Connect with Us

FMN: Rimbursoni TVSH-ne biznesit, energjitika problem

Ekonomi

FMN: Rimbursoni TVSH-ne biznesit, energjitika problem

Publikuar

-

Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, i tha Zërit të Amerikës se sektori i energjisë ka disa probleme themelore që kërkojnë zgjidhje dhe se vendi duhet të shfrytëzojë rezervat e mëdha hidro-energjitike. Zyrtari i Fondit Monetar Ndërkombëtar theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të sistemit të kompensimit të taksave. Në intervistën me gazetaren e VOA-s Rudina Dervishi, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë tha se vëren shenja të një rritjeje të besimit në ekonominë shqiptare.

Zëri i Amerikës: FMN-ja miratoi këstin e dytë të kredisë për Shqipërinë, bazuar në faktin se vendi ka arritur angazhimet sipas marrëveshjes. Çfarë do të veçonit si zhvillim pozitiv në ekonominë shqiptare dhe çfarë nuk ka shkuar ashtu siç ju do të kishit dëshiruar?

Nadeem Ilahi: Kemi parë shumë gjëra pozitive sa i përket ekonomisë që nga gjashtë muajt e fundit, si veprime të ndërmarra nga qeveria ashtu dhe disa shenja rimëkëmbjeje. Prandaj, një aspekt në të cilin unë do të thoja se shohim përmirësim është rifitimi i besimit. Nuk kemi ende shifra të ekonomisë reale për të treguar nëse rritja ekonomike ka përparuar apo jo, por ne shohim shenja, prej anketave, që besimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë është përmirësuar. Pjesa e vetme që bën përjashtim është besimi i konsumatorëve, por sa i përket investimeve dhe sektorëve të tjerë vihet re një përmirësim i qartë në prirjen e tyre. Ne shpresojmë që kjo të shndërrohet në përforcim të aktivitetit ekonomik. Sa i përket dobësive, një sektor i rëndësishëm është ai i energjitikës. Kemi parë disa zhvillime në të, por nuk kemi parë veprime të fuqishme nga qeveria për të zgjidhur çështjet themelore që janë problem për këtë sektor dhe ekonominë.      

Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare po përpiqet të shlyejë detyrimet e saj ndaj biznesit privat dhe ka alokuar rreth 287 milionë dollarë për këtë qëllim nga buxheti i shtetit. Pritej që ky likuiditet të rriste aktivitetin ekonomik, në veçanti kreditimin bankar, që ka pësuar rënie në pesë muajt e fundit. Si e shpjegoni këtë? 

Nadeem Ilahi: Keni të drejtë, pagesa e detyrimeve të prapambetura ka nisur dhe ne shohim shenja që këto pagesa po kryen dhe këto shifra pritet të rriten. Keni gjithashtu të drejtë që nuk ka shenja në sektorin e kreditit.  Një shpjegim për rënien e kreditimit është dhe fakti se bankat kanë fshirë nga regjistrat e tyre kreditë e këqija, diçka që ul rritjen e kreditimit në mënyrë artificiale. Nëse heqim atë element, kreditimi ka qenë kryesisht i pandryshuar. Por keni të drejtë që pritej një rritje, meqënëse bilanci i bizneseve private u përmirësua dhe do të ishte normale që bankat t’u jepnin më tepër borxhe. Kjo është diçka që kërkon kohë. Ne po shohim politika të mira, bankat po shohin likuiditet tek klientët e tyre që po paguhen nga qeveria dhe mendohet që gjërat duhet të nisin të përmirësohen. A ka qenë ky një proces më i ngadaltë nga ç’prisnim ne? Mendoj se jo, sepse megjithëse kjo është diçka që shpesh ndodh relativisht shpejt, kemi parë hapa për të pakësuar kreditë e këqija dhe për të përmirësuar mjedisin për rritje të kreditimit, kështu që do të thoja që është thjesht çështje kohe.   

Zëri i Amerikës: Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga taksat janë rritur me 10 për qind, në pesë muajt e fundit. A mendoni se kjo është një rritje e kënaqshme, duke pasur parasysh se ka pasur ngritje të taskave, si dhe faktin që nuk ka pasur ndikim në buxhet?   

