojtjes, Z. Ilir Mollaymeri. Ky Departament vijon të kryejë funksionin e ruajtjes fizikë të të gjitha objekteve të Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Ruajtjes së Objekteve në Policinë e Shtetit.

Pas përfundimit të procesit të inventarizimit, emërimit të drejtuesve dhe të punonjësve të ngarkuar me vlera monetare, si dhe marrjes në dorëzim të detyrës prej tyre, është garantuar vazhdimësia e veprimtarisë normale të funksionit të emisionit dhe atij të sigurisë dhe mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë, si dhe  vijon puna për marrjen e masave për evidentimin dhe përmirësimin e çdo praktike dhe standardi në përmbushje të këtyre funksioneve?, thuhet në njoftim të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.

13:56 Aktualitet

61 bashkite e vendit

Reforma administrativo-territoriale, e miratuar të enjten në...

Lajmet e fundit nga