Nadeem Ilahi: Po, është e vërtetë që po shohim përmirësim të të ardhurave prej taksave dhe gjatë misionit të fundit ne i kushtuam mjaft vëmendje kësaj çështjeje. Ka disa elementë përmirësimi tek administrimi dhe mbledhja e taksave që po çon në këtë përmirësim të të ardhurave. Një faktor që ka ndikuar është dhe fakti se është një moment më i qetë për Shqipërinë, ndërkohë që viti i kaluar ishte një vit i vështirë sepse ishin zgjedhjet, kalimi i pushtetit. Pra, ka një përmirësim, por ne kemi dhe disa rezerva mbi kompesinmin e taksave, nëse ato janë bërë si duhet. Dhe para se kompensimet të jenë bërë në nivel të përshtatshëm, nuk mund të kuptosh se sa pozitive ishin të ardhurat. Ne kemi zhvilluar bisedime me qeverinë mbi këtë çështje dhe shpresojmë të bisedojmë sërish për përmirësimin e kompensimeve, sepse në fund të fundit bizneset do të paguajnë taksat, por një pjesë e këtyre parave duhet t’u kthehet, si TVSH-ja për shembull. Një nga elementët e programit tonë është përmirësimi i klimës së kompensimeve, në mënyrë që bizneset të mos shqetësohen se po paguajnë taksa apo aksione që nuk do të kompensohen kur duhet. Kjo është arsyeja pse ne jemi disi të kujdesshëm kur gjykojmë të ardhurat e deritanishme prej taksave, megjithatë ka shenja të qarta që gjërat po përmirësohen. Nuk ka dyshim për këtë, sidomos sa i përket TVSH-së. Mbledhja e disa taksave të tjera nuk ka qenë aq e mirë, por mendoj se pjesërisht kjo ka të bëjë me procesin e kalimit në regjimin e ri me tatim progresiv mbi të ardhurat dhe me rritje të përqindjes për taksën e biznesit. Gjithsesi, në vija të përgjithshme, ne shpresojmë që do të jetë një përmirësim. 

Zëri i Amerikës: Duke u bazuar sërish tek këto shifra, qeveria ka shkurtuar shpenzimet – diçka që kërkohej dhe nga ju, sipas marrëveshjes – si dhe ka shkurtuar investimet. Si do të ndikojë kjo në rritjen ekonomike të mëvonshme?

Nadeem Ilahi: Shkurtimi i shpenzimeve – me duhet t’ju korrigjoj – nuk ishte shumë i kërkuar në programin tonë. Ndërhyrjet që ne bëmë në buxhetin e fundit ishin shumë më të përqëndruara tek të ardhurat. Ne kishim theksuar se Shqipëria kishte të ardhura të ulëta dhe shpenzime të ulëta, krahahasuar me vende të tjera në rajon. Kjo bën që të mos ketë shumë mundësi për shkurtime, por ka mundësi për rritje të të ardhurave. Kjo është ajo që theksuam dhe kjo është arsyeja pse pati rritje të nivelit të taksimit. Ajo që ndodhi është se, për shkak të ndryshimit të qeverisë dhe të administratës publike në nivele të larta, shpenzimet publike për projektet madhore u ngadalësuan paksa, sepse qeveria dëshironte të shihte secilin prej tyre me vëmendje. Kjo solli një rënie të fortë të shpenzimeve në tremujorin e parë. Ne u thamë se kjo nuk duhet të ndodhte dhe se ata duhet të shpenzonim në bazë të shumës së caktuar në buxhet për këtë vit. Pra ata po shpenzonin shumë më pak se parashikimi për projektet e mëdha, por kjo është përmirësuar në muajt e fundit. Qeveria ka thënë se do të arrijë nivelet e shpenzimeve të parashikuara në buxhet dhe ne shpresojmë që dhe kjo gjë të ndihmojë në përmirësimin e mjedisit ekonomik dhe në rolin e qeverisë në mbështetje të ekonomisë.          

Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur sektorin e energjitikës si një rrezik të madh për ekonominë shqiptare dhe financat publike. Një problem i madh ka qenë çështja e CEZ-it, që u zgjidh. Çfarë ndikimi do të ketë kjo në këtë sektor dhe çfarë masash do duhet të merrte qeveria që diçka e tillë të mos përsëritej?

Nadeem Ilahi: Mendoj se marrëveshja me CEZ-in është një zhvillim i mirëpritur, sepse heq një element pasigurie në këtë sektor që kishte mbizotëruar prej më shumë se një viti. Zgjidhja e kësaj çështjeje lejon tashmë qeverinë që të jetë gati të merret me probleme reale të sektorit. Në një këndvështrim më të gjerë, mendoj se sektori i energjisë në Shqipëri është në një farë mënyre një problem i shkaktuar ndaj vetes, sepse hidro-elektriciteti është një rezervë natyrore shumë e madhe që Shqipëria ka. Si nafta, që eksportohet prej shumë vendeve, energjia hidrike është diçka që Shqipëria duhet të eksportojë duke fituar të ardhura të shumta. Pse është ky një problem e i vetë-shkaktuar? Sepse problemet që janë krijuar nga regjimet e ndryshme të mëparshme kanë çuar në një sektor që nuk mbledh dot të ardhura të mjaftueshme për mbarëvajtjen e vet. Si pasojë është bërë një sektor pa likuiditet dhe i paaftë të paguajë detyrimet. Ku qëndron problemi? Problemi është se ka shumë rrjedhje në aspektin e konsumit: njerëzit nuk paguajnë faturat, vjedhin energji, bizneset vjedhin energji – të gjithë e dinë këtë – dhe vetëm një pjesë e vogël e njerëzve paguan faturat. Prandaj të rrisësh çmimin është diçka e padrejtë kundrejt njerëzve që paguajnë faturat. Qeveria po punon më ngushtë me Bankën Botërore për këtë problem, por këshilla jonë ka qenë se kjo gjë duhet të zgjidhet, ky sistem duhet rregulluar. Në aspektin afatshkurtër, prodhuesi ka nevojë të ketë më shumë para në dispozicion, në mënyrë që të mund të përballojë krizat prej rreshjeve të pakta të shiut, sepse rreshjet thjesht nën nivelin normal do të krijonin një krizë. KESH duhet të ketë para të mjaftueshme për të paguar importe afatshkurtra. Në aspektin afatgjatë ose afatmesëm, qeveria duhet të ndërmarrë reforma në mënyrë që disa prej bizneseve që paguajnë tarifa fikse ose kanë subvencione të tjera të kalojnë në sistemin e çmimit të tregut. KESH-i apo qeveria nuk duhet të ofrojnë rezervat energjitike në këtë mënyrë, sepse këto nuk janë sigurime shoqërore por energji dhe duhet paguar në mënyrën e duhur. Duket se qeveria dëshiron ta zgjidhë këtë problem dhe dëshiron ta zgjidhë në mënyrë gjithëpërfshirëse, por është gjithsesi një problem i vështirë që është krijuar në vite dhe do të duhet kohë për ta zgjidhur.     

Zëri i Amerikës: Ndoshta kjo ishte arsyeja që u zgjodh një kompani e huaj për t’u marrë me ato lloj problemesh që përmendët. Mendoni se KESH-i, i vetëm, do të jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet?  

Nadeem Ilahi: Mendoj se çështja e administrimit të hallkave të ndryshme të sektorit të energjisë është një çështje shumë e rëndësishme. Kjo sepse njerëzit që administrojnë janë ata që do të mbledhin paratë që duhen mbledhur prej shitjes së elektricitetit. A do të arrijnë ata ta bëjnë këtë? Kjo kërkon dhe shumë mbështetje nga qeveria, që duhet të thotë “po, ju mbështesim në të drejtën tuaj për të mbledhur paratë e faturave” dhe njerëzit duhet të paguajnë faturat dhe duhet të konsiderohet krim kur nuk paguhet fatura e energjisë. Pra, thjesht një transferim i administrimit tek një kompani tjetër nuk do të zgjidhë problemin. Kemi të bëjmë dhe me një problem qeverisjeje që gjithashtu duhet të zgjidhet dhe në takimet tona të nivelit të lartë kemi krijuar përshtypjen se qeveria po ndërmerr një angazhim për ta zgjidhur këtë problem një herë e mirë. Mendoj se ky është një moment i përshtatshëm për ta bërë këtë sepse disponohet mbështetje financiare nga Banka Botërore dhe nga programi ynë.   

Zëri i Amerikës: Ka shqetësime lidhur me ndikimin që rritja e çmimeve të energjisë do të ketë për vitin e ardhshëm. A mendoni se kjo është një lëvizje e pashmangshme?

Nadeem Ilahi: Mendoj se pjesërisht është e pashmangshme, por siç thashë dhe më parë, problemi qëndron diku tjetër. Mendoj se tashmë qeveria dhe kolegët tanë të Bankës Botërore janë dakord se problemi i vjedhjes së energjisë dhe i rrjedhjes duhet të zgjidhet. Nëse do të kishim vetëm rritje të çmimeve do të ishte diçka e padrejtë dhe problemi nuk do të zgjidhej. Prandaj, në një farë mënyre, ky veprim nuk duhet të jetë prioritet kryesor. Megjithatë, ndoshta një pjesë duhet bërë, si për disa tarifa të biznesit, ato fikse, për shembull, të cilat mendoj se duhen rregulluar. Por, ashtu si në shumë vende, problemi i vërtetë qëndron tek aspektet e tjera. 

Zëri i Amerikës: Tashmë që kanë kaluar 6 muaj të vitit 2014, a parashikoni ende një rritje ekonomike prej 2.1 për qind? Ndërkohë Instat-i publikoi disa të dhëna sipas të cilave PBB-ja u rrit me 1.78 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por vetëm me 0.16 për qind po të krahasohet me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Nadeem Ilahi: Mendoj se ka disa shenja – si besimi, të cilin e përmenda më parë – që tregojnë se ka rritje. Kur ishim në Shqipëri në maj, gjë mbi të cilën do të lexoni në raportin e personelit të FMN-së që do të publikohet së shpejti, nuk patëm arsye të mendonim se gjërat do të ishin ndryshe. Rritja prej 2.1 për qind është mjaft e arritshme. Pse mendojmë kështu? Një arsye është gjithashtu fakti se shohim dhe një rritje dhe në sektorin e prodhimit dhe eksporteve. Por, siç thashë më parë, besimi i konsumatorëve është thelbësor dhe ky aspekt nuk ka shënuar rezultate të mira. Megjithatë është ende një çështje gjykimi rreth situatës. Shifrat e fundit të Instat-it mund të jenë duke sinjalizuar dobësi, por kjo është një ekonomi e vogël dhe mund të kthehet shumë shpejt. Le të mos harrojmë gjithashtu se rreth një javë më parë morëm lajmin e statusit kandidat për hyrjen në BE dhe kjo gjë mund të rrisë besimin, si për shembull në rastin e bizneseve që po konsideronin nëse të investonin, investitorëve të huaj, etj. Pra, një pjesë e mirë e këtyre aspekteve do të përcaktohen në muajt e ardhshëm. Mendoj se ka pasur një ndryshim madhor politikash sa i përket ekonomisë në 12 muajt e fundit. Prej këtij fakti, si sfond, dhe prej gjërave pozitive në të ardhmen ne shpresojmë të kemi një rigjallërim të ekonomisë. Një tjetër arsye që ekonomia ka qenë e ngadaltë ka qenë gjendja jo e mirë e partnerëve të huaj, por edhe në këtë aspekt shohim që perspektiva për Italinë dhe Greqinë ëshë përmirësuar. Prandaj ne ende shpresojmë të arrihet rritja ekonomike prej 2.1 për qind. Megjithatë, ne do të shkojmë në Shqipëri sërish në gusht, kur do të kemi mundësi t’i rishqyrtojmë këto shifra dhe do t’i ndryshojmë nëse ka nevojë të jenë më lartë apo më poshtë, në varësi të asaj që do të vërejmë.

Mare nga VOA

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Borxhi publik/ BB i “tërheq veshin” Shqipërisë

Publikuar

-

Nga

Shqipërisë dhe Malit të Zi do t’i duhet më shumë angazhim për zbatimin e rregullave fiskale që vendosin dhe që kanë në objekt uljen e borxhit apo mbajtjen nën kontroll të deficitit. Në shumë raste rregullat që vendet vendosin hasin në devijme ndërkohë që mungesa e informimit të përgjithshëm të publik ul presionin politik për zbatimin e tyre. Një dokument i departamentit Makroekonomik dhe atij për Praktikat Globale në Investime dhe Tregti pranë Bankës Botërore trajton në veçanti rregullat fiskale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kështu referuar këtij dokumenti thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndryshëm në shumë aspekte ndaj secili sipas raportit duhet që të aplikoje rregulla të ndryshme për të arritur të njëjtin qëllim. Shqipëria dhe Serbia janë kampionet e “borxhit të lartë publik”. Shqipëria ka rregullin kryesor që të ulë borxhin publik në nivelin 45 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky rregull plotësohet nga të tjera rregulla siç është ai për nivelin e deficitit që në rast të një rritje 5 për qind të ekonomisë ai nuk duhet të kalojë 2 për qind të PBB-së si dhe një tjetër rregull për shpenzimet korrente apo 0.7 për qindëshi që buxhetohet në kontigjenca. Ashtu siç ka një rregull për shpenzimet që nënvizon se deficiti për 3 mujorin e parë të vitit nuk mund të tejkalojë 30 për qind të defiçitit të planifikuar për gjithë vitin.

“Objektivi i borxhit të Shqipërisë është i matur por rregulli për borxhin nuk siguron ndonjë shpejtësi të veçantë për të shkuar drejt këtij targeti. Që të bëhet progres i mirë do të duhet të bëhet më shumë sesa thjesht të zbatohet rregulli gjatë viteve. Nga ana tjetër rregulli mund të jetë shumë kërkues gjatë recesioneve që nuk janë aq të rënda sa për të anashkaluar klauzolat.

Analizat tregojnë se në disa vende përmbushja minimale me rregullin e deficitit nuk do ta ulë borxhin në nivele që konsiderohen të matura apo të kujdesshme. Shqipërisë do t’i duhet që të ketë një suficit prej 0.8 për qind të PBB-së çdo vit për të arritur objektivin e saj të borxhit prej 45 për qind deri në vitin 2025  çka është shumë më tepër sesa kërkohet nga rregulli i dificitit” thuhet në dokument.

I njëjti, në përmbledhjen kryesore nënvizon se politikat drejt rregullave fiskale janë një çështje e rëndësishme në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Sipas një vlerësimi të përafërt vendet me rregulla (të gjitha përveç Maqedonisë së Veriut) kanë përmbushur pjesën për rregullin e borxhit publik dhe përgjithësisht për defiçitin në pak më shumë se gjysmën e kohës. “Një anketë online e cila u zhvillua në kuadër të këtij studimi sugjeron së kuptueshmëria e publikut në këto rregulla është e kufizuar çka mund të ulë presionin politik për përmbushjen. Për të ulur borxhin në nivele të matura Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë nevojë për angazhim të fortë për të përmbushur rregullat e tyre fiskale dhe shpesh do tju duhet që të bëjnë më shumë sesa kërkojnë rregullat e tyre të deficitit, ndoshta më shumë angazhim sesa është demonstruar në vitet e fundit” thuhet në raport./ Monitor 

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Zgjedhjet “çmenden” shpenzimet buxhetore/ Investimet u përkeqësuan

Publikuar

-

Nga

Treguesit kryesorë të buxhetit për periudhën 7-mujore paraqiten të zhbalancuara për arsye se, shpenzimet u rriten me ritme më të shpejta se të ardhurat.

Por, shpenzimet për investime u përkeqësuan në raport me një vit më parë dhe arka e shtetit rezulton me deficit mbi 6 miliardë lekë, teksa në janar-korrik 2018 ishte suficitare mbi 2.4 miliardë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shpenzimet buxhetore u rriten me 7% në periudhën 7 mujore. Këto ritme ishim më të larta se ritmi i rritjes të ardhurave me 3.8 për qind, duke ndikuar në zgjerimin e deficitit buxhetor ne terma vjetorë, nxitur nga disa zëra që u ndikuan nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Sipas zërave kryesore të shpenzimeve u pa një rritje me 9 për qind e shpenzimeve koherentë dhe një ulje me 5% e shpenzimeve kapitale.

Në shpenzimet korente rritjen më të e madhe e kishin shpenzimet për zërin e pagave me 4 % të nxitura nga indeksimet që u bënë në disa sektorë të administratës publike para zgjedhjeve lokale.

Shpenzimet për personelin dhe pagat në këtë 7 mujor ishin 3,5 miliardë lekë më te larta (ose 30 milionë euro) se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rritje më ritme të larta shënuan edhe shpenzimet operative dhe mirëmbajtje. Për periudhën janar-korrik 2019 ato arritën në 25,4 miliardë lekë, rreth 3,3 miliardë lekë më shumë ose 15% më të larta se një vit më parë.  Këto shpenzimet u nxiten nga rikonstruksionet  dhe riparime në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Zgjedhjet kanë nxitur gjithashtu edhe shpenzimet për pushtetin lokal, të cilat pësuan rritje me 15 % në raport me vitin e kaluar. Pushteti vendor shpenzoi mbi 34.8 miliardë lekë në këtë periudhë nga 30.4 vitin e kaluar.

Rritje u evidentua edhe në shpenzimet për mbrojtjen sociale me 6%, ku pjesa e madhe ka shkuar për mbulimin e deficitit të skemës së pensioneve. Qeveria shpenzoi këtë vit 4.2 miliardë lekë ose 6 % më shume se vitin e kaluar nga taksat e shqiptarëve për të paguar pensionet që nuk u mbuluan dot nga të ardhurat e sigurimeve.

Por teksa shihet se shpenzimet në total janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në raport me ecurinë e katër viteve të fundit shihet se, shpenzimet për investime që sjellin edhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend janë zëri i vetëm që kanë pësuar rënie.

Gjatë 7 mujorit për investimet kapitale u alokuan 33.8 miliardë lekë ose 1.76 miliardë lekë më pak se një vit më parë. Rënia e shpenzimeve në këtë zë ishte 5%./ Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Fiskalizimi dixhital/ Nisin konsultimet, gati propozimet për draftin

Publikuar

-

Nga

Ministria e Financës dhe Ekonomisë nisi këtë të martë takimet  e drejtpërdrejta  me palët e interesit për konsultimin  e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”.

Zëvendësministri i Financës dhe Ekonomisë z.Elton Haxhi, gjatë takimit ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave të kontabilistëve, bëri një prezantim të përgjithshëm të ndryshimeve që do të sjellë ky projektligj, me qëllim modernizimin e sistemit fiskal.

           Takimi konsultativ

Gjatë fjalës së tij z.Haxhi u shpreh se projektligji do të sjellë një ndryshim edhe në komunikimin e pajisjeve fiskale, kryesisht për transaksionet me para në dorë, duke e kthyer nga një komunikim ditor në fund të ditës, në një komunikim në kohë reale, si dhe vlefshmëri të çdo transaksioni me para në dorë në kohë reale, me futjen e elementëve të tillë, siç është firma dixhitale për identifikimin e personit të tatueshëm.

Projekti parashikon që përveç faturimit të ndërtojë edhe një modul kontrolli për Administratën Tatimore. Sistemi i ri do të ofrojë edhe një regjistër të aktiveve të qëndrueshme, të cilët janë si rezultat i faturimeve, transaksione midis tatimpaguesve dhe njëkohësisht do të bëhet dhe marrja e informacionit nga bankat në lidhje me shlyerjen e transaksioneve pa para në dorë.

Gjithashtu, në fazën e fundit parashikohet ndërtimi i një regjistri për tatimpaguesit në lidhje me aktivet kryesore, pra përveç transaksionit të mallrave apo shërbimeve kemi dhe transaksione që kanë lidhje me aktivet e qëndrueshme.

Përfaqësuesit e shoqatave të kontabilistëve u shprehën se kanë nisur tashmë punën për njohjen me projektligjin për të dalë me pas me propozime konkrete.

Kontabilistët vlerësuan këtë nismë të qeverisë, e cila pritet të modernizojë sistemin fiskal shqiptar.

Takimi i radhës konsultues do të mbahet në datë 22 Gusht me përfaqësues të sipërmarrjeve që operojnë në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit./ Monitor

LEXO TE PLOTE